Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Lirinë e Mendimit dhe Shprehjes, Përfaqësuesi i Lirisë së Medias i OSBE, si dhe Raportuesi i Posaçëm për Lirinë e Shprehjes i Organizatës së Shteteve Amerikane, kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për lirinë e shprehjes dhe zgjedhjet në epokën dixhitale.
Organizmat ndërkombëtare ngrenë shqetësime për keqpërdorimin e medias, por edhe për faktin se shumë shtete po miratojnë ligje, që kufizojnë lirinë e shprehjes, zgjerojnë kontrollin e Shtetit mbi median, si dhe kufizojnë lirinë e internetit.
Në deklaratë jepen edhe disa rekomandime për shtetet, mes të cilëve miratimin e një një kuadri rregullator dhe institucional që nxit median e lirë, nuk duhet të ketë censurë paraprake të medias, nuk duhet të ketë etj.
“Aktorët shtetërorë nuk duhet të përdorin kurrë pozitën apo fuqinë e tyre për të ndërmarrë masa për të ndikuar padrejtësisht te raportimi i medias, përfshirë këtu edhe gjatë zgjedhjeve, qoftë me masa të drejtpërdrejta siç është licencimi i medias ose ushtrimi i kontrollit mbi median publike apo rregullatorët e medias, apo me masa të tërthorta si kufizimi i aksesit në letër shtypi, në frekuenca radiofonike apo në mundësinë e operatorëve mediatikë që të shpërndajnë produktet e tyre lirshëm në mbarë vendin“, thuhet mes të tjerash në deklaratë.
Shtetet duhet të miratojnë një kuadër rregullator dhe institucional që nxit median e lirë, të pavarur dhe të larmishme, si në sektorin e medias tradicionale ashtu edhe në atë të medias dixhitale, që të jetë e aftë t’iu ofrojë zgjedhësve akses në informacion të plotë, të saktë dhe të besueshëm rreth partive, kandidatëve dhe procesit zgjedhor në tërësi;
Shtetet duhet të nxisin aksesin efektiv në internet dhe në teknologji dixhitale për të gjitha pjesët e popullsisë, edhe duke ngushtuar hendeqet dixhitale me bazë gjinie, race, përkatësie etnike, aftësie të kufizuar, statusi socio-ekonomik dhe baza të tjera, si edhe duke miratuar kritere dhe politika të qarta që garantojnë respektimin e parimit të paanshmërisë së rrjetit.
Shtetet duhet të garantojnë që çdo kufizim që i vihet lirisë së shprehjes gjatë periudhave zgjedhore të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare lidhur me tri kriteret testuese të ligjshmërisë, legjitimitetit të qëllimit, si edhe nevojës, e cila nënkupton si vijon:
Në deklaratë thuhet se nuk duhet të ketë censurë paraprake të medias, as përmes mjeteve si bllokimi administrativ i faqeve të internetit mediatike apo bllokimi i internetit.
Deklarata e plotë:
Pasi diskutuan këto çështje së bashku me ndihmën e Artikullit 19, të FushatësGlobale për Shprehjen e Lirë dhe të Qendrës për Ligj dhe Demokraci (CLD);
Duke kujtuar dhe riafirmuar Deklaratat tona të Përbashkëta të 26 nëntorit 1999, 30 nëntorit 2000, 20 nëntorit 2001, 10 dhjetorit 2002, 18 dhjetorit 2003, 6 dhjetorit 2004, 21 dhjetorit 2005, 19 dhjetorit 2006, 12 dhjetorit 2007, 10 dhjetorit 2008, 15 majit 2009, 3 shkurtit 2010, 1 qershorit 2011, 25 qershorit 2012, 4 majit 2013, 6 majit 2014, 4 majit 2015, 4 majit 2016, 3 marsit 2017, 2 majit 2018 dhe 10 korrikut 2019;
Duke nënvizuar rolin thelbësor që luajnë liria e shprehjes dhe e informimit, media e lirë, e pavarur dhe e larmishme si edhe interneti falas dhe i aksesueshëm luajnë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë referendumet, sidomos në informimin e publikut rreth partive dhe kandidatëve si dhe platformave të tyre;
