Nafija e Rilindjes!

Nga Gjergji Koja

Nafija vendosi sot të dalë partizane, ku, në vend të dyfekut, zgjodhi të postojë në rrjet një reagim ndaj Zëdhënësit të PPE, Michael Gahler, pasi ky i fundit mbajti një qëndrim të fortë kritik lidhur me ndryshimet Kushtetuese të miratuara një ditë më parë nga parlamenti gjysmak i Shqipërisë.

Në reagimin e saj qeveritar, ajo e konsideron fyes ndaj shqiptarëve mesazhin e Gahler, nxitës të përçarjeve politike në vend dhe për më tej i sugjeron që të njihet mirë me ndryshimet Kushtetuese që e kanë futur Shqipërinë në kornizën e Botës së OSBE/ ODIHR.

As më shumë dhe as më pak, Nafija e Rilindjes ka reaguar ngjashmërisht sikur të ishte një Themie, një Gjelë apo si ato vullneratet e Enverit në 1990-1991, edhe pse ka pasur një moshë fare të vogël për t’i mbajtur mend.

Në reagimin ndaj Gahler, ajo ngjan shumë me kooperativistet e dikurshme që Partia i promovonte në emër të klasës punëtore dhe revolucionit proletar, duke i vendosur edhe anëtare të Komitetit Qendror apo Byrosë Politike.

“Dikush duhet t’ia shpjegojë zëdhënësit të partive simotra të PD në Parlamentin Europian se Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel. Parlamenti ynë ka shumicë dhe opozitë, ndërsa opozita me gjuhën e së cilës flet zotëria i nderuar, ka “djegur mandatet” si asnjë parti tjetër në historinë e PPE! Ajo nuk ka as monopolin e opozitës shqiptare, as ndonjë të drejtë hyjnore mbi Parlamentin e mbi qeverinë e Shqipërisë”, shkruan ajo në përgjigjen e saj revolucionare kundër një eurodeputeti gjerman, të cilin Nafija mund ta shohë herë si imperialist dhe herë si “pushtues”.

LEXO EDHE  Transportonin bagëti kontrabandë, arrestohen disa persona

Dhe me aq inat e ka publikuar reagimin, sa edhe foton që kishte shoqëruar postimin e kishte ngatërruar. E megjithatë dikush mund t’i ketë thënë, dhe reagoi shpejt, duke fshirë foton e postuar.

Por çuditërisht ky reagimi i Nafijes nuk piu shumë ujë, pasi nuk trembi asnjë nga këto “imperialistët” e PPE. Pas Gahler, pati së paku edhe dy reagime të tjera, me të njëjtën frymë, për të njëjtën çështje dhe me të njëjtat paralajmërime.

Bota ku thotë se po na integron Nafija, ajo e OSBE/ODIHR, nuk është zbuluar ende nga këta të PPE apo EPP, ndaj dhe në sytë dhe mendjen e saj, ata po nxisin konflikt dhe po fyejnë shqiptarët.

Çuditërisht të tre emrat që reaguan janë gjermanë, pjesë e CDU-së, partisë së kancelares Angela Merkel, që vetë Nafija e mban si profil në faqen e saj në rrjetin social, teksa duket shumë e lumturuar kur e takon.

Dhe këta të PPE që reagojnë përsërisin ato 15 kushtet e famshme të Bundestagut dhe flasin me të njëjtën gjuhë, jo për t’i bërë qejfin Lulzim Bashës sikundër mendon ajo, por se kanë disa parime që ajo nuk i kupton dot.

Ndoshta prandaj Nafija reagoi si revolucionare dhe kjo mund të jetë arsyeja sesi ish-Mjaftistja e shndërruar në G99, e konvertuar në një Rilindase të PS-së, mban një post ministror.

Njëlloj si dikur, kur karrocieri dhe kooperativistja viheshin ministre apo anëtare të Byrosë dhe pastaj mbanin fjalime nga “se si pastrohen stallat te lufta kundër imperializmit”.