Petrit Çomo përballet me probleme për pasurinë dhe një raport negativ të DSIK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit identifikoi mospërputhje e pasaktësi në deklarimet e gjyqtarit Petrit Çomo për pasurinë. Gjithashtu u konstatua pamundësi financiare për investimet dhe shpenzimet e kryera. Çomo u quajti të pasaktë analizën financiare të Komisonit dhe të padrejtë një raport të DSIK për papërshtatshmëri.

Zv/kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Petrit Çomo u përball të mërkurën më 5 gusht me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur u evidentuan gjetjet e hetimit administrativ për të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Olsi Komici relator dhe Xhensila Pine anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessing.

Petrit Çomo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar për gati dy dekada si gjyqtar dhe zv.kryetar i Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2015, ai u zgjodh anëtar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë – detyrë që e mbajti deri në shkrirjen e këtij institucioni.

Në fillim të seancës dëgjimore gjyqtari Petrit Çomo depozitoi dokumente të reja për të provuar deklarimet e tij, të cilët u pranuan nga Komisioni.

Problemet për pasurinë

Relatori i çështjes, Olsi Komici tha në fillim të seancës dëgjimore se hetimi administrativ për gjyqtarin Petrit Çomo ishte përfunduar në të tri kriteret e rivlerësimit. Gjatë seancës dëgjimore u identifikuan pasaktësi në deklarimet e pasurisë, mospërputhje, u ngritën dyshime për fiktivitet të kontratës së sipërmarrjes për një apartament dhe një balancë negative në vlerën totale 7 milionë lekë.

Sipas Komisionit, Çomo kishte deklaruar në vitin 2017 se kishte përfituar me kontratë dhurimi të vitit 2012 një apartament me sipërfaqe 122.5 m2 në Tiranë, ndërsa në vitin 2003 nga trashëgimia. Si vlerë të apartamentit ka shënuar shumën 7 milionë lekë.

Komici tha se subjekti i rivlerësimit nuk kishte deklaruar burimin e krijimit të kësaj pasurie dhe as një kontratë porosie të vitit 1999. “Ka mospërputhje mes deklarimeve dhe dokumentacionit të administruar për këtë pasuri”, pohoi relatori Komici. Ai shtoi se Çomos i kishte kaluar barra e provës për mosdeklarimin e burimit të krijimit për këtë apartament.

Sipas Komicit, subjekti ka shpjeguar se kjo pasuri ishte përfituar nga një marrëveshje me firmën ndërtuese dhe pronarët e truallit, pa shpërblim për shkak të dakordësisë për të liruar banesën që kishin marrë me qira nga shteti në vitin 1992, që gjendej në një objekt dykatësh.

Edhe gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Çomo tha se babai kishte dakordësuar me pronarët e truallit dhe shoqërinë ndërtuese, që në këmbim të largimit të tyre nga shtëpia që kishin me qira, të përfitonin një apartament pa shpërblim. Ai shpjegoi se kontrata e porosisë në vlerën 7 milionë lekë, e nënshkruar pas marrëveshjes për të përfituar një apartament pa shpërblim, ishte lidhur për të pasur një garanci për dakordësinë.

Çomo këmbënguli se apartamenti ishte përfituar pa pagesë, edhe pas pyetjes së vëshgueses ndërkombëtare, Mia Roessing që ngriti dyshime për fiktivitet të kontratës së porosisë të nënshkruar në vitin 1999.

“Nuk ishte kontratë shitblerje, por kontratë sipërmarrje. Ne ishim qiramarrës të caktuar nga shteti në ndërtesën ku gjendej trualli. Fakti që liruam banesën dhe e vendosëm në dispozicion të shoqërisë ndërtuese, konsideruam se ishte i barazvlefshëm me prenotimin e banesës. Nuk ishte kontratë false, por për të ligjëruar një veprim që ka ndodhur para vitit 2000, kur kam nisur punë si gjyqtar. Ka qenë një kontratë këmbimi dhe jo false. Nuk e konsideroj kontratë fiktive”, tha Çomo.

