Pak interes për skemat e garancisë, përdoren vetëm 38%

Biznese të mëdha në sektorët kryesorë pohuan se, paketa e dytë e garancisë sovrane 15 miliardë lekësh, që qeveria vuri në dispozicion për të zbutur efektet e krizës pandemike, ishte përjashtuese për bizneset e goditura. Mbulimi me garanci vetëm të 60% të huasë, interesat 5% dhe kriteret shtesë të bankave i bënë huatë nga garancia sovrane shpesh më të vështira se kreditë normale. Tani kur afatet e aplikimit kanë përfunduar, është miratuar për t’u lëvruar vetëm 38% e totalit të dy paketave, që në total ishin rreth 26 miliardë lekë. Qeveria shtyn afatin për paketën e dytë, deri në fund të shtatorit

Nga Blerina Hoxha

Instrumenti i ndihmës shtetërore me garanci sovrane për të mbrojtur biznesin nga efektet negative të pandemisë nuk rezultoi efikas. Në mbyllje të afateve të aplikimeve për dy paketat është miratuar për lëvrim vetëm 38% e shumës në dispozicion. Sipas azhurnimeve të Ministrisë së Financave, që i takojnë datës 31 korrik, nga të dy paketat me një fond garancie në total rreth 26 miliardë lekë, janë miratuar vetëm 10.7 miliardë lekë, ose 38% e shumës.

Plani i qeverisë për të ndihmuar biznesin nuk pati efekt, sidomos në paketën e dytë, kur bizneset refuzuan të aplikojnë për shkak të kushteve të vështira. Në paketën e parë, qeveria u tregua më tolerante me kushtet duke garantuar të gjithë shumën e huasë, dhe mori përsipër edhe koston e interesave bankare.

Bizneset që kishin një histori të pastër kreditimi në banka, të cilat në të shkuarën ishin korrekte me bankat në shlyerjen e huave, aplikuan dhe shumë prej tyre përfituan. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave që monitoron garancinë sovrane, në emër të qeverisë, shihet se nga fondi i parë i garancisë 11 miliardë lekë është miratuar nga bankat për bizneset shuma 6,4 miliardë lekë, ose 79% e shumës së vënë në dispozicion nga qeveria.

Situata ndryshoi në këstin e dytë të fondit të garancisë, të cilin qeveria e miratoi më 13 maj. Shuma prej 15 miliardë lekësh u dha me kushte më të vështira, duke mbuluar vetëm 60% të huasë, teksa interesat me tavan 5% do të paguheshin nga bizneset. Gjithashtu, bizneset pretendente duhet të kishin një histori të pastër kreditimi me bankat.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se garancia sovrane nuk ishte instrument i suksesshëm ndihme, për faktin se bizneset që u prekën realisht nga pandemia nuk mund të përfitonin prej kritereve të ashpra të cilat nuk dallonin shumë nga kreditë e zakonshme që bizneset marrin në banka. Kjo u vërtetua edhe me numrin e ulët të aplikimeve dhe aprovimeve, tha ai.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, deri më 5 korrik kur ishte afati i fundit i aplikimeve për paketën e dytë, aplikuan 263 biznese, ndërsa u kualifikuan për kreditim 119, me një shumë prej rreth 3 miliardë lekësh, ose vetëm 20% e fondit të garancisë nga paketa e dytë. Qeveria ka vendosur ta shtyjë sërish afatin për aplikim deri në fund të shtatorit.

Shkodra: Garancia e dytë sovrane nuk ishte për bizneset e prekura

Arben Shkodra, nga Shoqata e Eksportuesve tha se, paketa e dytë e garancisë sovrane, që në fillim të saj nuk u konceptua për bizneset e prekura, pasi kushtet që vuri qeveria i përjashtonin automatikisht sipërmarrjet në krizë likuiditeti.

Bankat tregtare, që po alokojnë kredinë e garantuar, pohojnë se paketa e dytë ishte më sfiduese. “Paketa e parë kishte qëllim të qartë për ne, kurse në paketën e dytë duhet vlerësuar me kujdes qëllimi i financimit. Ndërkohë që paketa e parë mbulonte 100% kredinë e dhënë bashkë me interesat e saj, e dyta mbulon vetëm 60%”, – tha Bledar Cergani nga Departamenti i Riskut në Union Bank.

