Ruani nëpunësit e Kadastrës nga Koronavirusi

Nga Boldnews.al

Ata janë në krye të detyrës. Para e madhe bëhet aty, alleshverish që nis nga disa nëpunës të thjesht në rolin e specialistëve, deri tek koka lart ku të ikën prona në duart e tjetrit. Të marrësh të drejtën që të takon, e nis aplikimin fare i ri dhe përfundon me thinja i mplakur nga koha dhe ecejaket e zyrtarucëve që të shohin drejt e në xhepa… Ama, këta nëpunës të Rilindjes duhet ti “ruajmë shumë” nga Koronavrusi, edhe pse ata e ruajnë vertëtë shumë veten.

Drejtori i Kadastrës së Tiranës ka lëshuar një udhëzim për punonjësit e tij që u sugjeron se duhet të shmangin kontaktet me njerëzit e jashtëm, të mbajnë higjenën personale dhe mos u zgjasin dorën për të takuar asnjë qytetar.

Në shkresën urdhër 171, datë 26.02.2020, me kokë: “Për marrjen e masave higjeno-sanitare për parandalimin e përhapjes së infeksioneve respiratore akute, përfshirë edhe COVID-19”, drejtori jep të gjithë masat që duhet të zbatohen nga vartësit e tij. Më tej jepen pesë urdhrat: 1- Ndalohet rreptësisht hyrja e personave të pa autorizuar në ambientet e Drejtorisë Vendore Tiranë-Veri; 2- Të merren masa për garantimin e higjienës personale të subjekteve; 3-Shmangien e grumbullimeve masive në ambientet e brendshme të punës; 4- Shmangien e kontaktit fizik midis personave të jashtëm dhe punonjësve; 5- Ndalohet rreptësisht dhënia e dorës ndërmjet personave të brendshëm dhe të jashtëm; 6-Urdhri hyn në fuqi menjëherë për shkak të virozave”, –thuhet në vendimin e drejtorit Elion Semanaj.

Këta janë “sterilët” e Kadastrës që sot kërkojnë të ruajnë kokën nga Koronavirusi, (sëmundja ngjitëse që ka alarmuar të gjithë botën). Ndoshta është e vetmja frikë që ekziston për ta. Virusit, sëmundjes nuk kanë çfarë ti bëjnë, pasi gjithçka tjetër është ne vendin e vet. Edhe në rastet që është shfaqur ndonjë palë pranga të vjetëruara kanë rënë në duart e sekserëve dhe specialistëve të nivelit të ulët, pa mbërritur tek kokat që kanë hedhur firmë në kalimin e pronave nga i zoti tek më të “zotët” që me para blejnë një zyrtar, sado i lartë qoftë, ndryshon vetëm tarifa, por jo mënyra.

LEXO EDHE  Dy të vrarë dhe 1 i plagosur në Kurbin, policia shoqëron mbi 30 persona

Tjetërsimi i pronave vijon frikshëm në këto 29 vite në vend. Pasuritë publike me shuka të mëdha parash kanë kaluar nga pronë shteti në duar të privatëve. Puna më e kërkuar në Rilindje, e cila do mik dhe kokë të madhe, mbetet Hipotekat dhe Doganat, por pa lënë mënjanë edhe tatimet dhe sidomos një “copë specialisti” andej nga OSHE-ja dhe OST-ja.

Po si do ia bëjnë tani që urdhri i drejtorit është që të mos zgjatet dora për ti takuar qytetarët, apo me kapadaitë që ende rendin nëpër zyrat e shtetit për të copëtuar plaçkën pronë në Shqipëri mund të merren vesh me shenja në distancë? Po paraja që mban erë mitmarrje a përmban Koronavisus? Pyetje të rëndësishme këto, gati jetësore për nëpunësit e Rilindjes, sidomos ata që frymojnë nëpër Kadastrat e vendit.Larg Koronavirusi prej tyre, këta nëpunës duhen “ruajtur” me çdo kusht!