Covid-gate i Klodian Mërtirit/ Afera 60 mln USD, arrestohen bosët e “Natpharm”

Nga Boldnews.al

Tre drejtues të lartë të “Natpharm”, agjencia shtetërore e Shëndetësisë në Zimbabve, janë arrestuar së fundmi, pas nënshkrimit të një kontrate korruptive 60 milionë dollarë me kompaninë “Drax SAGL” të biznesmenit kontravers shqiptar, Klodian (alias Mirel) Mërtiri.

Për këtë skandal gjigand, pak ditë më parë u prangos përfaqësuesi i Mërtirit në Zimbabve, Delish Ngujava.

Tashmë, trekëndëshit të mashtrimit financiar i ka mbetur vetëm biznesmeni shqiptar Klodian Mërtiri, i cili në Zimbabve është prezantuar me emrin Ilir Dedja, drejtues i kompanisë “Drax Consult SAGL “, me seli në Zvicër.

Arrestimet në “Natpharm”
Bosët kryesorë të “Natpharm” u përballën gjatë orëve të fundit në gjykatë nën dyshimet se kanë nënshkruar një kontratë të paligjshme me kompaninë “Drax SAGL”, me qëllim furnizimin e spitaleve publike në Zimbabve me pajisje mjekësore dhe medikamente për përballimin e Covid-19.

Në foto: Kompania “Natpharm” në Zimbabve është përfshirë në një skandal financiar 60 milionë USD, pas nënshkrimit të kontratave me shqiptarin Klodian Mërtiri (Ilir Dedja)

Florah Sifeku, Çarls Mvaramba dhe Roland Mlalazi dolën para gjykatës, të dyshuar për abuzim me detyrën.

Sifeku është drejtori i përgjithshëm i “Natpharm”. Mlalazi është drejtuesi i financës së kompanisë shtetërore të Shëndetësisë dhe Mavaramba është drejtori operacional i saj.

Të tre të arrestuarit mohuan akuzat gjatë përballjes së tyre me gjykatën, e cila vendosi fillimisht masën e ndalimit deri në 3 korrik, duke refuzuar kërkesën për liri me garanci pasurore 10 mijë dollarë.

Sifeku dhe Mvaramba akuzohen se kanë abuzuar me procedurat, pasi, në fund të vitit 2019, nënshkruan një kontratë 20 milionë dollarë nëpërmjet një “tenderi urgjent” me “Drax SAGL”.

Sifeku, Mvaramba dhe Mlalazi dyshohen gjithashtu se kanë kryer procedura “urgjente” për t’i siguruar kompanisë së shqiptarit Klodian Mërtiri (Ilir Dedja) një tjetër kontratë, me vlerë 40 milionë, për furnizimin e medikamenteve të nevojshme për përballimin e Covid-19.

Të dhënat e hetimit zbulojnë se ‘Drax SAGL” ka marrë fondin shtetëror, por ka siguruar pajisje në një vlerë maksimumi 2.7 milionë dollarë.

Zyrtarët e lartë të “Natpharm”, Sifeku dhe Mvaramba, akuzohen se nuk ndërmorën masat për anulimin e kontratës edhe pasi “Drax Consult SAGL” e Klodian Mërtirit nuk arriti të siguronte medikamentet dhe pajisjet mjekësore brenda periudhës 3-mujor, siç parashikohej në kontratë.

LEXO EDHE  Koronavirusi/ Ekspertët: Deri tani po trajtohen simptomat, askush nuk është marrë me shkaktarin

“Mashtrimet” e Mërtirit
Pika kyçe e mega-skandalit në vendin afrikan është biznesmeni shqiptar, i prezantuar para autoriteteve në Zimbabve si Ilir Dedja.

Në bazë të disa verifikimeve të kryera nga “Boldnews.al” rezultoi se personi ‘Ilir Dedja” në fakt është Klodian (alias Mirel) Mërtiri, i konsideruar si njeriu-hije i inceneratorëve në Shqipëri.

Klodian Mërtiri (Ilir Dedja), në bashkëpunim me biznesmenin nga Zimbabvja, Delish Nguvaja, ky i fundit një lidhje e fortë e familjes presidenciale të vendit afrikan, kanë arritur të nënshkruajnë dy kontrata, me vlerë 60 milionë euro, me agjencinë shtetërore “Natpharm”.

Në foto: Delish Nguvaja, partneri në biznes i Klodian Mërtirit (Ilir Dedja), i arrestuar pak ditë më parë në Zimbabve

Hetimet e autoriteteve në Zimbabve kanë krijuar dyshime të forta se i gjithë procesi është një mashtrim i madh.

Kompania “Drax Consult” SAGL, e cila njihet edhe si ‘Drax International LLC” rezulton se është një kompani konsultash financiare dhe nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e prodhimit apo shitjes së pajisjeve mjekësore dhe medikamenteve.

Në bazë të këtyre kontratave, kompania Klodian Mërtirit merrte përsipër furnizimin e agjencisë shtetërore shëndetësore të Zimbabves, “Natpharma”, me pajisjet e nevojshme për përballimin e korona-virusit.

Media vendase zbuloi se “Drax SAGL” ka përfituar kontratat e majme, në kundërshtim me legjislacionin vendas dhe nën dyshime për korruptimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë familjarë të presidentit të vendit.

“Drax SAGL” dhe djali i Presidentit të Zimbabves, Kollins Mnangagva, i kanë mohuar më herët akuzat për lidhje mes tyre, në dy deklarata të veçanta, por me tekst të ngjashëm, të lëshuara në fund të muajit Maj 2020.

Por, pavarësisht mohimeve publike, autoritetet në Zimbabve kanë avancuar me hetimet, duke arrestuar fillimisht përfaqësuesin e Ilir Dedjas në shtetin afrikan, Dalish Nguvaya dhe, së fundmi, drejtuesit e lartë të “Natpharm”.

Ndërkohë, ‘Drax SAGL” e Ilir Dedjas (Klodian Mërtiri), rezulton të jetë nën hetim edhe nga Interpol Budapesti, nën dyshimet se është përfshirë në një rrjet kompanish që financojnë krimin e organizuar.