“Garancia sovrane 2”, me fokus bizneset e shëndosha

Qeveritë nëpër botë i çliruan likuiditetet në të gjitha mënyrat, duke përdorur një seri instrumentesh për të parandaluar falimentin e bizneseve, për shkak të masave bllokuese të pandemisë. Shumëllojshmëria e ndihmave përfshinte edhe likuiditete gratis në llogaritë e biznesit. Shqipëria pati më pak mjete dhe instrumente në dispozicion, për shkak të dobësive historike në mbledhjen e të ardhurave dhe borxhit të lartë publik.

Mjeti kryesor i ndihmës në vendin tonë u panë garancitë sovrane, por mënyra se si u konceptuan ato i përjashtuan kompanitë në nevojë, tha Arben Shkodra, nga Shoqata e Eksportuesve. Qeveria targetoi me paketën e dytë të garancisë bizneset që nuk ishin prekur nga pandemia, shtoi ai. Për shkak të kritereve më të forta në paketën e dytë, bizneset e prekura nga pandemia ishin automatikisht të përjashtuara, – tha z. Shkodra. Për rrjedhojë, rruga mbeti e hapur për kompanitë që nuk ishin prekur nga pandemia, pasi vetëm ato i plotësonin kriteret mbi aftësinë paguese dhe garancinë.

Bankat pohojnë se bizneset që nuk kanë aftësi paguese nuk mund të përfitojnë nga paketa e parë dhe as nga e dyta. “Kriteret si në Garancinë e parë, edhe në Garancinë e dytë, janë pothuajse të njëjta. Edhe në këtë skemë duhet të financohen ato kompani që janë prekur nga pandemia dhe duhet të jenë të afta të shlyejnë financimin” sqaruan burimet zyrtare në OTP Bank.

Paketa e dytë e garancisë ishte e ndërlikuar, – tha zoti Shkodra, dhe u shoqërua me mosrakordim me biznesin. Që nga momenti kur qeveria miratoi fondin në maj, kriteret e përfitimit u publikuan me shumë vonesë. Bizneset nuk ishin të qarta për detajet e marrëveshjes, ndaj dhe nuk kishte interes.

Ai tha se, nga Shoqata e Eksportuesve nuk ka aplikime për paketën e dytë të garancisë. “E dyta ishte një paketë që targetonte më së shumti ata që ishin mirë, kompanitë e shëndetshme. Të tjerët, nuk mund të përfitonin. I pamunduri nuk e merr se i ka ikur tregu, ndërsa një grup tjetër biznesesh ishin të ekspozuar ndaj bankave”, tha Shkodra.

Të njëjtat vështirësi pohoi edhe Donika Mici, zotëruese e kompanisë ‘Donianna’, një nga importuesit më të mëdhenj të këpucës me cikël të mbyllur. Zonja Mici pohoi se nuk përfitoi pasi bankat e përfshinë në analizë risku.

Për të njëjtat arsye nuk kanë arritur të marrin nga kjo hua edhe shumë kompani të mëdha në treg, tha Nikolin Jaka, nga Dhoma e Tregtisë. “Nga garancia e parë dhe e dytë sovrane kanë përfituar bizneset e shëndosha, që nuk kanë pasur detyrime karshi shtetit apo hua të palikuiduara në bankë për tre muajt e fundit. Janë ndihmuar vetëm bizneset e fuqishme që nuk janë dëmtuar nga kriza” – tha znj. Mici.

Disa biznese fasoni pohuan se kushtet për garancinë sovrane ishin më të vështira se për huanë normale që ofrojnë bankat. Kushtet u vështirësuan – tha Gjergji Gjika, nga Dhoma e Fasonëve, pasi përveç kritereve të bankave, qeveria shtoi edhe shumë të tjera, gjë që e bëri të vështirë klasifikimin e bizneseve të cilat kishin nevojë për mbështetje. I tillë ishte kushti për konfiskimin e aksioneve nga shteti në rastin e mosshlyrjes së huasë në kohë.

