Kolegji i Posaçëm i Apelimit shprehet se Kadana ka cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë me ndërhyrjen e tij për punësimin e bashkëshortes, si dhe komunikimet me vëllain dhe nipin e akuzuar për pjesëmarrje në krim të organizuar.
Në vendimin e marrë në dhomë këshillimi, KPA i jep të drejtë ish-kryetarit të Gjykatës së Pukës, Izet Kadana lidhur me disa nga pretendimet e tij të paraqitura në ankimin ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, I cili vendosi ta shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit më datë 20 dhjetor 2018, për probleme në të tri kriteret e vetingut.
Sipas KPK-së, mesazhet që Kadana i dërgoi një gruaje e cila konkurroi kundër bashkëshortes së tij për një pozicion si kryesekretare pranë Prokurorisë së Pukës u konsideruan nga KPK si shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe përfitim i padrejtë favori duke përdorur pozicionin.
Gjithashtu, Komisioni konstatoi se Kadana kishte kryer deklarime të pasakta lidhur me burimin e të ardhurave për dhënien e dy huave; mungesë e burimeve të ligjshme për të justifikuar likuiditetin në shumën prej 1.1 milionë lekë; se ndodhej në situatën e konfliktit të interesit; si dhe u gjet papërshtatshmëri në kriterin e figurës.
KPK theksoi këto veprime kanë ndikuar drejtpërdrejtë në cënimin e besimit të publikut te subjekti i rivlerësimit, si pjesë e sistemit të drejtësisë.
Izet Kadana e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe prej më shumë se 15 vitesh punon si gjyqtar në Gjykatën e Pukës. Në një mbledhje të KLD-së në vitin 2016, Kadana u emërua kryetar i kësaj gjykate.
Pavarësisht qëndrimeve ndryshe për disa prej konstatimeve të Komisionit, trupi gjykues i KPA-së i përbërë nga gjyqtarja Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore dhe Luan Daci, Sokol Çomo e Ardian Hajdari anëtarë, arriti në përfundimin se Kadana ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe se asnjë program trajnues apo proces rehabilitimi nuk do ta rikthente këtë besim.
Dy prej anëtarëve të Kolegjit – kryesuesja Ina Rama dhe gjyqtari Sokol Çomo, kanë shkruar mendim paralel lidhur me kriterin e pasurisë, duke pranuar pretendimin e Kadanës për një kredi që sipas tij “ishte marrë dhe shlyer nga vjehrri.”
Ankimi i Kadanës
Kadana ka renditur në ankim shkaqe proceduriale si dhe ato që lidhen me themelin e gjykimit për secilin kriter të rivlerësimit.
Ai pretendon se Komisioni ka vendosur që në fillim shkarkimin e tij nga detyra duke kryer një proces hetimi dhe gjykimi administrativ formal, të pabazuar në provat dhe shpjegimet e paraqitur; se ka lejuar shkelje procedurale, pasi vëzhguesi ndërkombëtar ka komentuar veprimet e subjektit të rivlerësimit; se Komisioni ka qenë i njëanshëm dhe është ndikuar nga faktorë jashtë procesit dhe ka zhvilluar një proces jo të rregullt ligjor, duke filluar me paragjykim dhe përfunduar me vendim të paracaktuar.
Lidhur me kriterin e pasurisë, Kadana pretendon se nuk qëndron konstatimi i KPK për kryerje të deklarimeve të pasakta lidhur me burimin e të ardhurave për dhënien e dy huave dhe se përfundimi për pamundësi për krijimin e likuiditetit në vlerën 1.18 milionë lekë për periudhën 2003 – 2016 është i gabuar.
Ai e kundërshton konstatimin e Komisionit për gjendjen e konfliktit të interesit në rastin e gjykimit dhe pushimit të një çështje me palë ndërgjyqëse z. A.P. – të cilit i ka dhënë hua dy vite më vonë.
Kadana kundërshton vlerësimin e Komisionit, sipas të cilit, takimet me vëllain R.K. përbëjnë kontakt të papërshtatshëm dhe se ai mund të vihet nën presion nga strukturat kriminale, duke shpjeguar se takimet me vëllain janë kryer vetëm në raste fatkeqësie dhe raste përkujtimore.
Gjithashtu ai këmbëngul se për këto çështje ka dhënë gjithë shpjegimet e nevojshme dhe se nuk mund të cilësohet i papërshtatshëm lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës.
Kadana kërkon ndryshimin e vendimit të KPK-së për profesionalizmin duke pretenduar se është vlerësuar pozitivisht nga KLD.