Komici vijoi se nga një dokument i dorëzuar nga vetë subjekti në Inspektoriatin e Lartë të deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI është mësuar se kompania i ka dërguar një shkresë në vitin 2008, me anë të së cilës i kërkonte pagesën e fundit për apartamentin në vlerën 6650 euro.

Çomo shpjegoi se kjo shumë përfaqësonte vlerën e shtesës së apartamentit që fillimisht ishte përcaktuar me sipërfaqe 107 m2, por që ishte përfunduar me 122 m2. Ai tha se kjo pagesë nuk është kryer pasi është rëndë dakort që sipërfaqja shtesë do të këmbehej që qiranë që familja e tij kishte paguar gjatë periudhës që ishin në pritje të ndërtimit të apartamentit.

Për një autoveturë tip Benz të blerë në vitin 2013, në shumën 14 mijë e 500 euro + 420 mijë lekë dogana dhe 1000 euro transporti nga Gjermania, Komisioni konstaton se Çomo nuk ka patur mundësi financiare me burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie të luajtshme.

Si burim për blerjen e kësaj autoveture Çomo ka deklaruar një depozitë 10 mijë euro, kursime dhe 4000 euro nga shitja e një makine. Komisioni konstaton se depozita është krijuar nga derdhja e dy vlerave nga 5000 euro në vitet 2008 dhe 2009, por se vlera është tërhequr në janar të 2014-ës, disa muaj pas blerjes së Benz-it.

Çomo shpjegoi gjatë seancës dëgjimore, se automjeti ishte blerë në Gjermani nga nipi i një mikut të tij dhe se kishin rënë dakord që vlerën 10 mijë euro ta shlyenin në janar të vitit 2014, kur maturohej depozita. Ai këmbënguli se depozita e tërhequr në janar të 2014-ës kishte shërbyer për blerjen e makinës në vitin 2013.

KPK ka gjetur probleme edhe në deklarimet për blerjen dhe shitjen e mjetit tjetër. Komici tha se subjekti e ka blerë autoveturën tjetër në vitin 2005 kundrejt shumës totale 9025 euro. Sipas Komisionit Çomo e ka deklaruar çmimin e blerjes së këtij mjeti në shumën 7800 euro.

“Subjekti ka shpjeguar se ka deklaruar vlerën faktike të kësaj pasurie duke pretenduar se shitësi i ka ulur TVSH-në. Por, çmimi i mjetit pa pjesën e doganës, rezulton të ketë qenë pa TVSH. Gjithashtu, nuk ka deklaruar burimin e krijimit”, pohoi Komici. Ai tha se në vitin 2005, Çomo rezulton me një balancë negative në vlerën 1 milion e 46 mijë lekë për blerjen e autoveturës.

Komisioni nuk i ka përfshirë në analizën financiare të blerjes së autoveturës tip Benz në vitin 2013 shumën 10 mijë euro të depozitës dhe vlerën 4000 euro të përfituar nga shitja e makinës së mëparshme, duke argumentuar se automjeti në fjalë është blerë më parë.

Në përfundim, për vitin 2013, Komisioni konstaton balancë negative në vlerën 555 mijë lekë për blerjen e autoveturës tip Benz dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera.

KPK nuk ka gjetur probleme për disa depozita të trashëguara prej babait që i ka përfituar nga dëmshpërblimi si i persekutuar dhe nga të ardhurat e nënës së tij që ka trashëguar prona prej familjes së saj.

Komici tha se Çomo kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme për të ardhurat e përfituara nga babai i tij prej shitjeve e aksioneve të shoqërisë Buka sh.a., në shumën 1.2 milionë lekë. Sipas Komisionit Çomo ka sqaruar se babai i tij ka përfituar letra me vlerë në shumën 3.2 milionë lekë dhe se i ka investuar nëpërmjet nipit të tij duke blerë aksione të shoqërisë Buka sh.a.

Në seancë, fillimisht u evidentua se Çomo nuk kishte provuar me dokumentacion përfitimin e letrave me vlerë nga babai dhe se transferimi i tyre tek nipi ishte i paqartë. Komici shtoi se subjekti kishte shpjeguar bindshëm diferencën mes shifrës së letrave me vlerë 3.2 milionë lekë dhe asaj të përfituar nga shitja e aksioneve në shumën 1.2 milionë lekë.

