Çudia” me shifrat e Covid/ Mbi 100 të prekur në ditë, numri i të shtruarve nuk ndryshon

Nga Boldnews.al

Prej mëse dy javësh, Ministria e Shëndetësisë raporton për mbi 100 persona të prekur me Covid-19 në ditë.

Ndërkohë, po në Buletinët zyrtarë, institucioni i drejtuar nga Ogerta Manastirliu deklaron se, përgjatë kësaj kohe, numri i të shtruarve në spital ka mbetur thuajse konstant, në shifra që variojnë nga 116-122 persona që po trajtohen në regjim spitalor.

Për Ministrinë e Shëndetësisë, numri më i lartë i të prekurve hyn në kategorinë e asimptomatikëve apo që mund të kurohen në kushte shtëpiake. E, për këtë arsye, ata nuk shtrohen në spital, duke u krijuar hapësirë vetëm personave që shfaqin simptoma të rënda.

Ndërkohë, për shumë të tjerë, përfshirë mjekë, ekspertë të fushës, gazetarë që raportojnë në përditshmëri nga terreni dhe përfaqësues të opozitës, numri konstant i të shtruarve lidhet me mungesën e theksuar të kapaciteteve dhe infrastrukturës në Spitalin Infektiv dhe Senatorium, të emërtuar “Covid-1” dhe “Covid-2”.

“Boldnews.al” ka komunikuar me mjekë dhe ekspertë të tjerë, të cilët shprehin bindjen se shtrimi në struktura mjekësore i të gjithë personave të prekur me Covid-19, të cilët e kanë të nevojshme trajtimin spitalor, do të sillte një kolaps të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Për kritikët e sistemit shëndetësor, Qeveria ka treguar vullnet minimal për të forcuar kapacitetet teknike për të përballuar pasojat që po krijon pandemia e korona-virusit.

“Boldnews.al” ka realizuar një përmbledhje të të dhënave zyrtare të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë për numrin e të prekurve të rinj me Covid-19 dhe totalit të të shtruarve në spital, pëgjatë harkut kohor 27 Korrik- 12 Gusht 2020.

Të dhënat, të renditura edhe në tabelë, dëshmojnë se mesatarja e të prekurve në ditë ishte 113 (varionte nga minimumi 79 deri në maksimumin 141), ndërkohë që numri total i të prekurve të rinj përgjatë këtyre dy javëve ishte 1924 persona.

Ndërsa, numri total i personave të shtruar në spital varionte nga 110-124, me një diferencë përfundimtare + 2 pacientë të rinj, një shifër shumë e ulët, krahasuar me numrin e raportuar si të prekur gjatë të njëjtës njësi kohore.

LEXO EDHE  Plagosi 60-vjeçarin në Kavajë, arrestohet autori! Detajet

Shifrat
Referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe të përmbledhura nga “Boldnews.al”, situata ditore me shifrat e të prekurve nga Covid-19 dhe numrit total të shtruarve në spital është si më poshtë:

27 Korrik – Shënohen 117 të prekur të rinj. Në spital janë të shtruar 114 pacientë.

28 Korrik – Ministria e Shëndetësisë deklaron 117 raste të reja. Të shtuar në spital janë 123 pacientë

29 Korrik – Shënohen 108 raste të reja me Covid. Të shtruar në spital janë 125 persona

30 Korrik – Regjistrohen 92 raste të reja. Në strukturat spitalore janë 124 pacientë

31 Korrik – Janë 79 raste të reja, ndërkohë në spital gjenden të shtruar 115 pacientë

1 Gusht – Deklarohen 120 raste të reja. Numri i të shtruarve në spital është 119 persona

2 Gusht – Shënohen 123 raste të reja. Në spital janë 120 pacientë

3 Gusht – Ministria e Shëndetësisë shënon 101 raste të reja. Në spital gjenden 122 persona

4 Gusht – Shënohen 130 raste të reja me Covid -19. Në spital janë, në total, 116 persona

5 Gusht – Regjistrohen 139 raste të reja. Në spital gjenden 110 pacientë

6 Gusht – Deklarohen 127 raste të reja. Në strukturat spitalore qëndrojnë të shtruar 119 persona

7 Gusht – Shënohen 135 raste të reja, në regjim spitalor janë 122 pacientë

8 Gusht – Regjistrohen 124 raste të reja me Covid -19. Në spital gjenden 116 pacientë

9 Gusht – Ministria e Shëndetësisë deklaron 136 raste të reja, në spital gjenden 112 pacientë

10 Gusht – Shënohen 125 raste të reja, në spital janë 122 pacientë

11 Gusht – Regjistrohen 140 raste të reja, numri i pacientëve të shtruar në spital është 124

12 Gusht – Shënohen 141 raste të reja, ndërkohë që në spital janë 116 pacientë