Mesazhi që duhet të japë Lulzim Basha për 25 prillin

Nga Gjergji Koja

SPAK njoftoi disa javë më parë arrestimin e disa komisionerëve në kuadrin e asaj që njihet si dosja 339, apo ndryshe manipulimi i zgjedhjeve në qarkun e Durrësit.

Pak ditë më pas, SPAK doli në konkluzionin se nuk ishte kompetencë e tij dhe dosjen e komisionerëve e transferoi në prokurorinë e Durrësit.

Bëhej fjalë për 21 komisionerë të PS, PD, LSI që, sipas SPAK, kishin lejuar të votohej në emër të 22 personave që nuk ndodheshin në Shqipëri.

Komisionerët i përkisnin fshatit Shetel, që shumëkush as e di ku bie.

Në këtë fshat më është dashur të shkoj në vitin 2001, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, dhe në atë kohë përfshihej në zonën zgjedhore nr. 26, komuna e Gjepalajt, në Shijak. Përballë në atë kohë kandidonin Gazmir Bizhga nga PS dhe Mero Baze nga PD dhe kjo zonë zgjedhore së bashku me atë ngjitur, nr. 25, konsideroheshin si ndër më të nxehtat.

E kam ndjekur në atë kohë procesin si gazetar dhe vëzhgues dhe ajo që ka ndodhur 19 vjet më parë në Shetel pak a shumë ishte e njëjta skemë me atë që konludoi SPAK me arrestimin e 21 komisionerëve.

Nëse në njoftimin e SPAK flitet për 22 vota më shumë, 19 vjet më parë në të njëjtin fshat ishin hedhur në kuti 500 vota, ishin hedhur 100 firma, pothuajse të njëjta, dhe komisionerët ndjeheshin shumë të kënaqur.

Ata ishin banorë të fshatit, kishin njohje me njëri-tjetrin dhe as mund t´a mendoje se mund të përfshiheshin në ndonjë konflikt për shkak të dy kandidatëve që garonin për dy parti të ndryshme.

Dikush që ishte treguar më i shkathët, me më shumë këllqe, në atë kohë, e kishte mbyllur hesapin zgjedhor dhe në orët e para të paradites së 24 qershorit 2001 votimet në Shetel kishin përfunduar, pavarësisht orarit zyrtar të mbylljes së kutive.

Në atë kohë kam shkruar me emër dhe mbiemër për personat e implikuar në atë që sot njihet si krim zgjedhor dhe çuditërisht të njëjtët, 4 vite më pas, kur PD mori pushtetin i gjeje në administratën lokale, përfshi edhe polici.

Si militantë të PD-së apo si të partive aleate, këta personazhe vijuan punën, madje disa hynë si prurjet e reja të administratës, ndoshta duke i shërbyer “shefave” të rinj me të njëjtën formë sikundër i kishin shërbyer atyre të 2001-it.

E solla në vëmendje këtë pasi skema e përdorur për të shtuar disa vota në favor të një kandidati është e njëjta, si në 2001 ashtu edhe në 2017. Personazhet ndoshta kanë ndryshuar, sikundër edhe komisionerët, por në thelb në të njëjtin fshat votat janë shtuar fiktivisht.

Në 2001, pas zgjedhjeve, palët u angazhuan në një reformë zgjedhore, ku dy nga protagonistët e reformës së sotme, në mos gaboj, ishin ekspertë pranë OSBE, e cila kishte një peshë më të madhe se sot, të paktën për këtë reformë.

Ajo reformë zgjedhore në letër cilësohej si më e mira, më e thella që do të zgjidhte problemin shqiptar të votimeve, njëlloj sikundër pretendohet sot, nga pothuajse të njëjtët protagonistë, me dallimin e vetëm se në atë kohë propozonin ndryshimet nën petkun e OSBE, ndërsa sot kanë veshur atë të politikanit të ndarë në dy kampet kryesore politike.
Problemet me zgjedhjet pas reformës së 2001 vijuan, në disa raste format e manipulimit u sofistikuan, ku ndoshta presioni i të fortëve u zëvendësua nga presioni i parave apo i premtimeve me vende pune. Dhe për këtë mjafton të lexosh raportet e OSBE/ODIHR për të kuptuar se reformat e prodhuara në letër nuk zgjidhën gjë dhe me shumë gjasa, as në 2021 nuk do të zgjidhin, nëse s´ka vullnet politik për të hequr dorë nga tjetërsimi i votës.
Dikur liderë të politikës ishin Sali Berisha, Fatos Nano dhe Ilir Meta, ndërsa sot në skenë janë Lulzim Basha, Edi Rama dhe Ilir Meta.

LEXO EDHE  “Hileja” në Kushtetutë/ “Xhafaj” vuri nën kontroll politik Inspektorin e Lartë të Drejtësisë

Në 2001, Edi Rama ishte kryebashkiak i Tiranës, Ilir Meta mbante postin e Kryeministrit, ndërsa Lulzim Basha do ketë qenë student në Holandë. Pra, ndër aktorët e sotëm politikë duket se është më i papërlyeri në atë që mund të quhet historiku i manipulimit zgjedhor.
Duke u rikthyer në vitin 2005, kohë kur Lulzim Basha u aktivizua në politikë, kur kandidoi për deputet në Tiranë përballë Arben Ahmetajt dhe fitoi, nuk besoj se ka pasur informacione se ç´kishte ndodhur në zgjedhjet e 2001 në atë fshatin Shetel dhe as që të kishte informacione se ata që kishin dhunuar demokratët dhe tjetërsuar votat, befas ishin kthyer në demokratë dhe vijonin punën në administratë apo kishin hyrë rishtas në të, njëlloj si Basha në politikë.

Të tillë dhunues vote ka pasur pothuajse në çdo zonë të nxehtë dhe që momente të caktuara thjesht ndryshonin kahun, përdoreshin, kapnin ç´mund të kapnin, duke u kthyer në faktorë politikë atje ku kishin influencat. Dhe faktorë i ktheu politika, që i ndezi dritën jeshile duke i pranuar shërbimet për pushtet dhe më pas i veshi me petkun e pushtetit për ti përdorur në zgjedhjet e rradhës.

Ndaj ky fenomeni i faktorëve të krijuar artificialisht nuk mund të zgjidhet me ligjet që shkruhen dhe mbesin në letër, nëse palët që konkurojnë nuk heqin dorë apo nuk shfaqin vullnet për të bërë zgjedhje dhe jo votime.

Nëse njëra palë futet në fushë me mendimin se ka në krah edhe faktorin e krijuar artificialisht, atëherë pala tjetër ose duhet të gjejë faktorë të ngjashëm, ose duhet të artikulojë mesazhe të qarta, jo të tipit “do përballen me ligjin”.

Deri më sot askush nuk është përballur me ligjin për vjedhje apo tjetërsim votash, pavarësisht se sot njihet me termin “krim zgjedhor”. Ndaj dhe Lulzim Basha si kryetar i PD apo lider i opozitës, duhet të mendojë të përcjellë të tjera mesazhe, jo ndaj faktorëve artificialë, por atyre politikë që i përdorin. Nëse do të jetë bindës në atë që do të thotë, atëherë ka shansin që në zgjedhet e 25 prillit 2021 të ndalojë ose minimizojë tjetërsimin e votës. Në të kundërt, sërisht do ti duhet të ulë në tryezë të përzgjedhurin e tij me manipuluesin e rradhës në emër të reformës zgjedhore.