Kriza në Kakavi, VOA: Shumë nga familjet në kushte të vështira, kanë kaluar 48 orë pritje

Një fëmijë 10 vjeçar humbi jetën nga goditja e një autoambulance në radhën kilometrike të shqiptarëve që kërkojnë të udhëtojnë drejt Greqisë.

Autoritetet spitalore në Gjirokastër i thanë “Zërit të Amerikës” se fëmija S.N.,10 vjeç, nga Lezha u dërgua i pajetë në spital gjatë orëve të paradites të së shtunës.

Policia e Gjirokastrës tha se “ngjarja ndodhi rreth orës 10:30, në aksin kombëtar Kakavije – Gjirokastër, në afërsi të kthesës së Bularatit, ku autoambulanca që po transportonte një shtetase të sëmurë për në spitalin rajonal Gjirokastër, përplasi për vdekje të miturin”.

Kriza e radhëve në kufirin shqiptaro grek është rënduar gjatë paradites së të shtunës pasi autoritetet greke e mbyllën sërish pikën kufitare te Kakavijës në orën 22 të mbrëmjes për ta hapur në orën 06 të mëngjesit.

Disa mijëra qytetarë shqiptarë e kaluan natën në kufi, ndërsa për mjaft prej familjeve situata po rëndohet pasi po i kalojnë 48 orët e qëndrimit në kufi në kushte mjaft të vështira, me temperatura mjaft të larta dhe mungesë të ushqimeve, ujit dhe kushteve higjieno sanitare.

LEXO EDHE  I ndaluari tenton të arratiset nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, kapet tek “Myslym Shyri”

Emergjencat civile dhe forcat e ushtrisë po ofrojnë ndihmë me ujë dhe ushqime prej mbrëmjes së të premtes, por nevojat e familjeve mbeten të mëdha, pasi radha e automjeteve është rreth 10 kilometra dhe mes udhëtarëve ka shumë të mitur e të moshuar.

Dyndja e emigrantëve shqiptarë drejt Greqisë hyri sot në ditën e tretë pasi autoritetet greke njoftuan masa shtrënguese që hyjnë në fuqi të dielën.

Ndër këto masa është kufizimi me 750 persona në ditë i hyrjes në Greqi, paraqitja e detyruar në kufi e analizës molekulare për “COVID 19”, kryer në Shqipëri brenda harkut të 72 orëve, si dhe karantinimi për 7 ditë në Greqi.

Qytetarët shqiptarë u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të negociojnë me qeverinë greke për lehtësimin e këtyre masave, pasi ata e kanë të vështirë të sigurojnë analizat për COVID 19 dhe kërkojnë të paraqiten në vendet e punës në Greqi./VOA/