Nga Boldnews.al
Shprehja idiomatike “I zoti e shet, tellalli s’e jep” mund të përshkruaj më së miri situatën e krijuar ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ardian Dvoranit, ku u përfshinë në mënyrë absurde edhe misionet e asistencës teknike, EURALIUS dhe OPDAT.
Anëtari i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Dvorani, shpreh mendimin se mandati i tij përfundon në momentin që Këshilli i Lartë Gjyqësor përzgjedh anëtarin e katërt jo-magjistrat të Gjykatës së Lartë.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, siç ka raportuar “Boldnews.al” më herët, pranon se pozicioni i Dvoranit “është i lirë”, por nuk jep asnjë afat se kur ai duhet të largohet nga zyra në Gjykatën e Lartë.
Për më tepër, KLGJ, në shqyrtimin e rastit “Dvorani”, përfshiu në mënyrë të pakuptimtë misionet ndërkombëtare të ambasadave ë SHBA dhe BE në Tiranë, për të dhënë edhe ato një opinion mbi këtë çështje që ka krijuar një ngërç artificial mes institucioneve kushtetuese shqiptare.
Dvorani, kritika për KLGJ e Presidentin
Çështja e mandatit të Ardian Dvoranit, e cila duhet të ishte ndër prioritetet e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të vendosur ligjshmërinë në Gjykatën e Lartë, u vu në lëvizje nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Kreu i Shtetit, i cili prej muajsh është në një kurs përplasjeje me Dvoranin, sidomos për rolin e tij si kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për të vendosur mbi përfundimin e mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë.
Ardian Dvorani është emëruar në detyrë në vitin 2005 dhe mandati i tij 9-vjeçar ka përfunduar në vitin 2014. Por, ai vijon të jetë ende në detyrë, në bazë të atyre që opozita i konsideron si “manovra” për ta mbajtur në detyrë “gjyqtarin e partisë (socialiste)”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas kërkesës së Presidentit, e cila daton në 10 Prill 2020, u vu në lëvizje dhe zhvilloi disa seanca të çoroditura për të vendosur mbi mandatin e Dvoranit.
Si pjesë e procedurës së filluar, KLGJ i kërkoi një opinion edhe vetë Dvoranit. Ky i fundit, në 4 Maj 2020, jep qëndrimin e tij, në një shkresë 13 faqe të gjatë, të cilën “Boldnews.al” e ka siguruar në bazë të një kërkese për informim.
Në shkresën e Dvoranit, e cila karakterizohet nga një vetëpërmbajtje e sforcuar, Ardian Dvorani është përqëndruar kryesisht në kritikat ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Presidentit të Republikës, për atë që ai e konsideron si proces të pakuptimtë.
Që në krye, Dvorani deklaron se është njoftuar zyrtarisht për të dhënë opinionin e tij “..në një çështje që duket se KLGJ ka vendosur të investohet, ndonëse pa asnjërën nga rastet dhe llojet e procedurave të përcaktuara në Kushtetutë..”.
Megjithëse kritikat duket se drejtohen për KLGJ-në, e cila nisi një procedurë për mandatin e tij, Ardian Dvorani e ka përqëndruar argumentin e tij kundër iniciativës së Presidentit të Republikës për çështjen e mandatit të tij.
“Është e qartë …që KLGJ nuk ka pasur ndonjë çështje dhe shqetësim të tillë, por duket qartë se është vënë në lëvizje për shkak se ky është qëndrimi dhe kërkesa e Presidentit të Republikës, i cili gjithashtu nuk ka asnjë mbështetje në Kushtetutë dhe në ligj, si për të marrë një nismë të tillë për të investuar KLGJ në ushtrimin e kompetencave të pavarura kushtetuese, ashtu edhe për motivet që parashtron në këtë kërkesë me objekt dhe qëllim tërësisht të papërcaktuar”, deklaron Dvorani në shkresën drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor
Sipas tij, “…nisma e Presidentit të Republikës duket se qëllimin e ka të qartë; të ndërhyjë dhe të ndikojë në mënyrë të papërshtatshme, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, në veprimtarinë e institucioneve kushtetuese e të pavarura, siç është KLGJ dhe të arrijë të ndikojë në karrierën gjyqësore të një gjyqtari konkret”.
“Ja kur largohen nga zyra”
Si për ta injoruar thelbin e diskutimit, Dvorani e ka lënë për në fund çështjen e ndërprerjes së mandatit të tij si anëtar i Gjykatës së Lartë.
Ai, njëlloj si KLGJ, argumenton se zëvendësi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk bëhet nominalisht (emër për emër), por me plotësim vendesh vakante.
Ky arsyetim mbështetet, sipas KLGJ e Dvoranit, në faktin që ndryshimet kushtetutes të vitin 2016, kanë ndryshuar tërësisht mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, si edhe formulën e përbërjes së saj.
Më parë, ligji përcaktonte se Gjykata e Lartë kishte 19 anëtarë. Nga 17 që ishin në detyrë para Reformës në Drejtësi, 10 ishin gjyqtarë karriere, ndërsa 7 të tjerë ishin emëruar juristë të spikatur nga jashtë gjyqësorit.
Aktualisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar një formulë, ende jo përfundimtare, për emërimin e 20 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nga të cilët 16 gjyqtarë dhe 4 jo-magjistratë (juristë të spikatur).
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përzgjedhur, deri më tani, 3 anëtarë të rinj nga radhët e jo-magjistratëve; Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Ervin Pupe. Ndërkohë, KLGJ është në procedurat për përzgjedhjen e anëtarit të katërt jo-magjistrat.
Pikërisht, tek ky proces sheh Dvorani, i zgjedhur nga jo-gjyqtarët në vitin 2005, edhe fundin e mandatit të tij në Gjykatën e Lartë.
“Vlerësoj se, në rastin konkret, emërimi i tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë me dekretet përkatëse të Presidentit të Republikës, nuk sjellin si pasojë përfundimin e detyrës sime si anëtar i Gjykatës së Lartë, deri në emërimin e gjyqtarit të katërt që duhet të përzgjedhë e propozojë KLGJ e të dekretojë Presidenti i Republikës nga radhët e juristëve të spitakur”, përfundon shkresën e tij Ardian Dvorani.