Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian përshëndet rifillimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe shprehet qartë pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Samiti i parë virtual i ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë nuk solli shumë. Sot zhvillohet në Bruksel një takim i drejtpërdrejtë mes kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq nën ndërmjetësimin e BE-së. Çfarë prisni nga ky takim?
McAllister: Para së gjithash është një sinjal shumë pozitiv që presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri kosovar Hoti kanë rënë dakord për të rifilluar bisedimet pas një ndërprerjeje 20-mujore, dialogu duhet të vazhdojë dhe ky është një lajm pozitiv në vetvete në këto kohë. Shpresojmë që bisedimet do të jenë konstruktive dhe me një angazhim reciprok për një proces të qëndrueshëm dialogu midis dy palëve. Ky mund të jetë vetëm fillimi i normalizimit të marrëdhënieve në nivelin më të lartë. Pozicionet janë ende larg dhe tani kërkohet vullnet dhe angazhim politik nga të dy palët.
Sikurse thoni dhe ju pozicionet janë ende shumë larg. Kësaj i shtohet fakti që presidenti Vuçiq është nën presion nga demonstratat masive jo vetëm kundër qeverisë së tij, por edhe kundër çdo lëshimi për çështjen e Kosovës. A nuk do të jetë shumë e vështirë për BE-në që të gjejë një zgjidhje në këtë situatë?
McAllister: Është në interesin tonë strategjik që bisedimet të mbështeten nga BE dhe të shoqërohen me një perspektivë të qartë për anëtarësimin në BE. Situata e pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës mbetet një faktor potencial destabilizues për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye është me rëndësi politike dhe sidomos sa i përket politikës së sigurisë për të gjithë Evropën. Kjo do të thotë që zgjidhja e këtij konflikti është një element thelbësor për të ardhmen e të dy vendeve në Evropë, kjo është arsyeja pse BE ka pasur këtë rol aktiv me vite. Ne ndërmjetësojmë dialogun, por në fund janë të dyja palët që duhet të bien dakord për çështjet dhe natyrisht pastaj për zgjidhjen e problemeve. Në këtë dialog BE ka një rol rreptësisht ndërmjetësues dhe unë e vlerësoj shumë Përfaqësuesit të ri Special, Miroslaw Lajčák, që arriti të sjelljë të dy palët negociuese në tryezën e bisedime së bashku me mbështetjen dhe iniciativën e Francës dhe të Gjermanisë.
Në prag të takimit mes përfaqësuesit të Kosovës dhe të Serbisë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Ballkanin, Miroslaw Lajčák, i paralajmëroi të dyja palët që të jenë të gatshme për kompromis dhe pragmatizëm. Një zgjidhje pragmatike do të ishte p.sh. shkëmbimi i territoreve përgjatë vijave etnike të hedhur për diskutim nga presidentët Vuçiq dhe Thaçi në vitin 2018. Shumë politikanë të BE-së e kundërshtojnë me forcë idenë e një shkëmbimi territoresh. Por çfarë flet kundër një korrigjimi të kufijve nëse të dy palët e gjykojnë atë si në rregull dhe një hap i tillë mund të sjellë lëvizje në procesin e dialogut?
McAllister: Thelbi i këtij dialogu është që të dyja palët bien dakord për çështjet dhe që të dyja palët të arrijnë rezultate dhe marrëveshje të ndërsjella. Pala kosovare ka përjashtuar kategorikisht temën e një shkëmbimi territoresh dhe kjo nuk është në rendin e ditës dhe kështu që aktualisht nuk është çështje për diskutim. Thënë në mënyrë abstrakte, të gjitha marrëveshjet që Serbia dhe Kosova do të bëjnë duhet të korrespondojnë me një politikë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të pajtimit dhe të stabilitetit rajonal.
Ju përmendët disa herë që BE-ja është shumë e interesuar për procesin e dialogut. Por edhe SHBA donte t’i sillte në tryzën e bisedimeve Kosovën dhe Serbinë. Sidoqoftë, takimi që kishte përgatitur në Uashington Përfaqësuesi Special i SHBA për Serbinë dhe Kosovën, Richard Grenell, dështoi për shkak të akuzës paraprake ndaj Presidentit Thaçit nga Gjykata Speciale Penale e Kosovës në Hagë. Për shkak të momentit të kësaj aktakuze dolën menjëherë zëra që gjykata, së bashku me Berlin, Parisin, Brukselin dhe kundërshtarët e Grenellit në Uashington, e kishin zgjedhur taktikisht momentin. Sidoqoftë, fakt është që BE-ja tani e ka marrë përsëri në dorë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe që Shtetet e Bashkuara një herë për një herë janë të përjashtuara nga procesi i bisedimeve. A ka konkurrencë midis SHBA dhe BE në diplomacinë e paqes?
