Nga Hekuran Vladi-Lura
Morrat e kohës së tallonit.
Në fund të viteve ’90, kohë që përveç të tjerash, shpalosi krizën ekonomike të akumuluar në shumë vite, ndodhi edhe një “shaka” e pistë në treg.
Sapuni, që normal merrej me tallonë e që nuk mjaftonte kurrë, doli me defekt.
Në vend që të ndihmonte për zhdukjen e morrave, ndihmonte në shtimin e tyre.
Se nga vinte kjo, mund ta shpjegojë ndonjë kimist, unë veç di se është e vërtetë.
Do t’jua them më vonë pse e fillova shkrimin me morra.
2. Çfarë është pastrimi i parave?
Përkufizimi më përfshirës për pastrimin e parave është ai i fenomenit të kryerjes së një, ose shumë transaksioneve të aseteve (para, etj), në mënyrë që të ardhurat nga punë të paligjshme të duken si të ardhura nga punë të ligjshme.
Theksoj “të duken”, pasi diçka që bëhet, nuk mund të zhbëhet dhe përfitimet e paligjshme mbeten të tilla përgjithmonë.
Pra, termi “pastrim parash” është një togfjalësh, ku fjala “pastrim” nuk është në kuptimin e parë të saj, por në kuptimin “maskoj, fsheh të pistën”.
3. Pastrimi i parave në Shqipëri.
Pastrimi i parave është një biznes që ka filluar vitet e fundit edhe në Shqipëri, më saktë 10-15 vitet e fundit.
Kjo, pasi përveç se të ardhurat e paligjshme vinin gjithmonë e në rritje, nuk ndjehej aspak domosdoshmëria, që këto të dukeshin të ligjshme.
Me antarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, ratifikimin e shumë konventave të rëndësishme, por sidomos fillimi i asocim-stabilizimit me BE, edhe Shqipëria filloi të perceptohej si vend me risk për paranë e paligjshme, kësisoj filloi edhe pastrimi i parasë.
Në fjalë të tjera, duke përsëritur veten, personat me burime të paligjshme pasurore filluan të bëjnë transaksione shtesë, në mënyrë që të pastronin ato.
Me shtimin e burimeve të paligjshmërisë në fitimin e parasë, është zgjeruar edhe biznesi i pastrimit të parasë.
Vlerësohet që sasia e parasë kriminale në vend është rreth 25% e GDP e rrjedhimisht edhe turn-over i biznesit të pastrimit të parasë është pak më i vogël se kjo shifër, pra rreth 2.5 miliardë euro.
4. Ku pastrohet para?
4.1. Tregu i ndërtimit dhe ai i pasurive të patundshme.
Një nga format klasike të pastrimit të parasë.
Ajo që po vërehet me shqetësim aktualisht në Shqipëri është rritja e ndërtimeve në kushtet e uljes së kërkesës për apartamente.
Me mbajtjen lart të çmimeve të shitjes nga këta ndërtues, rregullat e tregut dalin jashtë përdorimit dhe lënia bosh e apartamenteve shpjegon “sinqerisht” se aty po pastrohet para.
4.2. Bankat e nivelit II
Tregu i parasë në vend është shumë dinamik.
Me një ekonomi informale mbi 50% dhe përdorim të parasë cash më të lartin në rajon, në pamje të parë duket sikur nuk ka shumë punë për bankat.
Në fakt ka punë për ta dhe disa shit-blerje të fundit, të kryera në gjysëm errësirë, i kanë shtuar dyshimet se disa prej bankave i kanë shtuar cv së tyre pastrimin e parasë.
4.3. Shoqëritë financiare jo – bankare.
Shoqëritë e sigurimeve e kanë filluar pak më herët pastrimin e parasë. Tashmë disa prej tyre e ofrojnë për të tretët.
Shoqëritë e kursim – kreditit janë në rritjen e biznesit të tyre dhe çuditërisht janë përfshirë edhe në pastrimin e parasë.
4.4. Bastet, llotaritë dhe kazinotë
Për momentin ka një moratorium për lojrat e fatit. Megjithatë ligji ka një klauzolë për lejimin e kazinove në hotelet me 5 yje e lart.
