Zbardhet raporti i KLGJ: Vetting-u po na lë pa gjyqtarë, deri në prill 69 vakanca

Procesi i Vetting-ut po krijon gjithnjë e më shumë problem me mbulimin e ngarkesës së punës në gjykatat e të gjitha shkallëve. Këshilli i Lartë Gjyqësor raporton se deri në prill të këtij viti, sistemit i mungojnë plot 69 gjyqtarë nga afërisht 350 të parashikuar me ligj. Situata është përkeqësuar edhe më tej pas muajit prill, duke qenë se kanë vijuar shkarkimet e gjyqtarëve nga Komisionet e Vetting-ut, ndërkohë që nuk kanë munguar as dorëheqjet.

Scan Televizion ka zbardhur raportin zyrtar të KLGJ për katër muajt e parë të vitit 2020, ku vërehen vakanca të shumta jo vetëm në numrin e gjyqtarëve, por edhe të stafit administrative. Numri i punonjësve të Sistemit Gjyqësor i miratuar me ligj në fillim të vitit është 1,593 vetë, nga këto 125 vetë janë punonjës të stafit të KLGJ-së. Numri faktik për periudhën janar- prill, është 1,320 punonjës.

Aktualisht në gjykata ka mungesa me 241 punonjës nga të cilat 69 janë gjyqtarë dhe 172 janë punonjës të administratës. Numri i punonjësve të KLGJ-së i miratuar me ligj është 125 punonjës ndërsa aktualisht janë 93 punonjës pra ka një mungesë me 32 punonjës. Në total në Sistemin Gjyqësor ka mungesa në strukturat përbërëse me 273 vetë, thekson raporti i Këshillit.

LEXO EDHE  Meta për Ramën: Nëse shkelet marrëveshja e 5 qershorit, do jetë fajtori i vetën

Vakancat përkthehen në problem me vonesat e dosjeve në gjykata, ku vërehen edhe zvarritje prej 500 ditësh. I vetmi lajm i mirë është se shkarkimet e shumta kanë kursyer disa para nga buxheti i shtetit, duke qenë se pagat e gjyqtarëve arrijnë deri në 3 mijë dollarë në muaj.

Rreth 1.3 milionë dollarë janë kursyer nga buxheti i vitit 2020 për shkak të pagave të pashpërndara për gjyqtarët e larguar nga sistemi, në një kohë që ata janë zyrtarët me rrogat më të larta në administrate. /Scan tv/