Ai mbrohet se vendimet e hetuara nga Komisioni që ka rezultuar të jenë lënë në fuqi nga Apeli apo Gjykata e Lartë.
Ai ka pretenduar se ndikimi i tij për punësimin e bashkëshortes është një hamendësim i Komisionit pasi nuk ka asnjë njohje, lidhje apo komunikim me personat që kanë vendosur emërimin.
“Sa i përket komunikimit me znj. F.L., subjekti i rivlerësimit parashtron se ka pranuar që ka qenë një gabim i tij e që nuk lidhet me detyrën”, thuhet në vendimin e KPA.
Konkluzionet e KPA për pasurinë
Kolegji i ka rrëzuar të gjitha shkaqet e ankimit të ngritura nga subjekti lidhur me zbatimin e gabuar të ligjit, ndërkohë që i jep të drejtë për disa prej pretendimeve që kanë të bëjnë me kriteret e rivlerësimit.
Ndryshe nga Komisioni, Kolegji vlerëson se Kadana nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për të krijuar kursimet e deklaruara deri më 31 dhjetor 2013, prej 7.47 milionë lekësh, por se ai ka pasur mundësi financiare që deri më datë 3 prill 2014 ta plotësojë shumën 7 milionë lekë që ka dhënë hua.
Ndërkohë, për huanë 1.4 milionë lekë që i ka dhënë shtetasit A.P. në shkurt të vitit 2015, Kolegji vlerëson se Kadana nuk ka pasur mundësi financiare pasi ka rezultuar me një balancë negative në vlerën 390 mijë lekë.
“Për rrjedhojë, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se qëndron konstatimi i Komisionit se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm lidhur me kursimet familjare si burim krijimi i shumës së dhënë hua z. A.P.,” citohet në vendim.
Shumica e trupit gjykues të Kolegjit e ka rrëzuar pretendimin e Kadanës se një kredi në vlerën 700 mijë lekë e marrë në vitin 2007 nga bashkëshortja e tij, ishte për llogari të të atit të saj, të ndjerit H.M. .
Sipas KPA-së, nga aktet e administruara në Komision, nuk ekziston asnjë dokument shkresor, bankar apo i çfarëdo lloji tjetër, që të provojë pretendimin e subjektit se ndryshe nga sa provojnë dokumentet, se shuma kredisë i ka shërbyer vjehrrit të tij.
Kolegji vlerëson se edhe nëse KPK do të administronte deklarimet e dëshmitarëve të kërkuar nga Kadana, dëshmia e tyre nuk do të kishte ndonjë vlerë të shtuar në hetimin administrative të kryer.
Kolegji pranon pjesërisht pretendimet e Kadanës lidhur me mundësinë e familjes së tij për krijimin e likuiditeteve në shumën 1.18 milionë lekë për periudhën 2003-2016, duke kërkuar që përllogaritja e të ardhurave të ligjshme të kryhej që prej vitit 1993.
Nga kryerja e analizës financiare në Kolegj ka rezultuar një balancë negative në vlerën 602 mijë lekë për krijimin e likuiditeteve gjatë periudhës 2003-2016.
Kolegji vlerëson ndryshe nga Komisioni edhe lidhur me situatën e konfliktit të interesit për marrëdhënien e huasë me A.P. në vitin 2015, i cili kishte qenë palë ndërgjygjëse në një çështje të shqyrtuar nga Kadana në 2013-ën.
Sipas Kolegjit, në kushtet kur Kadana nuk rezulton të ketë pasur interes pasuror ndaj A.P, marrëdhënia e huasë pas shqyrtimit dhe gjykimit të çështjes ku huamarrësi ishte palë ndërgjygjëse, duhej të trajtohej në kontekstin e integritetit, si pjesë e vlerësimit të aftësive profesionale.
“Në atë kontekst, mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga gjykimi i çështjes kur gjyqtari është ose vihet në dijeni të rrethanave të cilat e bëjnë të detyrueshme dorëheqjen, përbën shkak për nisjen e procedimit disiplinor ndaj tij, sipas procedurave të parashikuara nga ligji,” shprehet Kolegji.
“Për rrjedhojë, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se nuk gjejnë zbatim kushtet e konfliktit të interesit për sa i përket marrëdhënies së huadhënies mes subjektit të rivlerësimit dhe z. A.P”, shton KPA
Për kriterin e pasurisë, Kolegji konkludon se Kadana ka pjesërisht mungesë të burimeve të ligjshme financiare për krijimin e shumës 1.4 milionë lekë të dhënë hua në vitin 2015, me një diferencë financiare të pajustifikuar në vlerën 390.482 lekë, si dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar shpenzimet dhe pasuritë për periudhën 2003 – 2016, në shumën prej 602.813 lekësh.
