Rreth 1.1 miliardë lekë (8.92 milionë euro) u tenderuan nga institucionet publike me prokurim të drejtpërdrejtë gjatë periudhës së epidemisë të shkaktuar nga COVID-19, teksa një pjesë e mirë e tyre nuk lidhen aspak me situatën, ndërsa të tjerë janë shoqëruar me akuza për korrupsion dhe paligjshmëri në zhvillimin e proceduarve.
BIRN analizoi nëpërmjet një databaze të gjithë të dhënat e prokurimeve publike të realizuara nëpërmjet procedurës me negocim, pa shpallje paraprake nga data 12 mars deri me 15 maj.
Gjatë kësaj periudhe, kjo formë prokurimi u përdor në 177 tenderë nga 113 institucione publike, ndërkohë që pjesa dërrmuese e tyre kanë pasur 1 ose 2 operatorë pjesëmarrës, çfarë ngre shqetësime për mungesë konkurrence.
Pjesa më e madhe kontratave të dhëna gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19, janë për blerjen e paketave ushqimore në ndihmë për familjet në nevojë, shërbime gatimi dhe dezinfektim i hapësirave publike dhe blerje e medikamenteve, por nuk kanë munguar dhe kontratat për roje sigurie dhe ruajtje të objekteve publike si dhe evadim të mbetjeve spitalore.
Institucioni me vlerën më të lartë të prokurimit me negocim, pa shpallje paraprake është Ministria e Mbrojtjes, e cila ka shpenzuar 141.5 milionë lekë për blerjen e paketave ushqimore për familjet në nevojë. Kjo kontratë është ndarë në 2 lote. Loti i parë me vlerë 101.4 milionë lekë është fituar nga kompania Eurovia sh.p.k. ndërsa Lot i 2 me vlerë 40.1 milionë lekë nga kompania Xpert Systems.
Ministria e Mbrojtjes ndiqet në listën e institucioneve me vlerë të lartë të prokurimeve me negocim pa shpallje nga kompania publike Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së informacionit, si dhe bashkitë Durrës, Tiranë dhe Shkodër.
Përveç kompanive Eurovia dhe Experts Systems, lista e 5 subjekteve me vlerën më të lartë të kontratave me negocim pa shpallje, përfshin bashkimin e kompanive të sigurisë “Global Security“ Eurogjici Security”, “Breçani – R.O.S.P” dhe”PC Security” të cilat përfituan një kontratë prej 99.3 milionë lekë nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë ; Albania Business Partner që ka përfituar një kontratë nga AKSHI me vlerë 85 milionë lekë, kompania Eurolab Internacional Group, e cila kë përfituar një kontratë prej 58.1 milionë lekë nga Bashkia Tiranë dhe” N.S.S Ndreu Security Services” me një kontratë me vlerë prej 17.3 milionë lekë nga OSHEE.
Qasje e gabuar institucionale
Sipas legjislacionit në fuqi, procedura me negocim, pa shpallje paraprake parashikon që autoriteti kontraktor i përzgjedh vetë operatorët ekonomikë dhe negocion kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre.
Por, kjo lloj procedure mund të përdoret vetëm në disa raste specifike e më konkretisht, kur në përgjigje të dy procedurave të njëpasnjëshme nuk është siguruar konkurrenca minimale, kur për arsye që lidhen me të drejtat ekskluzive ose të drejtat e autorit, kontrata nuk mund të ekzekutohet përveçse nga një operator i vetëm ekonomik ose kur për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor, afati kohor për procedura normale nuk mund të respektohet.
“Një nga rastet është kur produkti që kërkohet është i patentuar, për shembull e prodhon vetëm një kompani dhe zakonisht janë produkte ushtarake për të cilat ti nuk mund të bësh tender sepse është një kompani që edhe i prodhon, edhe i shet”, shpjegon për BIRN eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
“E dyta është kur ti nuk ke kohë. Kjo do të thotë që ty të doli sot për sot një nevojë për një shërbim të caktuar për shkak të një eventi të jashtëzakonshëm dhe në këtë moment ti aktivizon klauzolën e tenderëve pa shpallje,” shton më tej ai.
Sipas Sokos, kjo klauzolë mund të gjejë shpjegim për tenderët e zhvilluar për higjienizimin e ambienteve, si një nevojë e paparashikueshme në fillim të vitit pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, kur edhe institucionet bëjnë parashikimet për tenderët.
“Përveç këtyre, të gjithë tenderët e tjerë janë minimalisht të kontestueshëm në Agjencinë e Prokurimit Publik,” shpjegoi Soko.
Edhe Selami Xhepa, profesor në Universitetin Europian të Tiranës, shprehet se COVID-19 nuk mund të përbëjë argument për të shkelur procedurat e konkurrencës për shërbimet publike të tenderuar gjatë pandemisë.