4.5. Spitalet private, shkollat private, futbolli.
Nuk zënë ndonjë peshë të madhe në totalin e vendit, por kanë pjesën e vet. Transaksioni më i fundit ishte blerja në Tiranë e disa magazinave të viteve ’70, të adaptuara keq si spital.
4.6. Shpenzimet për bizhuteri, piktura dhe gjëra të tjera të luksit.
Bëhet rëndom kudo në botë dhe është një nga format e kamufluara të pastrimit të parasë.
Në Shqipëri nuk ka ndonjë shifër se sa ndodh, përveç tregut relativisht fitimprurës të bizhuterive dhe materialeve të çmuara, i cili nga ana e vet është një tregues i tërthortë i asaj për të cilën po flasim.
4.7. Mallrat e konsumit luksoz dhe jeta luksoze në përgjithësi.
Shpenzimet e pajustifikuara të jetesës janë karakteristikë e disa grupeve shoqërore në Shqipëri, ku mund të listohen elementë të krimit të organizuar, politikanë dhe familjarë të tyre, biznesmenë, etj.
Format më të dukshme të shpenzimeve të tyre të pajustifikuara janë makinat e shtrenjta, restorantet luksoze që frekuentojnë, etj.
5. Kush pastron para në Shqipëri?
5.1. Trafikantët lokalë të drogës dhe qenieve njerëzore.
Shqipëria është tashmë furnitori kryesor i Europës me hashash të prodhuar në vend. Ky prodhim kontrollohet bashkë me eksportin nga banda kriminale me aktivitet brenda vendit.
Përveç hashashit, Shqipëria po zë një vend të rëndësishëm edhe në trafikun e heroinës dhe atë të kokainës.
Trafiku i qenieve njerëzore, kryesisht gra dhe fëmijë, jashtë dhe brenda vendit, po njeh sërish rritje vitet e fundit.
Totali i të ardhurave nga këto biznese kriminale vlerësohet diku tek 1 miliardë euro/vitin e fundit.
5.2. Bandat kriminale shqiptare në Europë, UK dhe Amerikë.
Raportet e fundit nga këto vende tregojnë se shqiptarët janë ndërkohë të dalluar në trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore.
Pamundësia e shqiptarëve për t’u integruar në punë të ligjshme ka bërë që në vite, një pjesë e tyre të bëjnë karrierë në fushën e krimit të organizuar.
Përsa i përket parave që fitojnë, mbeten “patriotë”, pasi shumicën e tyre i dërgojnë në Shqipëri e kjo sigurisht jo për patriotizëm, por për lehtësitë në pastrimin e tyre.
Vlerësohet se totali i të ardhurave kriminale prej tyre në vend të jetë rreth 1 miliardë euro/vitin e fundit.
5.3. Politikanë, funksionarë të lartë, gjykatës, prokurorë.
Ryshfetet, shitja e të drejtave publike, shitja e vendimeve të gjyqit, janë disa nga shfaqjet korruptive që gjenerojnë para’ dhe rrjedhimisht shtojnë sasinë e parasë për t’u pastruar në vend.
Në raportin më të fundit, KLSH vlerëson që dëmi ekonomik vjetor i qeverisë ishte 1 miliardë euro.
Gjithsesi, shuma e parasë neto për t’u pastruar nga kjo kategori vlerësohet rreth 300 milion euro/vitin e fundit. Një specifikë e tyre është edhe që janë më pak “patriotë” se antarët e bandave, pasi kanë filluar të depozitojnë para’ nëpër llogari off shore në parajsa fiskale jashtë vendit.
5.4. Biznesmenë
Kontrabanda me mallrat e akcizës dhe evazioni fiskal janë 2 fusha që prodhojnë shumë para’ të jashtëligjshme dhe kjo për një grup shumë të vogël biznesmenësh.
Megjithatë, në saj të sistemit tejet të korruptuar fiskal, këta biznesmenë raportojnë çfarë duan në bilancet e tyre, kështu që e mbyllin brenda për brenda pastrimin e produktit kriminal të tyre.
Aq shumë e influencojnë sistemin fiskal kjo kategori biznesmenësh, saqë ndryshimet ligjore dhe rregullative dhe gjithashtu emërimet e larta bëhen vetëm me kërkesën, apo miratimin e tyre.
