Dosja 339, arrestimet “pupël” të SPAK dhe “lapsusi” i ambasadores Kim

Nga Gjergj Koja

Mëngjesin e sotëm u njoftua se SPAK kishte lëshuar 22 fletë-arresti lidhur me dosjen 339, që mes të tjerave, ka lidhje edhe me manipulimin e votave për Durrësin në zgjedhjet parlamentare të 2017.

Njoftimi i parë të krijonte përshtypjen që SPAK ishte “zgjuar” dhe mund të kishte goditur personazhet e përgjimeve që u shfaqën edhe në gazetën gjermane “Bild”.

Në media u aludua për zyrtarë dhe funksionarë lokalë të kapur nga përgjimet dhe ndoshta shumëkujt mendja mund t´i ketë shkuar te Vangjushi, njeriu me “duart si akullore”.

Në fakt, kur u publikuan emrat ishin disa komisionerë zgjedhorë dhe qytetarë, të cilët SPAK kishte vendosur t´i arrestonte natën.

Ata, sipas hetimeve të SPAK, kishin lejuar persona të votonin më shumë se 1 herë, ndërsa qytetarët kishin votuar edhe në emër të ndonjë personi që ditën e votimit s´ka qenë në Shqipëri.

Kush është marrë qoftë edhe një ditë me zgjedhjet në këtë vend, që ka 30 vjet që nuk bën zgjedhje normale, e di shumë mirë peshën që kanë ato komisionerët në një proces, nëse vullneti politik është që procesi duhet të jetë korrekt.

Pavarësisht reagimeve dhe entuziazmit në shqip dhe gjuhë të huaj, operacioni më tepër duket si një tentativë për të rregulluar imazhin, pasi është shumë larg pritshmërive të një strukture si SPAK.

Ndoshta struktura e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka vendosur që të shkojë nga bishti te koka, ose është një rrugë për të mbetur te bishti dhe për të dhënë një mesazh, se nesër komisionerët mund të arrestohen nëse shkelin ligjin.

Edi Rama në reagimin e tij tha se të përzier në këtë manipulim ishin edhe komisionerë të PD dhe LSI, krahas atyre të PS, ndaj dhe rikthehu kërkesën për depolitizimin e komisioneve.

PD e përshëndeti vendimin, por kërkoi arrestimin e aktorëve kryesorë në manipulimin e zgjedhjeve, ndërsa tha se SPAK s´mund të fshihet pas gishtit.

Një reagim pati edhe nga Ambasadorja amerikane, e cila tha se “puna e SPAK për çështjen 339 fillon të zbulojë lidhjet midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në drejtësi vazhdon të ecë përpara dhe nuk mund të ndalet. Edhe një gur!”.

LEXO EDHE  Vrasja e taksistit në Rinas/ Saimir Shera tregon se si tentoi t’i zhdukë provat

Ndoshta një “lapsus” në reagimin e ambasadores Kim, pasi në fakt ajo që është zbuluar dhe askush nga shqipfolësit nuk e thotë është lidhja e korrupsionit zgjedhor me politikën, përfshi këtu edhe krimin, kur ka elementë që janë nën hetim për vepra të tjera dhe mendojnë se mund t´i shpëtojnë drejtësisë duke i shërbyer një pale politike.

Legjislacioni shqiptar korrupsionin e dënon, sikundër dënon edhe krimin e organizuar, ndërsa të padënuar, qoftë edhe moralisht, mbeten lidhjet me politikën.

Kjo që shitet sot si një zbulim i madh nga SPAK, për ata që janë marrë me zgjedhjet është më minimalja me proceset alla-shqiptare dhe, për më tepër, nuk është hera e parë që në dyert e prokurorive dhe gjykatave shkojnë komisionerë apo numërues votash.

Në Shqipëri janë mbushur kuti me vota dhe sot s´kemi raste që një politikan të mbajë përgjegjësi individualisht politike.

Në zgjedhjet shqiptare ka kërcitur arma në qendrat e votimit dhe sërisht nuk ka pasur njeri përgjegjësi politike për të mos pranuar mandatin ose për ta dorëzuar atë.

Janë trafikuar vota e mandate dhe gjithçka është mbyllur me atë që “kjo është loja politike” dhe sërisht moralisht dhe politikisht nuk ka përgjegjësi individuale.

Ndaj dhe sot, të paktën ambasadorja duhej të pohonte atë që nuk e pohuan dot asnjë nga politikanët shqiptarë: lidhjet e krimit e korrupsionit zgjedhor me politikën.

Këtu buron gjithçka, aq më tepër në një vend që ka provuar dhe provon mosbesim mes palëve edhe kur janë me ndërmjetës ndërkombëtarë.

Fatkeqësisht ose fatmirësisht, në këtë manipulimin e vogël që SPAK-ut mund t’i ketë kushtuar muaj hetime janë përfshirë komisionerë të 4 partive, që nuk është se u zgjuan mëngjesin e 25 qershorit me idenë se do te shtojnë ca vota.

Ata thjesht kanë zbatuar një urdhër politik, të cilin SPAK mund edhe të mos e gjejë dot dhe prapë ne të gëzohemi se u luftua krimi, korrupsioni dhe ata që zbatuan urdhërin.

Por kjo është e vërteta, të cilën sot nuk e tha askush, as diplomatja amerikane.