“Për më tepër, pjesa më e madhe e procedurave kryhen në forma elektronike, online ndaj nuk e shoh të arsyeshme këtë lloj sjellje të administratës në raport me përdorimin e parave të taskapaguesve shqiptarë,” shpjegoi Xhepa.
Ekspertët kritikojnë edhe tenderët e zhvilluar nga institucionet për mbështetjen me ushqime të familjeve në nevojë për shkak të situatës së shkaktuar nga COVID-19.
“E para ne duhet të ndryshojmë sjelljen sepse ndihmat ekonomike dhe mbështetja nuk ka arsye përse të realizohet drejtpërdrejt me mallra që blihen nga institucionet, por mund të jepet në formën e një ‘voucheri’ dhe të jetë qytetari ai që ta bëjë zgjedhjen dhe të ushtrojë ë drejtën e tij për të blerë ushqime nëpër njësitë e shitjes që ai do të dëshironte”, tha Xhepa.
“Së dyti, nuk e shoh të arsyeshme që këto procedura të bëhen me prokurim të drejtpërdrejtë sepse ne kemi një mori subjektesh që merren me këtë aktivitet, ndërkohë që zgjedhja e subjekteve të caktuar sigurisht që shtrembëron procesin”, shtoi ai, duke theksuar se këto procedura të hapura mund të kryheshin me sukses në një kohë shumë të shkurtër.
Mungesë konkurrence
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se kufizim pati edhe në drejtim të numrit të operatorëve ofertues që morën pjesë në procedurat pa shpallja gjatë periudhës së epidemisë.
Sipas Selami Xhepës, çdo masë që kufizon konkurrencën në treg paraqet efekte negative, pra në fund të procesit çmimi për produktin apo për të mirën e ofruar rezulton të jetë i lartë.
“Kjo është arsyeja që procedurat konkurruese janë të pazëvendësueshme dhe janë instrumenti kryesor që promovon edhe legjislacioni i vendit,” tha ai.
Edhe sipas Sokos arsyeja e zhvillimit të tenderëve është pikërisht kursimi i parave publike.
“Shteti duhet të bëjë tenderë të hapur, duke vendosur në garë kompanitë me njëra-tjetrën për shërbimet që do të blejë dhe operatori ekonomik të ulë çmimin për publikun,” shpjegoi Soko, ndërsa theksoi se edhe ligji “Për menaxhimin e financave publike” është bazuar në këtë pikë, pra në përdorimin me ekonomi të parasë publike.
“Nëse i heqim këto mekanizma ne nuk po mirëpërdorim [paratë publike], por thjesht po blejmë aty ku duam”, shtoi ai.
Sipas ligjit “Për prokurimin publik” shkelja e rregullave për zhvillimin e tenderëve me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit dënohet me gjobë nga 20 mijë lekë deri në 1 milion lekë.
Por, deri më tani nuk është njoftuar ndonjë masë e tillë administrative. Publikisht, në datën 24 prill, Agjencia e Prokurimit Publik i rekomandoi autoriteteve kontraktore të shmangin procedurën me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit.
Po ashtu, APP kërkoi nga institucionet edhe planifikimin e nevojave të reja që do të kenë për mallra, punë apo shërbime për përballimin e situatës në periudhë afatgjatë.
Pavarësisht rekomandimit, institucionet vazhduan procedurat e drejtpërdrejta të tenderimit dhe jo vetëm për mallra e shërbime që lidhen me COVID-19, por edhe për nevoja të tjera, një pjesë e të cilave të planifikuara që në fillim të vitit.
Ekspertët argumentojnë se shumë procedura, të zhvilluara në shkelje me ligjin “Për prokurimin publik” duhet të hetohen nga institucionet ligjzbatuese.
“Natyrisht e gjitha kjo është e shtyrë nga një mekanizëm i madh korrupsioni, që ka vite tashmë, nuk është i ri,” tha Soko.
Sipas tij të gjithë organet ligjzbatues duhet të ndërhyjnë me qëllim që të bllokojnë procedurën sepse është një procedurë e paligjshme dhe të verifikojnë për shkaktarët e dëmit.
“Është gjithë zinxhiri i institucioneve ligjzbatuese që duhet të ndërhyjë, “shtoi ai.
Ndërkaq, Xhepa sjell në vëmendje se edhe raportet e Komisionin Europian, në mënyrë konsistente nënvizojnë faktin se në Shqipëri një pjesë e rëndësishme e prokurimeve publike kryhen me një ofrues.
”Ky është një shtrembërim i hapur i rregullave dhe konkurrencës së tregut”, tha ai.
“Kështu që institucionet që merren me monitorimin e këtyre prokurimeve publike duhet që të jenë realisht në lartësinë e detyrës dhe të kryejnë detyrën për të cilën ata janë besuar nga publiku,” përfundoi Xhepa./BIRN/