Duke vënë në pah rolin e medias shtetërore gjatë zgjedhjeve, kudo që ajo ekziston, sidomos për t’iu garantuar kandidatëve dhe palëve qasje të barabartë te publiku, si platformë për debat politik dhe informim të paanshëm dhe të saktë mbi çështjet zgjedhore;
Duke njohur rëndësinë që ka për demokracinë si peizazhi mediatik dinamik me debat publik konstruktiv mbi çështje me interes publik, ashtu edhe qasjee publikut në një larmi të gjerë informacioni dhe idesh;
Të vetëdijshëm për sfidat bashkëkohore me të cilat përballet liria e shprehjes dhe liria e medias, të cilat janë shfaqur edhe për shkak të evoluimit të konsiderueshëm të mjeteve të komunikimit, konvergjencës mes medias tradicionale dhe dixhitale, rolit gjithnjë e më të spikatur të medias sociale dhe teknologjive dixhitale, si edhe nevojës për një kuadër normativ që disiplinon lirinë e shprehjes për të reflektuar këto ndryshime dhe për të nxitur mbikëqyrjen transparente dhe llogaridhënëse në moderimin e përmbajtjes së internetit;
Të ndërgjegjshëm për potencialin pozitiv të teknologjisë dixhitale gjatë zgjedhjeve, përfshirë faktin se u ofron zgjedhësve qasje në informacion dhe i fuqizon që të shprehin opinionet e tyre dhe të ndërveprojnë drejtpërdrejt me kandidatët, si edhe u ofron kandidatëve dhe partive – edhe atyre me kapacitete të kufizuara – mundësinë që të përhapin mesazhet e tyre dhe të mobilizojnë mbështetje;
Duke shprehur shqetësim të thellë për kërcënimet dhe sulmet e dhunshme me të cilat mund të përballen gazetarët gjatë zgjedhjeve dhe faktin se fushatat e përbaltjes që shënjestrojnë gazetarët, sidomos gazetaret, cenojnë punën e tyre si dhe besimin e publikut te gazetaria;
Duke u bërë thirrje qeverive që të mos abuzojnë me pozitën e tyre për ta bërë mbulimin mediatik të njëanshëm, qoftë të medias shtetërore apo medias private, apo duke përhapur propagandë që mund të ndikojë te rezultati i zgjedhjeve;
Duke denoncuar keqinformimin, informimin e rremë dhe dezinformimin si edhe “gjuhën e urrejtjes”, të cilat mund të provokojnë dhe madje të acarojnë tensione zgjedhore, duke u bërë thirrje partive dhe kandidatëve të shmangin përdorimin e qëllimshëm të këtyre lloj deklaratash me qëllim që të rrisin kapitalin zgjedhor si dhe duke njohur rolin e rëndësishëm që rregullatorët e pavarur zgjedhorë luajnë në trajtimin e këtyre formave të shprehjes dhe në nxitjen e qasjes në informacion;
Të alarmuar për keqpërdorimin e medias si nga aktorët shtetërore ashtu edhe ato privatë për të minuar proceset zgjedhore, edhe përmes formave të ndryshme të sjelljes joautentike dhe përdorimit të “propagandës së automatizuar” (mjete automatike që ndikojnë sjelljen);
Të shqetësuar se shumë Shtete po miratojnë ligje të cilat, edhe pse formalisht të justifikuara nga problemet e paraqitura më lart, kufizojnë në mënyrë të padrejtë lirinë e shprehjes, zgjerojnë kontrollin e Shtetit mbi median, si dhe kufizojnë lirinë e internetit dhe/ose mundësinë e palëve të ndryshme që të mbledhin të dhëna personale;
Duke dënuar me forcë kufizimet mbi qasjen e publikut në internet, përfshirë bllokimin e pjesshëm apo tërësor të tij, gjë që kufizon rëndë si aftësinë e medias, partive, kandidatëve dhe palëve të tjera që të komunikojnë me publikun, ashtu edhe qasjen në informacion për pjesëtarët e publikut;
Duke theksuar nevojën për rregulla dhe sisteme solide që imponojnë transparencë të partive dhe kandidatëve lidhur me shpenzimet mediatike gjatë zgjedhjeve;
Duke pasur në vëmendje faktin se në mbarë botën është planifikuar të mbahen zgjedhje gjatë pandemisë së COVID-19, duke i krijuar kështu pengesa të reja raportimit që ndonjëherë është i imponuar padrejtësisht nga aktorët shtetërorë, në një kohë kur zgjedhësit kanë nevojë thelbësore për qasje në informacion dhe ide me qëllim që të bëjnë zgjedhje të mirinformuara në zgjedhje;
