Vetingu i Anton Martinit/ KPK me dy qëndrime për kredinë e butë dhe denoncimet e publikut

Nga Boldnews.al

Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është ndarë në vendimin për prokurorin Anton Martini, një ndër kandidatët e fundit për në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Me vendimin e datës 29 Janar 2020, kryesuesja e trupës, Genta Bungo (Tafa) dhe relatorja Pamela Qirko kanë vendosur për konfirmimin në detyrë të prokurorit Martini, duke shprehur edhe vlerësimet me nota emocionale për “rezultatet profesionale të punës si prokuror i Krimeve të Rënda” dhe “përvojës së gjatë 21-vjeçare”.

Përballë tyre, anëtarja Etleda Çiftja ka votuar për shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Anton Martini, duke e konsideruar se ai ka cënuar besimin e publikut, përsa i përket kriterit të pasurisë, përfshirë edhe kryerjen e “një sërë veprimesh juridike fiktive të simuluara, për të siguruar marrjen e kredisë (së butë)”.
Trupa gjyqësore e Vetingut është ndarë edhe sa i përket analizimit të denoncimeve të mbërritura në adresë të prokurorit Martini.

Shumica e trupës i ka konsideruar të pabaza 8 denoncime të mbërritura nga publiku, ndërkohë që, anëtarja në pakicë, Çiftja, është e mendimit se, në të paktën 4 prej tyre, ka elementë të mjaftueshëm për të vënë pikëpyetje mbi integritetin profesional të prokurorit Martini.

Prokurori Anton Martini është hetuar për 3 kriteret; pasurinë, integritetin personal dhe aftësitë profesionale.

Në përfundim të hetimit administrativ, trupa gjykuese ka pasur qëndrim të njëjtë përsa i përket vlerësimit pozitiv të figurës, referuar dy raporteve të përcjella nga Drejtoria e Sigurimi të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).

Pikëpyetjet mbi pasurinë
Prokurori Anton Martini rezulton se ka në pronësi të tij një apartament 107.9 m2 dhe një garazh, në Tiranë, të blerë me kontratën e shit-blerjes në Nëntor 2017, me vlerë 90 mijë euro. Gjithashtu, ai ka deklaruar edhe shpenzim 2 milionë lekë (të reja) për arredim.

Si burim për blerjen e kësaj pasurie, prokurori Martini ka deklaruar një kredi me kushte lehtësuese, marrë në vitin 2007, si edhe të ardhura familjare.

Trupa gjykuese ka kryer një hetim të imtësishëm mbi burimin e krijimit të kësaj pasurie.

Shumica e trupës ka konstatuar se, pavarësisht disa pasaktësive dhe mos-mbulimeve në vlerën e rreth 270 mijë lekëve të reja, subjekti në përgjithësi është treguar korrekt dhe ka burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.

Anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja, ka konstatuar një seri problematikash, të cilat, në vlerësimin e saj, janë të nivelit të mjaftueshëm për shkarkimin nga detyra.

Për anëtare Çiftja, subjekti Martini nuk justifikon me burime të ligjshme vlerën prej 37 mijë euro të përdorur për blerjen e apartamentit dhe garazhit, shifër kjo shumë e lartë, krahasuar me atë që kishte identifikuar shumica e trupës gjykuese.

Dyshimet mbi kredinë e butë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë një analizë një kredi të butë për strehim në vlerën 5 milionë lekë, të marrë nga prokurori Martini në vitin 2007 dhe që shërbeu si pjesë e burimit për blerjen e apartamentit 10 vjet më pas, në 2017.

Nga të dhënat e shqyrtuara nga KPK, të cilat janë raportuar edhe nga “Boldnews.al” para se prokurori Martini të paraqitej në seancë dëgjimore, rezulton se ai e ka depozituar kredinë e butë si Bono Thesari dhe depozita bankare për rreth 10 vjet, para se ta shfrytëzonte për blerje apartamenti.

Për këtë detaj, trupa e Vetingut ka kryer hetime të mëtejshme. Prokurori Martini, në përgjigjet e tij për një ndër pyetësorët gjatë procesit të verifikimit, ka deklaruar se ka porositur një apartament në Tiranë në vitin 2007, si edhe kishte paguar këstin e parë prej 15 mijë eurosh, bazuar në një kontratë porosie.

Por, siç deklaron ai, rreth dy javë pasi ishte nënshkruar kontrata e porosisë, prokurori Martini kishte shkuar me bashkëshorten për ta parë apartamentin. Bashkëshortja e tij nuk e kishte pëlqyer, për faktin se ishte në periferi.

Nisur nga ky shkak, ai ka vendosur të heqë dorë nga apartamenti, duke prishur kontratën e porosisë. Ndërkohë, ndërtuesi i kishte kthyer, pa penalitet, shumën prej 15 mijë eurosh të dhënë parapagim.

Ndërkohë, në një moment tjetër, prokurori Martini deklaroi se shkak për prishjen e kontratës së porosisë në vitin 2007 ishte jo vetëm mos-dakordësia e bashkëshortes, por edhe sugjerimi i Policisë së Shtetit, duke qenë se në atë kohë prokurori ishte nën mbrojtje të posaçme për shkak të detyrës.

