Nga Boldnews.al
Kompania “Dajti Park 2007”, e themeluar nga administratori i Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia dhe nën kontrollin e vëllait të tij, Lulzimit, ka bindur Komisionin e Prokurimit Publik për të fituar tenderin rreth 1.5 milionë euro për ushqime në Burgje, me argumentin se siguron presh dhe qepë të njoma e të freskëta, ndryshe nga konkurentët e tjerë.
Tenderi, i hapur në Mars 2020 nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, pjesë e Ministrisë së Brendshme, u mbyll vetëm së fundmi, pasi “Dajti Park 2007” ankimoi vendimin paraprak për shpalljen fitues të një tjetër operatori ekonomik.
Komisioni i Prokurimit Publik, pasi shqyrtoi ankesën e kompanisë së Qefalisë, vendosi skualifikimin e operatorit të renditur në krye, duke i hapur rrugë “fitores në tavolinë” të tenderit nga “Dajti Park 2007”.
Tenderi
Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara shpall në 12 Mars 2020 tenderin me disa lote për furnizimin me ushqime të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në lotin 6 të këtij tenderi, kërkohej nga operatorët ekonomikë furnizimi me perime, përfshirë presh, qepë, speca, bizele, bamje, e të tjera produkte të ngjashme.
Tenderi kishte fond limit vlerën 159.5 milionë lekë të reja pa TVSH (rreth 1.5 milionë euro bashkë me TVSH).
Referuar dokumentacionit të verifikuar nga “Boldnews.al”, rezulton se në procedurë morën pjesë 8 operatorë, nga të cilët 6 u skualifikuan.
Nga dy që mbetën në garë, kompania “Dajti Park 2007” kishte dhënë ofertën më të lartë dhe, për këtë arsye, u shpall humbëse, në përfundim të tenderit, në Maj 2020.
Ankimi
“Dajti Park..” e Qefalias ankimoi vendimin pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, duke kërkuar skualifikimin e kompanisë së renditur e para.
Nga dokumentat e konsultuara nga “Boldnews.al”, rezulton se autoriteti kontraktor nuk i pranoi argumentat ankimues dhe “Dajti Park 2007” iu drejtua Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Në materialin ankimor, “Dajti…” e Qefaliajt i referoi Komisionit të Prokurimit Publik se kompania e shpallur e para nuk plotësonte kriteret e tenderit.
Ndër të dhënat e siguruara nga “Dajti…”, rezultonte se operatori rival nuk kishte nënshkruar kontrata furnizimi për produkte të ngjashme në 3 vitet e fundit, siç kërkohej nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara.
Komisioni i Prokurimit Publik është ndalur gjatë në analizën e “specifikimeve teknike” të këtij tenderi, për të vlerësuar ankimin e kompanisë së Qefalisë.
Në vendimin e KPP, dt.30 Korrik 2020, trajtohen në mënyrë të detajuar kërkesat e tenderit.
“Produkti, Preshi: Pamja e jashtme: I freskët, i njomë, i pastër, me ngjyrë të bardhë në jeshile, i pa vyshkur dhe i larë me ujë të pijshëm; Diametri në pjesën më të trashë, cm: Mbi 2,5 – 3,5.; Gjatësia e kërcellit, cm: 25 – 45; Gjatësia e gjethit nga rozeta, cm, jo më shumë se: 20”, kërkohej në dokumentat e tenderit.
Më tej, “produkti qepa: Pamja e ngjyra: Karakteristikë e qepës së bardhë të tharë pa pjesë të karamelizuara. Në formë sektori rrethor me trashësi 2-5 mm. Lejohen copa me përmasa të vogla deri në 5 % e sasisë. Shija dhe era: Karakteristikë e qepës pa shije dhe erë të huaj”.
Një përshkrim i ngjashëm, me detaje të hollësishme, jepen në kërkesat e tenderit edhe për bizele, bishtaja, bamje, domate, speca, etj.
Pasi ka analizuar një për një “specifikimet teknike”, Komisioni i Prokurimit Publik ka arritur në konkluzionin se kompania e renditur e para nuk i plotësonte kushtet e paracaktuara.
Kompania që rivalizoi shoqërinë “Dajti Park 2007”, në 3 vitet e fundit, kishte siguruar kontrata furnizimi për produkte të tjera ushqimore, si qumësht, kos, oriz, makarona, sheqer, kafe, etj.
KPP konstatoi se argumentat e “Dajti Park 2007” qëndronin, pasi rivali i tij nuk kishte arritur të bindte autoritetet se ishte në gjendje të siguronte presh dhe perime të tjera të freskëta.
Në përfundim, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi skualifikimin e kompanisë së renditur në krye të tenderit, duke lënë në garë vetëm “Dajti Park 2007” të Qefalisë, e cila u shpall edhe fituese e procedurës me vlerë rreth 1.5 milionë euro.