Së fundmi ekspertët po kristalizojnë mendimin e tyre edhe për përdorimin e kontratave me qeverinë, kryesisht ato PPP, për qëllim pastrimi parash.
Vlera e parasë që ata nxjerrin nga sistemi dhe e pastrojnë sërish është rreth 400 milion euro/vitin e fundit.
6. Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri.
6.1. Kapaciteti ligjor dhe rregullativ për luftën kundër pastrimit të parasë.
Shqipëria ka disa ligje dhe akte nënligjore, që lidhen me këtë luftë. Janë kryesisht të blera nga ekspertiza ndërkombëtare e ofruar bujarisht nga BE, por shpesh edhe nga SHBA.
Kjo ekspertizë ka ndërtuar një kornizë aspak të përshtatshme ligjore për t’u zbatuar.
Në shumicën e rasteve ekspertët kanë dhënë modele bazuar në eksperiencën e vendeve te tyre, ndërsa në pakicën e tyre, ata kanë qenë ekspertë të midhjes dhe peshkut, jo ekspertë të luftës kundër pastrimit të parave.
Nga ana tjetër, është për të ardhur keq, që kapacitetet intelektuale të angazhuara dhe të specializuara nuk kanë krijuar traditën institucionale përkatëse, në mënyrë që të jenë të afta të prodhojnë ligje e rregulla adekuate.
Emerimet nepotike dhe politike janë karakteristika kryesore e personelit edhe për këtë kategori.
6.2. Kapaciteti i institucioneve të zbatimit të ligjit.
Teknikisht janë 5, por produkti që ofrojnë është jashtëzakonisht i dobët.
6.2.1. Banka e Shqipërisë ka filluar t’i bjerë larg e larg çështjes së pastrimit të parasë, por konkretisht nuk kemi asnjë konstatim të tyre në bankat e nivelit II, apo në istitucionet financiare jo – bankare, të cilat i ka në objekt kontrolli.
Padyshim që nuk është vetëm çështje paaftësie, por shumë më tepër.
Përkundrazi, duket se BSH ka shumë për të bërë transparencë, pasi deri më tani nuk i ka ofruar as prokurorit, as publikut një akt auditimi serioz për skandalin e ish – Guvernatorit, që u kap duke ndërruar karta me kartëmonedha.
6.2.2. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Shpresoj që të paktën ta dinë se ligji i tyre i ngarkon edhe me çështje të luftës kundër pastrimit të parave.
Në raportet e tyre, kjo gjë nuk duket.
6.2.3. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Varet nga Ministri i Financave, pra nga qeveria, e cila është objekt i punës së saj dhe konflikti i interesit nuk është thjesht në dukje, por real.
Është një institucion që përdoret si çomangë nga pushteti për të vendosur gjoba të mëdha dhe nga drejtori i radhës për gjoba të vogla.
Përdoret gjithashtu për realizimin e planit të sekuestrimeve, që normalisht iu kthehen të zotëve dhe për pak sa harrova, përdoret edhe për pritje – përcjelljen e ekspertëve të huaj.
Në raportin vjetor të aktivitetit gënjen.
6.2.4. Drejtoria e Luftës Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
Është një shaka institucionale. Punonjësve të kësaj drejtorie, në përgjithësi, iu vjen turp të tregojnë ku punojnë.
Një strukturë e ngritur prej më shumë se 10 vitesh dhe që nuk ka një manual sado të dobët të punës, apo një metodologji sado të shkurtër.
Për të mos përmendë çështje të ekspertizës së stafit, tek e cila lëvizjet e shpeshta të organikës e kanë këtë sektor si xhep apandesiti.
6.2.5. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
E kam thënë dhe vazhdoj ta them, që pa përfshirjen e kontrollit fiskal, asgjë nuk ka prej luftës kundër pastrimit të parave dhe parandalimit të krimit të organizuar në përgjithësi.
Kjo është një temë shumë e larmishme, të cilën e trajtoj dhe në librin tim të fundit që pret botimin, por duhet theksuar patjetër, që roli i fiskut në kontrollin e parasë është i pazëvendësueshëm.