Vlerësim ndryshe për figurën
Kadana pretendon se Komisioni ka gabuar duke e konsideruar kontakt të papërshtatshëm marrëdhënien me vëllain e tij R.K. i akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale. Ai këmbëngul se kontaktet me të vëllain dhe nipërit e tij janë kryer vetëm për arsye të lidhjes familjare dhe se ata nuk mund të ndikojnë dhe të ushtrojnë presion mbi veprimtarinë e tij profesionale.
Kolegji konstaton se Kadana ka pasqyruar në deklaratën për kontrollin e figurës të dhëna për nipin Sh.K., të akuzuar në Itali për trafikim të lëndëve narkotike, i cili së bashku të atin, R.K. janë akuzuar edhe për pastrim parash.
Kolegji evidenton faktin se vëllai dhe nipi nuk janë shpallur të pafajshëm dhe se Kadana ka dhënë informacion të plotë mbi akuzat e tyre.
Trupi gjykues vlerëson se marrëdhënia e afërt e gjakut që gjyqtari ka me personin e përshirë në krimin e organizuar, është një rrethanë që nuk varet prej tij apo zgjedhjeve të tij.
“…Nga hetimi administrativ nuk rezulton ndonjë e dhënë që tregon për komunikime të shpeshta apo të afërta mes subjektit dhe vëllait të tij, për më tepër komunikime që interferojnë apo lidhen me detyrën e subjektit. …Kjo marrëdhënie nuk është e tillë që të konsiderohet se krijon një kontakt të papërshtatshëm…”, konkludon Kolegji.
Edhe pse nuk konkludon në papërshtatshmëri, Kolegji vlerëson se kjo situatë mund të afektojë drejtpërdrejtë në cënimin e besimit të publikut te Kadana në cilësinë e gjyqtarit.
Trupi gjykues i Kolegjit vëren se analiza dhe vlerësimi i kryer nga Komisioni për pastërtinë e figurës nuk është në përputhje me kriteret e parashikuara në Aneksin e Kushtetutës si edhe nuk mbështetet në fakte e rrethana që justifikojnë konstatimin e papërshtatshmërisë së Kadanës për marrëdhënien e tij me të vëllain.
Ndërhyrja për punësimin e bashkëshortes
Trupi gjykues i Kolegjit vëren se kur Kadana gëzonte funksionin e magjistratit, i ka dërguar 19 mesazhe telefonike një bashkëqytetareje, konkurrente ndaj bashkëshortes së tij për një vend pune. Në vendim thuhet se znj.L. ishte në dijeni të funksionit që kryente Kadana, i cili i ka dërguar asaj mesazhe të shumta në më pak se 24 orë, me një përmbajtje që kishte për qëllim të siguronte marrësen për faktin që ai, “një person me influence”, ishte i pezmatuar nga konkurrimi i saj për vendin e punës.
“Subjekti i kujton marrëses se do i jepej mundësia të konstatonte pushtetin e dërguesit – subjektit të rivlerësimit”, citohet në vendim dhe shtohet se sjellja e Kadanës bie ndesh me atë të magjistratit, pavarësisht justifikimit të tij se lidhej me marrëdhëniet shoqërore ndërmjet tyre.
Kolegji sjell në vëmendje se gjyqtarët kanë përgjegjësinë që edhe në jetën jashtëgjyqësore të jenë të vëmendshëm për të mos cënuar autoritetin e pushtetit gjyqësor.
Në përfundim, trupi gjykues i Kolegjit çmon se, gjatë komunikimit me znj. F.L., Kadana ka reflektuar sjellje të cilat nuk përputhen me etikën dhe sjelljen jashtëgjyqësore që një gjyqtar pritet të ketë dhe krijon kushtet e cënimit të besimit të publikut te drejtësia.
Nga analizimi i rrethanave, Kolegji konsideron se Kadana nuk është bindës në pretendimet e tij se nuk ka pasur asnjë njohje, lidhje apo komunikim me asnjë nga personat që e kanë emëruar bashkëshorten e tij. “…Ai vetë pranon lidhje dhe komunikim me prokurorin e rrethit”, thuhet në vendim.
KPA konkludon se nuk është bindës zbatimi i prezumimit në favor të masës disiplinore, pasi Kadana ka treguar sjellje të papërshtatshme. “…Trupi gjykues i Kolegjit, në ndryshim nga Komisioni, arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e zbatimit të masës disiplinore të shkarkimit nga detyra sipas nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016, pasi në komunikimin e nisur në datën 06.03.2015 me znj. L, konkurrente e bashkëshortes së tij për një vend pune, duke u shprehur me tone kërcënuese dhe shantazhuese se do të ndikonte nëpërmjet pozitës së tij në punësimin e bashkëshortes, ka reflektuar qëndrim që krijon kushtet e cënimit të besimit të publikut te drejtësia”, citohet në vendim.