Miratuan, më 30 prill 2020, në kuadrin e kremtimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, këtë Deklaratë të përbashkët për lirinë e shprehjes dhe zgjedhjet në epokën dixhitale:
Rekomandime për Shtetet
Parime të Përgjithshme
Shtetet duhet të miratojnë një kuadër rregullator dhe institucional që nxit median e lirë, të pavarur dhe të larmishme, si në sektorin e medias tradicionale ashtu edhe në atë të medias dixhitale, që të jetë e aftë t’iu ofrojë zgjedhësve akses në informacion të plotë, të saktë dhe të besueshëm rreth partive, kandidatëve dhe procesit zgjedhor në tërësi;
Shtetet duhet të nxisin aksesin efektiv në internet dhe në teknologji dixhitale për të gjitha pjesët e popullsisë, edhe duke ngushtuar hendeqet dixhitale me bazë gjinie, race, përkatësie etnike, aftësie të kufizuar, statusi socio-ekonomik dhe baza të tjera, si edhe duke miratuar kritere dhe politika të qarta që garantojnë respektimin e parimit të paanshmërisë së rrjetit.
Shtetet duhet të garantojnë që çdo kufizim që i vihet lirisë së shprehjes gjatë periudhave zgjedhore të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare lidhur me tri kriteret testuese të ligjshmërisë, legjitimitetit të qëllimit, si edhe nevojës, e cila nënkupton si vijon:
Nuk duhet të ketë censurë paraprake të medias, as përmes mjeteve si bllokimi administrativ i faqeve të internetit mediatike apo bllokimi iinternetit;
Çdo kufizim i të drejtës për të përhapur deklarata zgjedhore duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare, ku figurat publike duhet të kenë detyrimin të tolerojnë masë më të lartë kritike dhe mbikëqyrjeje sesa qytetarët e thjeshtë;
Nuk duhet të ketë ligje dezinformimi që janë të përgjithshme apo të paqarta, si për shembull ndalime për përhapjen e “informacionit të rremë” apo “të informacionit joobjektiv”.
Çdo kufizim që i vihet medias kur raporton mbi sondazhe të opinionit publik gjatë zgjedhjeve duhet të jetë në përputhje rigoroze edhe me tri kriteret testuese.
Aktorët shtetërorë nuk duhet të përdorin kurrë pozitën apo fuqinë e tyre për të ndërmarrë masa për të ndikuar padrejtësisht te raportimi i medias, përfshirë këtu edhe gjatë zgjedhjeve, qoftë me masa të drejtpërdrejta siç është licencimi i medias ose ushtrimi i kontrollit mbi median publike apo rregullatorët e medias, apo me masa të tërthorta si kufizimi i aksesit në letër shtypi, në frekuenca radiofonike apo në mundësinë e operatorëve mediatikë që të shpërndajnë produktet e tyre lirshëm në mbarë vendin.
Aktorët shtetërorë duhet t’i garantojnë medias që të gëzojë qenësisht aksesin te burimet zyrtare të informacionit dhe te kandidatët që garojnë për post publik, si edhe që të mos përballet me pengesa të padrejta gjatë përhapjes së informacionit dhe ideve, përfshirë këtu gjatë pandemisë së shëndetit publik COVID-19, duke përfshirë edhe zbatimin e parimeve të kësaj Deklarate të Përbashkët.
Mbulimi i zgjedhjeve nga media
Mediat, si ato tradicionale edhe ato dixhitale, përgjatë periudhave zgjedhore,duhet të përjashtohen nga përgjegjësia në lidhje me shpërndarjen e deklaratave të bëra drejtpërsëdrejti nga partitë apo nga kandidatët, përveç rasteve kur këto deklarata janë gjykuar posaçërisht si të paligjshme nga një gjykatë apo trupë rregullatore e pavarur dhe e paanshme, ose kur këto deklarata përbëjnë nxitje për dhunë dhe organet e medias kanë pasur mundësi të vërtetë të parandalojnë shpërndarjen e tyre.