Ajo, që ndodh në të vërtetë, është hë për hë veç përmendja e pastrimit të parave në ndryshimet e ligjit e tatimit mbi të ardhurat.
6.3. Vullneti politik për luftën kundër pastrimit të parave.
Lufta kundër pastrimit të parave është një tabu për shumicën e qeverive në botë.
Ku më shumë, siç është Shqipëria, e ku më pak ligjbërësit dhe ligjzbatuesit janë edhe ata objekt i kësaj lufte, ndaj realisht është një nga punët që lënë më shumë pas dore.
Gjithsesi, në Shqipëri, vullneti i shprehur politik edhe i qeverisë, edhe i opozitës është në mbështetje të luftës kundër pastrimit të parave.
7. Çfarë është për ekonominë pastrimi i parave dhe a janë të pastra paratë e shqiptarëve?
MONEYVAL, një trupë monitoruese e ngritur dhe që funksionon brenda KE, e specializuar për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, e ka Shqipërinë objekt të punës së vet.
Në raportin e tyre të fundit e klasifikojnë Shqipërinë në listën e zezë, teknikisht pra të vendeve që duhen mbajtur nën vëzhgim të rreptë.
Ata përmendin në raport të gjitha kërkesat e plotësuara dhe të paplotësuara nga Shqipëria.
Mua nuk më thotë ndonjë gjë të madhe ai raport, pasi situata e vërtetë është shumë e keqe, krahasuar me atë që përshkruan raporti.
Jam në gjendje të kuptoj qartë se ekspertët kanë qene nga ata të midhjes dhe të peshkut, megjithatë nuk kanë arritur të japin një notë kaluese.
Ky raport, pra, megjithëse i dobët, dëmin mund ta bëjë të madh në mars kur të ri – diskutohet çështja e fillimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Siç e pamë më lart, ja pra një nga të këqijat e mëdha të pastrimit të parave.
Shkatërrimi i konkurencës dhe rrjedhimisht bllokimi i investimeve serioze të drejtpërdrejta të vendit dhe të huaja.
Korruptimi i sistemit dhe shkatërrimi i kuadrit ligjor e rregullativ në favor të një grushti njerëzish.
Shkatërrimi i tregut të lirë, ku kërkesë – oferta nuk ka më kuptim dhe çmimet kontrollohen prej këtij grupi njerëzish.
Rritja e importeve, dmth thellim i deficitit tregtar, pasi kriminelët janë të interesuar në zbrazjen e magazinave nëpër botë në vend të investimeve për rritjen e prodhimit vendas.
Rritja e papunësisë dhe rrjedhimisht ulja e nivelit të jetesës, që shoqërohet me diferencimin e madh të shtresave shoqërore.
Rritja e varfërisë, kriminalitetit, etj, etj.
Paratë e pista, pra, janë morri i ekonomisë.
Problemi është se sapuni duket sikur po i shton morrat dhe kjo është qeveria e korruptuar, e cila po akuzohet, jo vetëm për kaq, por për bashkëpunim.
Unë nuk hyj tek ai grup njerëzish, që e fillojnë ditën me dyshime.
Aq më tepër, profesioni që kam dhe ekspertiza që ofroj më diktojnë, që të jap këshilla në vend të akuzave.
Transparencë e ka emrin këshilla ime e parë për qeverinë. Le t’i pranojmë të vërtetat, pasi vetëm ashtu mund të pretendojmë ndonjë përmirësim.
Në vitin ’97 e pyetën njëfarë kryetar shteti për punën e ca kompanive rentiere, që po plaçkisnin popullin haptazi fare.
Përgjigja e tij ishte, sipas meje, më kriminalja e mundshme.
Ai tha: “Paret e shqiptarëve janë më të pastrat në botë!”
Sikur gjysmën e të vërtetës të kishte thënë atë ditë ai burrë, lëre më sikur t’i ofronte publikut transparencën e nevojshme, historia e Shqipërisë do të ishte ndryshe.
Kriminalizimi i ekonomisë, që po ndodh sot, kërkon transparencë dhe veprim, përndryshe 97 do kujtohet për mirë, krahasimisht me simotrën që babëzia e krimit po përgadit.