Kolegji i quan të pabazuara edhe pretendimet e Kadanës se është vlerësuar pozitivisht nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD. Trupi gjykues vëren se mangësitë e shkeljeve të afateve të gjetura nga KPK janë evidentuar edhe prej ish-KLD-së.
Në përfundim, KPA konkludon se Kadana nuk ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe me sjelljet dhe veprimet e tij ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, duke e lënë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e tij.
Mendimi paralel
Kryesuesja e trupit gjykues Ina Rama dhe anëtari i trupit gjykues Sokol Çomo, kanë dalë me mendim paralel për kriterin e pasurisë.
Ata shprehen se kanë votuar pro qëndrimit të mbajtur në vendimin e trupit gjykues për sa i përket pjesës më të madhe të argumenteve të arsyetuara që legjitimojnë lënien në fuqi shkarkimit të Kadanës, por shtojnë se kanë votuar kundër qëndrimit të mbajtur në vendim se “subjekti gjendet edhe në kushtet e një deklarimi të pamjaftueshëm për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar pasuritë dhe shpenzimet e tij…”.
“Ky qëndrim, ndonëse nuk afekton vendimmarrjen e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lidhet me një arsyetim të ndryshëm rreth vlerësimit të vlerës së të ardhurave të rezultuara me mungesë burimi të ligjshëm për subjektin e rivlerësimit”, vlerësojnë Rama dhe Çomo si dhe çmojnë se duhet aplikuar parimi i objektivitetit dhe proporcionalitetit.
Dy anëtarët në pakicë kanë mendim ndryshe nga kolegët e tyre edhe lidhur me deklarimin e Kadanës se kredia 700 mijë lekë e marrë nga bashkëshortja e tij, ka qenë për llogari të babait të kësaj të fundit.
Rama dhe Çomo e pranojnë si të vërtetë këtë pretendimin e Kadanës. Ata e bazojnë arsyetimin e tyre në faktin se është provuar që vjehrri i Kadanës, i ndjeri H.M. ka pasur një aktivitet tregtar “furrë buke” dhe se bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit është ofruar ta ndihmojë meqenëse ajo ishte punonjëse e bankës Raiffeisen dhe mund të merrte kredi me interesa më të ulëta. Sipas Kadanës, kështu nuk do të ishte e nevojshme që ta ndihmonin vjehrrin me gjendjen cash që kishin në banesë.
Bazuar edhe në deklaratat e familjarëve si edhe në faktin se nuk ka rezultuar që Kadana ta ketë shpenzuar kredinë e marrë nga bashkëshortja, pakica vlerëson se deklarimi i tij në vitin 2017 për kredinë e vitit 2007 mbështetet në prova.
Në mendimin paralel shpjegohet se në analizën financiare kjo e ardhur vetëm sa do të prodhonte spostimin e balancës negative nga viti 2007 në vitin 2008 me një diferencë të pandjeshme mes asaj të pretenduar nga subjekti në shumën 564 mijë lekë, me atë që do të eivdentohej në 2008-ën në vlerën 602 mijë lekë.
“Kemi konkluduar se pretendimi i subjektit të rivlerësimit për këtë çështje është i drejtë dhe, për pasojë, në arsyetimin tonë do të konsiderojmë se vlera totale që përfaqëson balancën negative për subjektin e rivlerësimit do të përbëhet nga vlera prej 564.605,77 lekësh për vitin 2007 dhe vlera prej 390.482 lekësh, që përfaqëson mungesën e burimeve financiare për të mundësuar dhënien e huas shtetasit A.P. në vitin 2015, të cilat në total janë gjithsej 955.087 lekë”, vlerësojnë Rama dhe Çomo.
Ata shtojnë se nëse Kolegji do të gjendej vetëm para kësaj balance negative, e pashoqëruar me shkaqe të tjera që lidhen me kriterin e kontrollit të pasurisë, atëherë Kadana nuk do ishte në kushtet e deklarimit të pamajftueshëm për pasurinë dhe se nuk mund të shkarkohej për mungesën e kësaj vlere.
Në përfundim, Rama dhe Çomo, ashtu si edhe shumica e trupit gjykues të Kolegjit se Kadana, në vlerësim të gjetjeve për të tri kriteret ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe se duhet të shkarkohet.