Fasoneria dhe turizmi, sektorët më të interesuar për garancinë, por pak e marrin

Sektori i turizmit, i cili ndikon në mënyrë të tërthortë 25% të PBB-së së vendit ishte përfshirë në zhvillime të hovshme para pandemisë. Rritja e numrit të turistëve, blerjet në avancë të kapaciteteve akomoduese dhe investimet në hotele luksoze e kishin vënë sektorin në shinat e rritjes, por pandemia ka e ndryshuar për pak ditë kryekëput situatën. Tani, në kulmin e sezonit, hotelet po punojnë shumë poshtë kapaciteteve.

LEXO EDHE  VIDEO/ U dëmtuan nga tërmeti, IKMT nis shembjen e 12 pallateve në Tiranë

Rafaelo Resort, një nga më të mëdhenjtë në vend për nga kapaciteti i akomodimit, po shfrytëzon në këto ditë të kulmit të sezonit vetëm 15% të kapacitetit. Për këtë arsye, pushimet nga puna të punonjësve kanë qenë të pashmangshme.

“Nga sektori i turizmit nuk ka asnjë aplikim, pasi 60% e principalit mbulohet nga shteti dhe 40% nga bankat. Edhe interesi 5% është shumë i lartë. Të gjitha subjektet që kanë marrë kredi apo janë në proces ristrukturimi, e kanë më të leverdishme të hyjnë vetë në negociata me bankat, sesa të aplikojnë nëpërmjet garancisë sovrane” – tha Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar. Në sektorin tonë ka subjekte që kanë marrë kredi me interes 3,5%, apo maksimumi deri në 3,75%, ndaj nuk ka asnjë leverdi t’i drejtohesh fondit të garancisë, shtoi ai.

Një shqetësim të ngjashëm ndau edhe kryetari i Shoqatës Hoteliere, Zak Topuzi, i cili tha se fondi i dytë i garancisë sovrane u qartësua me vonesë, por më pas aplikimet munguan nga kushtet e vështira.

Turizmi nuk përfiton

“Nga sektori i turizmit nuk ka asnjë aplikim, pasi 60% e principalit mbulohet nga shteti dhe 40% nga bankat. Edhe interesi 5% është shumë i lartë. Të gjitha subjektet që kanë marrë kredi apo janë në proces ristrukturimi, e kanë më të leverdishme të hyjnë vetë në negociata me bankat, sesa të aplikojnë nëpërmjet garancisë sovrane” – tha Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

Bankat: Kërkesa për garancinë nga të gjithë sektorët

Bankat tregtare në vend pohuan se bizneset po përfitojnë nga fondet e garancisë sovrane, që vuri në dispozicion qeveria, sipas udhëzimeve dhe kushteve të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave. Burimet zyrtare nga Banka Kombëtare Tregtare pohuan se, fondi i garancisë u trajtua me përparësi nga departamentet përkatëse. BKT sqaron se, kërkesa kanë ardhur nga të gjithë segmentet e biznesit, Mikro, SME dhe Korporata. Aplikimet kanë ardhur më së shumti nga bizneset e mbyllura, si pasojë e masave të marra nga vendimet e qeverisë.

Glenda Kurti, drejtore e Divizionit të Korporatave, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Tirana Bank, tha se kërkesat për kredinë sovrane kanë qenë nga klientë të cilët operojnë kryesisht në fushën e tregtisë, shërbimeve dhe prodhimit, duke përfshirë këtu fasoneri, turizëm, shitjet me pakicë, etj. Kryesisht janë biznese të vogla dhe të mesme, por shihet se ka interes edhe nga bizneset e mëdha, aktiviteti i të cilave është ndikuar ndjeshëm në javët e fundit.

Anila Hazizaj, drejtore e Departamentit të Riskut në Credins Bank, tha se, nga kërkesat, peshën më të lartë në numër e zënë bizneset e mesme, kurse në vlerë, biznesi i madh (korporatat). Ndër sektorët që kanë aplikuar janë tregtia, fasoneritë dhe tregtimi i hidrokarbureve. Ajo u shpreh se, përveç kësaj mase, që prej muajit mars, për të gjithë portofolin e kredisë, janë zeruar penalitetet për pagesat e kësteve në vonesë.

