“SPAK do arrestojë Metën në flagrancë”/ Avokati i kujton nenet e Kushtetutës

Avokati Spartak Ngjela përmes një postimi në rrjet paralajmëron Presidentin Ilir Meta se mund të arrestohet në kushtet e flagrancës nga SPAK.

Ngjela shkruan se “Meta po na thotë këto ditë se në datën 2 mars të këtij viti do të shkelë nenin 221 të Kodit Penal, duke drejtuar popullin kundër institucioneve dhe rendit kushtetues, ndërkohë është President i Republikës”.

“Në fakt, kuptohet se ka rënë në një injorancë ala shqiptare: deri tani bota ka parë individë që kanë bërë kryengritje për t’u bërë presidentë të republikave të tyre, kurse, një shqiptar, po i tregon Perëndimit se paska dhe një president që bën kryengritje të mos rrëzohet me vota në parlament. E dini pse? Se ky president nuk ka ushtri në drejtimin e tij”, shkruan Ngjela.

Postimi nga Spartak Ngjela

Nga Spartak Ngjela

Çfarë po u thotë Ilir Meta shqiptarëve?

Jo, Meta kërkon të trembë politikën amerikane me kryengritje.

Kurse Zeusi po qesh.

l.
Meta po na thotë këto ditë se në datën 2 mars të këtij viti do të shkelë nenin 221 të Kodit Penal, duke drejtuar popullin kundër institucioneve dhe rendit kushtetues.
Dhe është ndërkohë Presidenti i Republikës.
Në fakt, kuptohet se ka rënë në një injorancë ala shqiptare: deri tani bota ka parë individë që kanë bërë kryengritje për t’u bërë presidentë të republikave të tyre, kurse, një shqiptar, po i tregon Perëndimit se paska dhe një president që bën kryengritje të mos rrëzohet me vota në parlament. E dini pse? Se ky president nuk ka ushtri në drejtimin e tij.

ll.
Zoti Meta, po të do populli, ai të mbron pa qenë nevoja që ti të biesh në krime. Por ja që shqiptarët të përbuzin. Ende nuk e ke marrë vesh këtë?
Por, a e di Ilir Meta që Prokuroria e Posaçme, me forcën juridike që i jep neni 135/2 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 235 i Kodit të Procedurës Penale, e arreston atë në flagrancë, dhe brenda disa ditëve ia dërgon për gjykim Gjykatës së Posaçme me akuzë për kryengritje, apo për akt kundër rendit kushtetues?
E di Meta që paragrafi i dytë i nenit 221 të Kodit Penal, i kryengritjes, e dënon atë me burgim të përjetshëm, si kryetar të lëvizjes kundër rendit kushtetues?

LEXO EDHE  Malaj: Jam kundër kriptomonedhave, studentët të mos investojnë paratë e prindërve

lll.
Dhe ja pyetjet e tjera që ngrihen për këtë rast.
E di Meta që nuk i tremb dot amerikanët në lidhje me reformën?
E di Meta që tragjedinë e tij, që i ka sjellë humbjen e ekuilibrit, në Perëndim, do ta shkruajnë si komedi?
E di Ilir Meta që SPAK, i cili do ta arrestojë në flagrancë, ka mbështetjen e aleancës perëndimore?
E di Meta që asnjë institucion politik apo juridik i Bashkimit Europian nuk ia përkrah nonsenset që po thotë?
E di Meta që, për krimet e më sipërme, nuk e gjykon Gjykata Kushtetuese, por, në bazë të nenit 135/2 të Kushtetutës, është SPAK-u ai që e heton dhe e gjykon Presidentin e Republikës së Shqipërisë për një krim të kryer prej tij?
Po, VËRTET mendon ky Meta se mund të trembë politikën amerikane, dhe më gjerë në Perëndim, me një kryengritje fantazëm?
E di Meta që, arrestimi i tij në flagrancë do të krijonte eufori gëzimi te të gjithë shqiptarët?

Nëse Meta i di të gjitha këto, është më mirë për të, të zbatojë këshillën e dhënë nga Dante Aligeri: merre jetën ashtu si të vjen! (prendi la vita come ti viene!)…