LEXO EDHE  Hapja e shkollave/ Mjekja pediatre: 8 fëmijë të shtruar me Covid, ende s’është reflektuar në shifra

Sipas Komicit, Çomo nuk kishte depozituar dokumentacion të mjaftueshëm për transaksionet e kryera nga nëna e tij e ndjerë, Liri Belishova. Nga hetimi administrativ janë evidentuar disa depozita në emër të nënës së gjyqtarit Çomo, që ka rezultuar të jenë krijuar nga shitja e pronave, kryesisht truajve të përfituar si trashëgimtare. Gjithashtu, rezulton që ajo të ketë shitur edhe një apartament të përfituar nga Enti i Banesave si invalide lufte në vlerën 3.6 milionë lekë.

Gjatë seancës u pyet nga anëtarja Xhensila Pine, nëse përfitimi i këtij apartamenti prej Entit të Banesave kishte qenë ligjor, pasi ata zotëronin edhe apartamentin tjetër të porositur në vitin 1999. Çomo shpjegoi se apartamenti tjetër ishte marrë në vitin 2003, kohë pasi nëna kishte përfituar shtëpinë nga Enti i Banesave në cilësinë e invalidit të luftës. Ai shtoi se veprimet ishin kryer prej nënës së tij.

Çomo vijoi shpjegimet e tij para Komisionit duke sqaruar se nëna e tij vinte nga një familje e pasur dhe kishte trashëguar prona së bashku me vëllezërit e saj. Ai pohoi se veprimet për shitjen e pronave i kryente një prej vëllezërve të nënës dhe se ajo merrte pjesën e saj.

“Të gjitha veprimet i bënte vetë”, tha Çomo.

Sipas Komicit, Çomo ka shpjeguar se të ardhurat e përfituara nga nëna nga pronat nuk mund të përllogariteshin, pasi ka qenë e anagzhuar ajo vetë së bashku me dajën, i cili edhe ky nuk jeton më.

Komisioni identifikoi edhe një rast kur Çomo i kishte dhuruar një truall me sipërfaqe 225 m2 në Selitë të Tiranës një të panjohuri në vitin 1996, që e kishte përfituar në vitin 1992 në vlerën 15 mijë lekë.

Çomo sqaroi se kur e kishte blerë truallin kishte pasur si qëllim të ndërtonte një banesë, por për shkak të pamundësisë financiare nuk kishte kryer asnjë investim. Në vitin 1996 ai kishte konstatuar se dikush tjetër kishte ndërtuar një objekt në truallin e tij, i cili i kishte shpjeguar se e kishte blerë nga një person që e kishte mashtruar me dokumente që kishin rezultuar të falsifikuara.

Çomo tha se për shkak të vlerës së papërfillshme që e kishte blerë dhe kushteve kur personi që kishte ndërtuar i ishte lutur t’ia falte truallin, kishte vendosur t’ia dhuronte. “Nuk e kam njohur dhe as tani nuk e di se çfarë bënë ai person”, pohoi Çomo.

Komici tha se nga verifikimet e kryera gjatë hetimit administrativ nuk ishte verifikuar ndonjë rast i mundshëm konflikti interesi në transaksionet e kryera nga gjyqtari Çomo.

Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 KPK ka konstatuar një balancë negative në vlerën 7 milionë lekë.

Çomo tha se analiza financiare e kryer nga Komisioni nuk ishte e saktë dhe se nuk kishte mungesa të burimeve financiare. Ai shpjegoi se nëna e tij ka qenë e detyruar të deklarojë deri në vitin 2005 dhe pastaj në vitin 2017 – dhe se për këtë arsye nuk ishte deklaruar transaksionet e kryera prej saj gjatë periudhës 2006-2016.

“Në vitin 2017 ishte më shumë se 90 vjeçe dhe e sëmurë. Ishte e pamundur që të gjendeshin të gjithë dokumentet”, tha Çomo.

