Testi i Gjuhë-Letërsisë/ Fatmir Vejsiu: Kishte shumë defekte, rrëzohet si tezë

Për ish-drejtorin e arsimit parauniversitar, Fatmir Vejsiu, testi i letërsisë kishte shumë defekte nga ana gramatikore, dhe nuk i kursen vërejtjen e tij për këtë mungesë përgjegjësise.

Vejsiu shprehet se ka shumë vërejtje dhe shumë argumente për ta hedhur poshtë si tezë, si formim, si përmbajtje, madje edhe gramatikisht me shumë defekte.

“Kjo tregon mungesë përgjegjësie dhe unë do thoja prerje në besë. Bëhet një test për herë të parë i kësaj forme”, shprehet Vejsiu.

Në një intervistë për Ora News, ai thotë tha se Qendra e Shërbimeve Arsimore është përgjegjëse për hartimin e testit, dhe se Minsitria e Arsimit ka për detyrë të ushtrojë kontrollin për cilësinë e pyetjeve.

“Më vjen keq për diçka që Ministria e Arsimit merr përsipër të mbrojë tezën. Teza nuk është e Ministrisë së Arsimit, tezën e bën QSHA-ja. Njerëzit e QSHA-së duhet të mbajnë përgjegjësi. Mbase Ministria e Arsimit duhet të kontrollonte fondin e pyetjeve. Ka një rregull në Maturën Shtetërore, që për çdo provim ka një formë pyetjesh që është më shumë se 10 fishi i pyetjeve që përmban një test”, shprehet Vejsiu.

Sipas tij, nëse testi në këtë rast kishte 60 pyetje, në fondin e letërsisë, matematikës dhe lëndëve të tjera, duhet të ishin jo më pak se 600 pyetje, të ndarë sipas nivele. Në këtë kuadër Vejsiu thotë se Minsitria e Arsimit mund të ushtrojë kontrollin e cilësisë.

LEXO EDHE  Takimet e Berishës me anëtarësinë, ja slogani që përdoret

“Hartimi i testit është ekskluzivitet i QSHA-së dhe përgjegjësia duhet të ishte e tyre”, shtoi ai.

Sipas Vejsiut, testi i letërisë ka qenë gjithmonë me probleme ndërsa testi i matematikës po thjeshtësohet.

“Të bësh 60 pyetje me nga 1 pikë, kuptohet që niveli i pyetjeve është i thjeshtë. Ka pyetje matematike që duan më shumë kohë që dhe mund të marrin 3 ose 4 pikë.

Të kesh 60 pyetje, vetëm një ushtrim matematikor, kjo është ta masakrosh matematikën. Gjeometria ka pjesën e vet në një test matematike. Integralin e hoqe, trigonometrinë e hoqe, çfarë mbetet? Ngeli përqindja, zgjidhja e ekuacionit të thjeshtë të gradës së parë me një ndryshore.

Kemi dy situata. Testi i letërsisë ka qenë gjithmonë me probleme. Gjithmonë ka qenë e njëjta dorë që e ka prishur. Testi i matematikës ka ardhur duke u thjeshtësuar. Kjo mund të ketë pasoja të situatës së 11 qershorit”, shtoi ai.

Testi i Gjuhë-Letërsisë, provimi i dytë i Maturës Shtetërore, ka shkaktuar mjaft reagime, madje edhe protesta të maturantëve. Këta të fundit i kanë konsideruar pyetjet si jashtë programit, madje pa lidhje me lëndën përkatëse. Një nga pyetjet që ka shkaktuar irritime, por edhe humor në rrjetet sociale, kishte të bënte me “Turin”.