Çdo trupë administrative, e cila ka autoritetin të mbikëqyrë rregullat në lidhje me mediat përgjatë periudhave zgjedhore, duhet të jetë e pavarur nga qeveria dhe vendimet e saj duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor në kohë.
Përgjatë periudhave zgjedhore, të gjitha mediat me pronësi publike duhet të sigurohen që publiku të informohet në lidhje me çështjet zgjedhore, të respektojnë rregullat e ngurta të drejtësisë, paanshmërisë dhe ekuilibrit, dhe t’u ofrojnë të gjitha partive dhe kandidatëve mundësi të barabarta për të komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me publikun, qoftë pa pagesë ose sipas tarifave të subvencionuara.
Të gjitha rregullat në lidhje me shpenzimet zgjedhore, hartuar me qëllim krijimin e një fushe loje zgjedhore të barabartë, duhet të vlejnë si për mediat tradicionale edhe për ato dixhitale, duke pasur parasysh ndryshimet ndërmjet tyre, përfshirë këtu edhe rregullat në lidhje me transparencën e reklamave politike.
Shtetet duhet të bëjnë përpjekje të bashkërenduara për të përkrahur median dixhitale dhe aftësinë për të kuptuar informacionet, edhe në lidhje me zgjedhjet.
Nuk duhet të lejohet drejtimi me anë të medias i reklamave politike të synuara, në bazë të të dhënave personale, ndaj individëve, veçanërisht përgjatë periudhave zgjedhore, përveç rasteve kur këta individë japin pëlqim për përdorimin e të dhënave të tyre personale për atë qëllim.
Kufizimet e lirisë së shprehjes/lirisë së medias gjatë zgjedhjeve
Shtetet duhet të shqyrtojnë mbështetjen e masave pozitive për të trajtuar dezinformimin në rrjet, siç janë përkrahja e mekanizmave të pavarur për kontrollin e fakteve dhe fushatat për edukimin e publikut, duke shmangur ndërkohë miratimin e rregullave që kriminalizojnë dezinformimin.
Shtetet duhet të miratojnë ligje përshtatshmërish të qarta dhe përpjesëtimore, që ndalojnë shpërndarjen e deklaratave të hartuara posaçërisht për të penguar të drejtën e individëve për të votuar, siç është shpërndarja e qëllimshme e informacioneve të pasakta në lidhje me vendin dhe kohën e votimit,
Shtetet kanë një detyrim të veçantë të ndërmarrin masa të shpejta dhe të efektshme për të parandaluar, mbrojtur, hetuar, ndjekur ligjërisht dhe ndëshkuar sulmet, kërcënimet, frikësimet dhe ngacmimet, qofshin jashtë rrjetit apo në rrjet, ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë te medias, përfshirë këtu edhe ndaj pronës apo familjes së tyre, përgjatë periudhave zgjedhore, veçanërisht kur përfshihen ose kur mund të përfshihen aktorë shtetërorë. Ky detyrim theksohet veçanërisht në rastin e gazetareve dhe individëve që u përkasin grupeve të margjinalizuara.
Ndërmjetësit në rrjet nuk duhet të jenë përgjegjës për dezinformimin, informimin e rremë apo keqinformimin e shpërndarë në platformat e tyre, përveç rasteve kur ata ndërhyjnë posaçërisht në përmbajtje ose kur nuk zbatojnë urdhrat e detyrueshëm për heqjen e asaj përmbajtjeje.
Qasja në informacione që kanë të bëjnë me zgjedhjet
Shtetet duhet t’u kërkojnë operatorëve të medias, si asaj tradicionale edhe asaj dixhitale, të botojnë informacionet rreth pronësisë së tyre, në përputhje me parimet e mosdiskriminimit dhe testimit me tri pjesë.
Partive dhe kandidatëve duhet t’u kërkohet të jenë transparentë në kohë të përshtatshme, edhe ndaj medias, në lidhje me shpenzimet zgjedhore dhe, veçanërisht, për shpenzimet për mediat tradicionale dhe atyre dixhitale, si dhe për përpjekjet e tjera të komunikimit dixhital.