LEXO EDHE  Zgjedhorja/ Vasili: Rama të lërë lojrat anti-popull

Ai ka vijuar të qëndrojë me qira në Tiranë, deri sa bleu apartamentin 90 mijë euro në vitin 2017.

Trupa e Vetingut ka kryer verifikimet mbi interesat e përfituara nga Bonot e Thesarit dhe depozitat që krijoi prokurori Martini me paratë e kredisë së butë për strehim. Shumica e trupës gjyqësore vlerësoi se ai kishte përfituar shuma minimale nga interesat, të pamjaftueshme as për të paguar qiranë mujorë të apartamentit ku qëndronte.

Sipas shumicës së trupës gjykuese, “Komisioni arrin në konkluzionin se kjo shkelje nuk mund të jetë shkak i mjaftueshëm për shkarkimin e subjektit. Një rast i shkëputur nuk mund të jetë cenim i etikës së prokurorit, sidomos duke vënë në balancë rezultatet profesionale të punës së tij si prokuror i Krimeve të Rënda”.

Ndërkohë, anëtarja e pakicës, Çiftja, vlerëson se prokurori Martini ka kryer një seri veprimesh fiktive me këtë kredi të butë, të cilën e ka përdorur për të blerë vite më vonë një apartament më luksoz, në qendër të Tiranës.

Sipas qëndrimit të pakicës, prokurori Martini “ka kryer një sërë veprimesh juridike fiktive të simuluara, për të siguruar marrjen e kredisë, sjellje të cilat nuk përputhen me sjelljet etike që një prokuror pritet të ketë”.

Denoncimet
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shqyrtuar 8 denoncime në adresë të prokurorit Martini.

Denoncimi i fundit kishte mbërritur një ditë pasi ai ishte paraqitur në seancë dëgjimorë, gjë e cila detyroi trupën gjykuese për të shtyrë seancën e vendimit, me qëllim që të kryente verifikimet.

Një prej denoncimeve, i cili duket se kishte ardhura nga brenda trupës së Prokurorisë së Shkodrës, ndau trupën gjykuese në qëndrime të ndryshme.

Sipas denoncuesit, të identifikuar në vendimin e KPK-së vetëm me iniciale, prokurori Martini, gjatë periudhës që ishte komanduar drejtues i Prokurorisë së Shkodrës (nëntor 2017-maj 2018), ka bërë një shpërndarje preferenciale dosjeve hetimore, duke ua hequr disa prokurorëve e duke i përqëndruar në pak të tjerë.

Për këtë denoncim, prokurori Martini deklaroi se i ishte përmbajtur urdhërave dhe udhëzimeve të nxjerra në kohë të ndryshme nga Prokurori i Përgjithshëm.

Ai theksoi se nuk kishte shprehur dëshirën për të qenë titullar në prokurorinë e qytetit verior, por ishte dërguar atje me vullnetin e njëanshëm të Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe (Adriatik Llalla, shën.red).

Megjithatë, sipas tij, ai kishte vendosur riorganizimin e strukturës, ndarjen e seksioneve, për të përmirësuar aktivitetin hetimor, si edhe për t’iu përgjigjur ndryshimeve në staf, për shkak të largimit të disa prokurorëve në qytete të tjera.

Dy anëtaret e trupës së Vetingut, Genta Bungo (Tafa) dhe Pamela Qirko, pasi analizuan denoncimet, përfshirë edhe atë për preferenca në ndarjen e dosjeve hetimore, konstatoi se ato nuk kishin elementë të mjaftueshëm për penalizimin e prokurorit Martini.

“Komisioni nuk evidentoi situata të dyshimta në shpërndarjen e dosjeve dhe përpilimin e vendimeve të zëvendësimit. Trupi gjykues vlerëson se trajtimi i këtij denoncimi merr një peshë specifike më të vogël, …. duke marrë në konsideratë faktin se subjekti ka qenë vetëm për rreth 7 muaj drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në rreth 21 vite karrierë si prokuror”, thuhet në vendimin e konfirmimit.

Nga ana tjetër, komisionerja Çiftja ka konstatuar se, të paktën 4 nga 8 denoncimet e mbërritura në adresë të prokurorit Martini, kanë elementë të mjaftueshëm për të ngritur dyshime mbi integritetin profesional.

Përsa i përket denoncimit për ndarjen e dosjeve në mënyrë preferenciale, Çiftja deklaron ka renditur disa argumenta, të cilat, në vlerësimin e saj, janë në disfavor të prokurorit Martini.

Duke i marrë me detaje, anëtarja në pakicë shprehet se prokurori nuk arriti të shpjegojë bindshëm se përse, gjatë kohës kur ishte drejtues në Prokurorinë e Shkodrës, ka vendosur zëvendësimin e prokurorëve në 12 raste dhe të gjitha ato ia ka kaluar një prokurori të vetëm.

Po ashtu, Çiftja konstaton se 10 nga 13 dosje të tjera, i janë hequr prokurorëve të ndryshëm dhe i janë caktuar sërish të njëjtit prokuror, si 12 rastet e para.

Pavarësisht mosdakordësisë mes komisionerëve për vlerësimin përfundimtar, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të prokurorit Anton Martini, ish-prokuror i Krimeve të Rënda, aktualisht i komanduar në prokurorinë e Tiranës dhe në pritje për ndonjë ankimim të mundshëm nga Komisioneri Publik.