Bankat miratojnë 86 mln euro nga paketat e garancisë për 702 biznese

Deri në gjysmën e korrikut, bankat kanë miratuar rreth 10.7 miliardë lekë, ose 86 milionë euro, nga dy paketat e fondeve sovrane prej 209 milionë eurosh që qeveria vuri në dispozicion. Anketa të ndryshme kanë treguar se rreth 70% e bizneseve në vend u prekën nga kriza, por vetëm rreth një mijë biznese iu drejtuan paketave qeveritare të ndihmës. Nga këto kanë përfituar 702 prej tyre. Por pjesa më e madhe e përfituesve i takojnë paketës së parë. Bizneset thonë se paketa e dytë ishte më shumë propagandë se sa një ndihmë reale për të frenuar humbjet që krijoi pandemia.

“Ne kemi marrë në konsideratë në financimet tona edhe kompani që gjatë pandemisë kanë pasur rënie të aktivitetit me 70-80%, por gjithmonë ka një racionalitet pas. Është analizuar situata e mëparshme financiare dhe fakti që ndikimi i pandemisë do të ishte i përkohshëm”, thanë burimet zyrtare të OTP Bank.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në paketën e parë përfituesit më të mëdhenj ishin ndërmarrjet e prodhimit dhe tregtisë, të cilat aplikuan trefish në numër më shumë se bizneset e sektorëve të tjerë. “Aktualisht kemi të miratuar 15% të fondit të garancisë së parashikuar për bankën tonë, vlerë e cila padyshim do të rritet në ditët në vijim pas shqyrtimit të të gjithë aplikimeve. Vlera e kredive të dhëna nga banka jonë me këtë fond përbën 10% të totalit të disbursimeve aktuale të sistemit bankar” – tha drejtori i riskut në Union Bank.

Kriteret e huasë që përjashtuan bizneset e dëmtuara

Bizneset nga sektorët më të dëmtuar prej krizës, si turizmi dhe prodhimi e fajësuan qeverinë për kriteret e forta që kishte vënë kundrejt përfitimit të fondeve të garancisë, sidomos në paketën e dytë. Sipas vendimit të qeverisë, kredia e garantuar nga shteti u dha kundrejt një afati kthimi për pesë vite, por duke mos tejkaluar në asnjë rast afatin prej 5 (pesë) vitesh. Huaja mund të jepet edhe në formën e kredisë, overdraft-it, ose linjës së kredisë, e vlerësuar kjo në përputhje me nivelin e riskut të kredisë dhe preferencat e huamarrësit.

Pavarësisht produktit me të cilin do të ofrohet huaja, periudha pa pagesë principali nuk do të jetë më pak se 6 muaj, me përjashtim të rasteve kur huamarrësi zgjedh një periudhë më të shkurtër. Në rastet e parapagimit të huasë, huadhënësi nuk duhet të aplikojë komision, penalitet apo çfarëdo lloj mase tjetër që lidhet me parapagimin e huasë.

Monedha e huasë u përcaktua Leku dhe huadhënësi duhet të ofrojë huanë me një normë interesi vjetore preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre bonove të thesarit 12-mujore më të fundit të emetuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë (referenca/indeksi), plus një marzh deri në 3.0% në varësi të afatit të huasë dhe produktit me të cilin do të ofrohet huaja.

Sipas kushteve, norma vjetore e interesit do të jetë e ndryshueshme mbi bazë vjetore, në varësi të referencës/indeksit, por duke parashikuar shprehimisht që në asnjë rast norma vjetore e interesit të mos tejkalojë vlerën prej 5.0%.

Huadhënësi, bazuar në vlerësimet e riskut të kreditit për secilin huamarrës, gëzon të drejtën që të kërkojë ose jo kolateral shtesë nga huamarrësi, por në asnjë rast masa e alokuar e kolateralit, duke përfshirë edhe vlerën e garantuar të huasë, sipas kësaj Marrëveshjeje, nuk duhet të tejkalojë mbulimin e përllogaritur sipas legjislacionit dhe rregullave të brendshme të huadhënësit.

Ky kusht u aplikua në shumë raste nga bankat ndaj bizneseve nevojtare, duke u kërkuar atyre garanci shtesë. Ndërsa në vijim të procesit, huadhënësi do të njoftojë me shkrim Ministrinë e Financave për çdo ndryshim, rinovim apo ristrukturim të marrëveshjes së huasë. /Marre me shkurtime nga Monitor/