Aktorët shtetërorë, përfshirë këtu edhe ata përgjegjës për normimin e zgjedhjeve, duhet të jenë plotësisht transparentë në lidhje me marrëveshjet apo partneritetet e tyrenë lidhje me zgjedhjet, qofshin ato zyrtare apo jozyrtare, me ndërmjetësuesit në rrjet dhe, veçanërisht, me kompanitë e mediave dixhitale dhe sociale.
Rekomandimet për aktorët joshtetërorë
Aktorët dixhitalë
Ndërmjetësit në rrjet dhe mediat dixhitale duhet të zbatojnë Parimet Udhëheqëse të OKB-së për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut, si edhe të zbatojnë kujdesin e nevojshëm për t’u siguruar se produktet, politikat dhe praktikat e tyre, edhe në fushat e grumbullimit të të dhënave private dhe mikrosynimit të mesazheve, nuk ndërhyjnë te të drejtat e njeriut.
Mediat dhe platformat dixhitale duhet të bëjnë përpjekje të arsyeshme për miratimin e masave që u mundësojnë përdoruesve qasjen në pikëpamje dhe këndvështrime politike të shumëllojshme. Veçanërisht, ata duhet të sigurohen që mjetet e automatizuara, siç është edhe renditja algoritmike, me apo pa qëllim, të mos pengojnë padrejtësisht qasjen e përdoruesve në përmbajtjet që lidhen me zgjedhjet dhe gjindshmërinë e pikëpamjeve të larmishme.
Ndërmjetësit kryesorë në rrjet, si pjesë të verifikimeve të detyrueshme që duhet të bëjnë, duhet të shqyrtojnë edhe mundësinë e një vlerësimi për të parë nëse produktet, politikat e tyre apo praktikat që ata ndjekin për reklamat politike, kufizojnë në mënyrë arbitrare mundësinë e kandidatëve ose partive për të përcjellë mesazhet e tyre.
Media dixhitale dhe ndërmjetësit në rrjet duhet të bëjnë përpjekje të arsyeshme për të trajtuar dezinformimin, informimin e rremë dhe keqinformimin, si dhe informacionet spam që kanë lidhje me zgjedhjet, përfshirë përmes verifikimit të pavarur të fakteve dhe formave të tjera, siç janë arkivat e reklamave, moderimi i duhur i përmbajtjes dhe vendosja e shenjave për ta bërë të vëmendshëm publikun.
Aktorët dixhitalë, kur është e nevojshme, duhet të jenë transparentë në lidhje me përdorimin dhe ndikimet praktike që mund të sjellë çdo mjet i automatizuar që ata përdorin – pa qenë të detyruar të bëjnë transparent kodifikimin e posaçëm me të cilin veprojnë këto mjete – në çdo rast dhe për aq sa këto mjete ndikojnë në grumbullimin e të dhënave, reklamat që synojnë grupe të caktuara, si dhe përdorimin e përbashkët, renditjen dhe/ose heqjen e përmbajtjes, veçanërisht përmbajtjes që ka lidhje me zgjedhjet.
Palët e tjera të interesit
Transmetuesit nuk duhet të ndërhyjnë në transmetimin e përmbajtjes zgjedhore të palëve të treta, përveçse kur ata janë urdhëruar ta bëjnë këtë nga një gjykatë ose një organ rregullator i pavarur dhe i paanshëm (përfshirë edhe ato me natyrë administrative), ose kur janë thuajse të sigurt se kjo është e nevojshme për të parandaluar një dëm të qenësishëm që mund t’i bëhet një interesi legjitim, si për shembull përmes një akti dhune.
Partitë, politikanët dhe kandidatët nuk duhet të ndërmarrin hapa që kufizojnë mundësitë e mediave dhe gazetarëve për të disponuar komunikimet publike që ata bëjnë në lidhje me zgjedhjet.
Mediat, si ato tradicionale, ashtu edhe ato dixhitale, duhet të bëjnë transparente metodologjitë e përdorura për çdo sondazh të opinionit publik që ato kryejnë ose për të cilin raportojnë.