Ai këmbënguli se në vitin 2003, analiza financiare nuk ishte kryer e saktë pasi janë përllogaritur vetëm të ardhurat e përfituara në atë vit dhe jo të mëparshmet.

“Nëna e ka shitur shtëpinë 3.6 milionë. Gjithashtu kam depozituar prova të reja se nëna ka patur më shumë të ardhura”, tha Çomo duke treguar se prindërit kishin nisur të punonin që prej vitit 1944, ndërsa ai vetë në vitin 1974. Sipas tij, babai kishe marrë dëmshpërblime si ish-ipersekutuar ndërsa nëna kishte përfituar të ardhura nga pronat e trashëguara dhe si invalide lufte.

DSIK me raport negativ për figurën

Në seancë u relatua se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar papërshtatshmërinë e gjyqtarit Petrit Çomo.

“Sipas DSIK, ka informacione se subjekti i rivlerësimit mund të ketë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe se mund të ketë ndikuar apo favorizuar për individë të caktuar”, ju referua Komici relacionit të DSIK.

Komisioni ka verifikuar nëse personi të cilin DSIK e konsideron të përfshirë në krimin e organizuar, ka qenë i proceduar apo i dënuar më parë. Nga verifikimi i kryer në gjithë prokuroritë dhe gjykatat e vendit ka rezultuar se në vitin 2017 është regjistruar një procedim në Prokurorinë e Fierit për pengim të ekzekutimit të urdhrit përmbarimor.

Çomo e nisi fjalën e tij me faktin se ishte nga të paktët gjyqtarë që ishte dekoruar me Medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës. Ai e quajti raportin e DSIK si subjektiv dhe të pabazuar në prova. Çomo sqaroi se, personin për të cilin thuhet se ka kontakte të papërshtatshme e njeh pasi është me origjinë nga zona e nënës së tij dhe se bashkë i lidh edhe pasioni për futbollin.

“Nuk kam pasur probleme në 20 vjet punë. Kam pasur marrëdhënie me gjithë institucionet dhe nuk kam dëgjuar ndonjëherë të kem pasur ndonjë problem. Konkluzioni i DSIK është jo i drejtë dhe jashtë kompetencave ligjorë. Kam gjykuar dhe dënuar subjekte të krimit të organizuar dhe nuk jam ndikuar asnjëherë”, tha Çomo dhe theksoi se asnjëherë nuk kishte pasur kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Gjyqtari Çomo i cilësoi konkluzionet e DSIK të ngjashme me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit para viteve ‘90, kur sipas tij, në një rast në vitin 1978, kërkonin ta internonin në Cërrik ku gjendej e internuar edhe e ëma, pasi shpreheshin në raport se “konsiderohej jo me qëndrim të mirë pasi shkonte tek të afërmit që ishin në ruajtje gjatë gjithë kohës”.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për kriterin e profesionalizmit. Nga 8 prej denoncimeve të kryera nga publiku është konsideruar e arsyeshme të verifikohen vetëm dy prej tyre.

Për një prej kallëzimeve në të cilin pretendohej se kishte mbajtur qëndrime të ndryshme për rrezikshmërinë e të pandehurve për të njëjtën akuzë, Çomo shpjegoi se njëri e kishte pranuar kryerjen e veprës penale, kishte shfaqur pendim dhe për këtë arsye ishte konsideruar rrezikshmëri e vogël. Ai shtoi se veç këtij fakti, kishte rezultuar se i pandehuri ishte i vetmi që punonte në familje, ndërsa i pandehuri tjetër nuk e kishte pranuar akuzën dhe ishte konsideruar me rrezikshmëri të zakonshme.

Çomo u ndal edhe në kallëzimin tjetër, ku denoncuesja pretendon se gjykata nuk ishte shprehur lidhur me kërkesën e saj për shqyrtimin e faktit se oficeri i policisë gjyqësore nuk kishte kryer veprimet e duhura hetimore. Ai shpjegoi se çështja që kishte shqyrtuar kishte të bënte me korrupsion të dyshuar dhe shtoi se pretendimi i denoncueses për gjykohej në një çështje tjetër. /BIRN/