Shtatzanë në muajin e nëntë, Mira* i mbijetoi më 13 maj dhunës së bashkëshortit që i shtrëngoi duart në fyt. Terrori në shtëpinë e saj në Babrru të Kamzës zgjati me orë të tëra, pasi i shoqi u xhindos nga shpenzimi i 2 mijë lekëve për blerjen e një kostumi të bardhë tutash për foshnjen e palindur.
Në sherr e sipër, ai theu pjatat dhe një tavolinë, shkatërroi telefonin celular me vare dhe e kërcënoi Mirën dhe të bijën 12-vjeçare se do t’i vriste me një sopatë drush. Por tre ditë pas arrestimit të A.K për dhunë në familje, gruaja shtatzanë u detyrua të tërhiqte denoncimin.
‘Ma kërkoi im atë, më tha që ta fal se do verë mend në burg,” thotë Mira, ndërsa përkëdhel me trishtim barkun e saj. “Në rast se më dhunon sërish, do ndahem”!
Dhunimi i 36-vjeçares nga periferia e Tiranës ishte ndër çështjet e para të shqyrtuara nga Gjykata e Tiranës pas rihapjes së vendit nga masat shtrënguese të marra për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri, SARS-CoV-2.
Nga marsi deri më 15 maj 2020, 106 kërkesa të ngjashme për urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje u dorëzuan në Gjykatën e Tiranës; por 39 prej tyre u pushuan menjëherë pas tërheqjes pa shpjegim të denoncimeve.
Përgjatë dhjetë javëve të pandemisë, Policia e Shtetit mori 673 denocime për dhunë në familje në të gjithë vendin, nga të cilat 455 raste ose 67% e totalit ishin gra të cilat u ankuan se u dhunuan nga bashkëshortët ose ish-bashkëshortët si dhe anëtarë të tjerë të familjes.
Shifrat tregojnë përgjysmim të denoncimeve për dhunë në familje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ndërsa psikologët dhe avokatët që trajtojnë raste të tilla këmbëngulin se ky nuk është një lajm i mirë.
Avokatja Denisa Daka mendon se statistikat nuk tregojnë shkallën e vërtetë të problemit, ndërsa shtoi se gjendja e karantinës e ka përkeqësuar situatën e grave dhe vajzave- viktima të dhunës në familje në Shqipëri.
“Gratë dhe vajzat kanë qenë të survejuara 24 orë në 24 nga dhunuesit e tyre. Edhe fasha e orarit e vendosur përgjatë kësaj periudhe nuk i ka lejuar ato të kallëzojnë dhunën në prokurori apo gjykata,” tha Daka për BIRN.
Pasoja afatgjata
Të dhënat e siguruara nga Policia e Shtetit tregojnë se kur vendi ishte në izolim të plotë gjatë muajit mars, denoncimet për dhunë në familje ranë në 153 raste nga 295 që ishin regjistruar në mars 2019. Në prill, denoncimet u rritën në 301 raste nga 387 që ishin shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Me lirimin e masave shtrënguese nga qeveria, numri i denoncimeve për dhunë në familje shkoi në të njëjtin nivel me vitin e kaluar; duke shënuar 219 denoncime nga 1 deri më 18 maj 2020. Në të njëjtën periudhë, edhe Gjykata e Tiranës u përball me fluks kërkesash për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje.
Psikologët paralajmërojnë se periudha e izolimit si pasojë e COVID-19 do të lërë gjurmë afatgjata në shoqërinë shqiptare, veçanërisht në marrëdhëniet brenda bërthamës së ngushtë familjare.
Sipas psikologes Arjana Muçaj, karantinimi ka nxjerrë në pah problemet e vjetra në familje si dhe ka gjeneruar më shumë stres mes popullatës. Ndërprerja e kontakteve sociale, tensioni i brendshëm si rrjedhojë e së panjohurës nga virusi dhe problemet ekonomike renditen disa nga shkaqet nxitëse të konflikteve në familje.
Ndërsa mendohet se dhuna fizike dhe psikologjike pësoi rritje, vuajtjen më të madhe e pësuan familjet me një histori të dhunës edhe përpara karantinës.
“[Vështirësia ekonomike] pati pasojat e saj, pasi partnerët filluan të fajësojnë njëri-tjetrin dhe kjo u reflektua me dhunë. Mos të harrojmë se më delikate ka qenë gjendja në familjet ku kjo dhunë ka ekzistuar para karantinimit,” thotë Muçaj.
E njohur me të shoqin prej kushërinjve dhe e martuar prej 13 vitesh, Mira i tha BIRN se dhuna e kishte shoqëruar marrëdhënien e tyre prej fillimit.
“Shuplakën e parë ma dha kur ishim të fejuar, u nxeh pse po qeshja me kushërinjtë. Im shoq ka konsumuar përherë alkool. Së fundmi gjatë Covidit, ai ulej në trotuar dhe pinte aty, pasi lokalet ishin mbyllur,” kujton ajo.
Me dy vajza të mitura dhe në pritje të fëmijës së tretë, familja është përballur edhe me probleme të theksuara ekonomike. Ndërsa Mira punoi për një rrogë minimale deri në shpërthimin e epidemisë së COVID-19, i shoqi punon me ditë dhe shumicën e kohës nuk arrin të gjejë një punë.