McAllister: Unë jam gjithmonë në favor që BE dhe SHBA të punojnë së bashku sa më shumë të jetë e mundur në çështjet e politikës së jashtme. Megjithë pikëpamjet e ndryshme politike për disa nga qëndrimet e Presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara mbeten aleati dhe partneri ynë më i rëndësishëm në shumë organizata ndërkombëtare, jo vetëm për shkak të aleancës sonë ushtarake, NATO-s. Aktivitetet amerikane si ndërmjetësues midis Serbisë dhe Kosovës nuk ishin të koordinuara me BE-në, Miroslaw Lajčák dhe të tjerët e kanë bërë të qartë se dera jonë mbetet e hapur për një bashkëpunim evropiano-amerikan, se ne duam të kërkojmë zgjidhje së bashku nëse është ka interesa të pajtueshme, por dialogun midis Serbisë dhe Kosovës e ka udhëhequr BE-në dhe BE-ja do të vazhdojë ta bëjë këtë.
Le të kthehemi edhe një herë te Thaçi dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Çfarë mund të sjellë një dialog i tillë në një situatë kur Presidenti i Kosovës ndoshta mund të akuzohet për krime lufte? Pa qartësi në lidhje me aktakuzën ndaj Thaçit Kosova dhe kryeministri Hoti nuk mund të pozicionohen kundër Serbisë, apo si mendoni ju?
McAllister: Unë e kuptoj mirë që situata aktuale për Presidentin Thaçi shkakton diskutime të mëdha në radhët e popullatës kosovare dhe se kjo natyrisht që është një situatë e veçantë në historinë e këtij vendi akoma të ri. Sa i përket dialogut takohen nga pala serbe presidenti dhe ajo kosovare kryeministri, pra Kosova është në gjendje të veprojë, bisedimet i zhvillon kryeministri. Natyrisht që ai do të diskutojë shumë gjëra edhe me Prishtinën, por këto janë procese të brendshme të koordinimit kosovar, që nuk mund t’i gjykoj përfundimisht. Sidoqoftë e rëndësishme është që të dy palët tani po fillojnë me një përpjekje të re serioze për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese midis Serbisë dhe Kosovës që rregullon të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.
A ka tema, çështje specifike ose marrëveshje paraprake në kontekstin e rifillimit të bisedimeve?
McAllister: Jo. Por më 10 korrik u zhvillua video-konferenca me pjesëmarrjen e Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, dhe mendoj se ajo ishte një shenjë e rëndësishme që të dy vendet më të mëdha në BE, kancelarja dhe presidenti i Francës, u përfshinë personalisht për ta bërë të qartë që është në interesin e të gjithë BE-së që të dy palët të ulen në tryezën e bisdimeve. Më pas u zhvillua video- konferenca e së dielës (12.07.) dhe tani takimi i parë personal pas 20 muajve heshtjeje. Kemi humbur shumë kohë dhe prandaj këtu në Bruksel e mirëpritëm lajmin që tarifat doganore për importet e mallrave nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina u hoqën përsëri, sepse ky ishte parakushti që të dyja palët të mund t’i ulnim sërish në tryezën e bisedimeve dhe në këtë drejtim vendimi i qeverisë së kryeministrit Hoti meriton lavdërim dhe mirënjohje.
Kosova merr vazhdimisht lavdata dhe mirënjohje nga BE-ja dhe deri tani BE ka qenë shumë e mirë në premtimet ndaj Kosovës, p.sh. për liberalizimin e vizave, por jo në përmbushjen e këtyre premtimeve. A nuk e dëmton kjo besueshmërinë e BE-së?
McAllister: Parlamenti Evropian është shprehur me shumicë të qartë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe unë mendoj me argumente të mira dhe gjithashtu me votën time. Ishte një proces i gjatë dhe sipas mendimit tonë Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat.
Fatkeqësisht, ka disa shtete anëtare që ende e bllokojnë këtë, dhe unë e kuptoj zhgënjimin në Prishtinë, Kosovë dhe shpresoj shumë që Këshilli do të arrijë t’i bindë disa shtete anëtare që kanë akoma rezerva që ka ardhur koha që vendit të fundit në Evropë që nuk gëzon ende lirinë e udhëtimit pa viza me BE t’i jepet ky status. Pra unë e kuptoj kritikën dhe zhgënjimin në këtë drejtim në Kosovë dhe mbetem gjithmonë i mendimit se nëse ne si BE bëjmë kërkesa dhe këto kërkesa përmbushen nga partnerët tanë, ne gjithashtu duhet t’i mbajmë premtimet sepse kjo lidhet edhe besueshmërinë tonë./DW/