Vargjet e Fugës për Teatrin: Kurbani i së keqes e burim parash, ju dhj*fsha mjekrat dhe mustaqet!

Akademiku Artan Fuga ka reaguar sërish për shembjen e Teatrit Kombëtar, që e quan “kurbanin e së keqes”.

Në vargje, profesori, i cili ka mbështetur prej kohësh ruajtjen e TK dhe jo shembjen e tij, shprehet se, teatri ishte “burimi i parave për mijra mustaqellinj e mjekraxhinj”.

“Në fund e bëre shërbimin tënd:

na detyrova të luanim komedinë tonë para syve të tu që ulën qerpikët me turpin për ne!

Luajte tragjedinë tonë reale,

si për të na hapur sytë,

kur ike në pluhurin e harresës,

të historisë,

duke mbyllur sytë e tu,

nën sjellavjelljen e thirmave të deputetëve maskarenj”, shprehet Fuga.

Vargjet

Në një postim në FB, Fuga shkruan:

Teatri,
pa hipokrizi,
pa rrena,
kundër barbarëve,
jo si pretekst,
i papronësuar nga askush,
i pambrojtur,
tradhëtuar,
i lirë për t’u dashur ose neveritur si arkitekturë,
përtej shijeve estetike të diktatorit qesharak,
drama e vetvetes në vite,
i torturuari nga të gjitha qeveritë dhe bashkitë,
i pazëvendësueshmi,
i palëvizishmi,
i kërkuari me sy përgjithë jetën,
plaga e memorjes urbane,
aktakuza për të gjithë ne që kemi një diplomë në xhep,
i pajetërsueshme nga asnjë kauzë,
turpi i të gjithë aktorëve, rregjizorëve, zorraxhinjve,
i kuintave, prapaskenave,
intrigave,
burimi i parave për mijra mustaqellinj, mjekraxhinj,
ju dhjefsha mjekrat dhe mustaqet,
i paindetifikueshmi me të për të shëruar krizën e anonimitetit,
monumenti pasqyrë ku injoranti shihte veten qartë,
fabrika e roleve dhe nxjerrësi i kallajit të aktrimit politik,
i keqpërdoruri,
belaja për politikën,
argumenti i pisit për të bërë pis të tjerët,
i paprekshmi,
i pambrojtshmi,
boshësia absolute,
mërzia e ditëve në një qytet të idiotëve,
budallenjve, që jemi ne,
faji i të gjitha fajeve,
lakmuesi i të gjitha idiotizmave vetëmburrëse,
varri i heronjve të paqënë,
humnera e personalitetit tonë prej legenash,
i paharruari,
i parindërtueshmi, ndërtoni mbi të jo kulla tani,
por edhe varreza,
aerodroma ushtarakë,
ndërtesën e delegacionit saharian,
zhgarravisni të gjitha ligjet, kundraligjet dhe peticionet,
ndërtoni xhamitë, kishat dhe teqetë e botës,
kurbani i së keqes,
i pandotshmi,
i vogli madhështor,
Kush të meritonte ty nga ne?
Nê fund e bëre shërbimin tënd:
na detyrove të luanim komedinë tonë para syve të tu që ulën qerpikët me turpin për ne!
Te goditëm me grushte fadromash!
Na kishe ledhatuar në dekada dhe rrahur me shuplakat e prindit,
që i do me nostalgji,
Luajte tragjedinë tonë reale,
sekondën tënde të fundit,
si për të na hapur sytë,
kur ike në pluhurin e harresës,
të historisë,
duke mbyllur sytë e tu të bukur,
të goditëm e thyem hundën e bukur,
të përgjakëm, dhembët t’i thyem,
kishim dashuri të urrejtshme për ty sepse ishim shumë poshtë teje,
e pabashkëmatshme tharrja jonë në shpirt me madhështinë e frymës tënde,
shoqëri e tallavasë ne, e lajmeve me rrena, e kllounëve vetëmburracakë,
donim teatër ne të mosqënët,
ne arixhinjtë e ardhur në një qytet të boshatisur nga zotërinjtë,
ne : tallavatë, arti ynë shkon deri te kamera e fshehtë,
nën sjellavjelljen e thirmave të deputetëve maskarenj!
Sunduar nga personazhet më negativë që na kishe zbuluar,
dalë nga dera, çatia, oxhaku yt,
derdhur në zyra tenderash dhe sallone pritjeje,
ne që donim të të mbroni të huajtë,
thërrisnim fqinjët të mbronim atin që vetë ne rrihnim për vdekje,
Plaga e plagëve që e mohuam brenda një nate!
Qajmë gjoja plagët tona që na bënë policët,
fajësojmë policët që janë mëkatarët e fundit të mëkatit të pashlyeshëm të gjithë një shoqërie,
qajmë dhimbjet tona të paqëna,
i dhimbshuri,
i dhënshmi në dekada për njëzet lekë,
aristokrati,
ku luanim ëndërrat tona me mbretër, kalorës, zonja pylli,

LEXO EDHE  ‘Bomba’ e John Bolton: Shkëmbimi territoreve nuk qe ide e SHBA, e kërkuan Thaçi dhe Vuçiçi

Ik madhështor!

Nuk të meritonim!