“Mendoj që gjendja e tij u rëndua edhe nga papunësia, por edhe nga alkooli,” përpiqet të shpjegojë arsyet ajo.
Sa herë gjendej nën dhunën e të shoqit, Mira e paralajmëronte se do të njoftonte policinë, por nuk e bëri asnjëherë. Por terrori i përjetuar më 13 maj së bashku me vajzat e detyroi atë t’i drejtohet për ndihmë policisë.
Një procesverbal i policisë për rastin në fjalë tregon se bashkëshorti i Mirës theu me sopatën e druve gjithçka i doli përpara, ndërsa i vuri të shoqes shtatzanë duart në fyt dhe e shtyu përtokë. Ai nuk i kurseu kërcënimet as ndaj të bijës dhe punonjësve të policisë, kur këta të fundit mbërritën në shtëpinë e tyre në Babrru. Pas thirrjeve për t’u dorëzuar, ai e hodhi sopatën në tokë dhe u largua me vrap përmes avllisë, por u arrestua disa orë më vonë.
Pavarësisht frikës që i lexohet në fytyrë, biseda me të atin dhe shpresa se i shoqi mund të ndryshojë e shtyu Mirën që të tërhiqej nga kërkesa për urdhër mbrojtjeje. Në anën tjetër të Tiranës, bashkëshorti dhunues mohoi gjithashtu të kishte ushtruar dhunë përpara gjykatës penale, por mbeti në “arrest me burg”.
Pa mburojë ligjore
Dhuna në familje dhe niveli i lartë i tolerancës ndaj saj është një ndër fenomenet më shqetësuese në shoqërinë shqiptare. Një studim i vitit 2018 i publikuar nga INSTAT nxorri në pah se 1 në 2 gra ose 52.9 % kanë pasur përvoja të dhunës, ndërkohë që 47 % e grave të martuara, apo që jetonin më një partner, pohuan se kishin përjetuar dhunë verbale ose fizike nga bashkëshorti i tyre.
Shqipëria numëron gjithashtu një numër të lartë viktimash të dhunës në familje, ku 12 gra humbën jetën në vitin 2019 dhe 5 të tjera mbetën të vdekura vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2020.
Parlamenti shqiptar ka ashpërsuar disa herë legjislacionin gjatë dekadës së fundit, por ekspertët shprehen të shqetësuar se ndryshimet në Kodin Penal janë të pamjaftueshme për të parandaluar dhunën.
Avokatja Denisa Daka, e cila ka mbrojtur në gjykatë një numër të konsiderueshëm grash të dhunuara i tha BIRN se ashpërsimi i masave kundër dhunës në familje nuk mund ta ndryshojë kurrsesi situatën e dhunës në vend.
“Ndryshimet në ligjin për dhunën në familje, sipas meje nuk përbëjnë risi. Përgjatë këtyre viteve kemi konstatuar se sa herë kanë dështuar me ligjin, kanë marrë inisiativa për ta ashpërsuar atë,” tha Daka.
Avokatja rendit një sërë hallkash që nuk funksiojnë siç duhet, duke nisur nga fakti se viktima dhe dhunuesi janë të detyruar të ndajnë të njëjtën banesë e deri tek paaftësia monitoruese e strukturave të policisë, inekzistenca e shërbimeve sociale apo problemet e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Daka thekson gjithashtu se mungesa e politikave mbështetëse dhe e një zëri të posaçëm në buxhetin e shtetit për dhunën në familje e pamundëson fuqizimin e grave në Shqipëri.
“Në ato pak raste që viktimat e dhunës arrijnë të strehohen diku, agresori në çdo rast mëson vendndodhjen e tyre, pasi informacioni rrjedh e dhuna intensifikohet paskësaj,” thotë me shqetësim Daka.
“Gratë duhet me çdo kusht të fuqizohen, duke u punësuar e për këtë arsye duhen ndjekur politika të posaçme.. Një zë i posaçëm duhet caktuar me çdo kusht në buxhet për të mbështetur këtë kategori vulnerabël,” shtoi avokatja, ndërsa nënvizon se duhet rritur edhe besimi tek organet e policisë dhe ato gjyqësore.
Megjithatë, jo të gjitha gratë janë të gatshme ta falin dhunën e bashkëshortëve. Nëna e një vajze, e cila siguroi një urdhër mbrojtjeje në fillim të majit në gjykatë e konsideroi gjendjen e saj të padurueshme.
I akuzuar për dhunë, i shoqi u justifikua se kishte qenë nën stres për shkak të dëmtimit të shtëpisë nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa mohoi të kishte përdorur dhunë fizike mbi të shoqen. Përveç urdhërit të mbrojtjes, gruaja paralajmëroi se do të dorëzonte menjëherë edhe një padi divorci.
“Martesa në fillim ishte e mirë, por prej 15 vitesh po vuaj nga xhelozia e tij…Gjendja është e padurueshme. Jam e frikësuar nga sjellja e tij, ai më ka kërcënuar edhe me thikë,” tha gruaja para gjykatës. Dhe menjëherë pas miratimit të urdhrit të mbrojtjes, u largua nga shtëpia së bashku me të bijën./BIRN/