Kush po tallet me Lulzim Bashën?

Nga Boldnews.al

Pak kohë më parë media njoftoi mbi krijimin e një zyre jashtë selisë së Partisë Demokratike, e cila do të kujdesej për imazhin e kreut demokrat Lulzim Basha.

Rezultatet nisën pak ditë pas këtij lajmi, kur kreu demokrat nisi të shfaqej në publik ndryshe, me një imazh tjetër, por jo më serioz se ai i mëparshmi.

Këshillat e reja që po i jepen kreut të PD-së, kandidatit për Kryeministër të opozitës, kanë shtuar dozat e humorit, ndërsa Basha po shfaqet në publik pothuajse njëlloj si dikur Edi Rama apo Erion Veliaj.

E nëse Rama apo Veliaj praktikuan fushatën “derë me derë”, Bashës i kanë gjetur fushatën “po të dëgjoj”.

Apo nëse Rama kur ishte në opozitë, sot e aplikon më rrallë, merrej me rrjetet sociale duke komunikuar me qytetarët, sot Bashës i është paraqitur si risi ky lloj komunikimi.

Show me qese me fruta apo perime, vizitat e “befasishme” në shtëpitë e qytetarëve apo në ndonjë konvikt në Qytetin Studenti, hapat se si duhet pirë kafja e mëngjesit, janë disa nga shfaqjet që Lulzim Basha po dhuron, i këshilluar nga “këshilltarët e rinj”.

E vetmja arritje e deritanishme e “këshilltarëve” apo “mbrojtësve të imazhit” është komunikimi i parë i Bashës me ndjekësit përmes Instagramit.

Këtë mund t’a arrinte edhe pa pasur nevojën e një zyrë apo strukture të re, mjaftonte të pyeste dikë nga të rinjtë e FRPD-së, dhe ndoshta mund t’a ndihmonte dhe t’ia shpjegonte shumë më mirë se ata aktualët.

Shfaqjen e parë, kreu i PD-së e dhuroi në një prej lokaleve në qendër të Tiranës, ku ai na shpjegonte se si duhej pirë kafja. Në formën e një spoti, Basha më shumë ngjasonte me një reklamues të kafes sesa me pozicionin që ka dhe atë që pretendon të jetë, Kryeministri i vendit.

Pak ditë më pas, u shfaq si një djalë i mirë, punëtor dhe shtëpiak, duke ndihmuar një grua të moshuar, e cila vetë mbante në duar dy qese me pak perime, ndërsa Basha e ndihmonte duke mbajtur një qese me 4 shegë ose mollë, të cilat ia kishte blerë si “dhuratë” meqë e moshuara nuk kishte mundësi.

Sërisht të nesërmen, Basha shfaqet në shtëpinë e të moshuarës ku e pyet për gjendjen ekonomike, interesohet për medikamentet që ajo përdor, për familjarët që ka të papunë, dhe në fund thotë se “edhe prindërit e tij marrin ilaçe”, por kur të vijë PD në pushtet situata do të ndryshojë.

LEXO EDHE  ANALIZA e 12 ekspertëve botërorë, vënë në dyshim panikun lidhur me koronavirusin

Pas dy ditësh pushim, kreun demokrat e shohim duke trokitur në një derë, ndërsa pasi komunikon me familjarin, i drejtohet: a mund të të bëjë një pyetje intime. Për një moment bashkëbiseduesi shtanget dhe pyetja rrufe që i vjen është: a mund t’a hap pak frigoriferin? Pas kësaj qytetari duket se lehtësohet, Basha hap frigoriferin, rezulton se ai është bosh, dhe në fund kreu demokrat, sipas këshilltarëve të tij, kupton se varfëria ka arritur aty ku nuk mban më.

Më pas, e çuan në një servis automjetesh, ku pyet pronarin sa vjeç është dhe nëse është i martuar. Pronari ishte beqar, dhe në shpejtësi e sipër, Basha i thotë: e se je i vogël…
Në një tjetër shfaqje, kreu demokrat fotografohet me kapele dhe kapuç, një veshje pak a shumë që përdoret nga adoleshentët, por koha kur u shfaq video me lejen e “këshilltarëve të rinj” përkoi me një mot të mirë në Tiranë, kur temperature shënonte 20 gradë.

Ditën e sotme, Basha vendosi që përmes Instagramit ti drejtohet shqiptarëve me një mesazh.

“Çdo ditë është një mundësi e re për të bërë një hap përpara në ndryshimin e vendit. Ndaj sot kam shumë dëshirë t’ju kujtoj se ne mund të sjellim ndryshimin, mjafton ta dëshirojmë e punojmë për të! Ju ftoj të postoni foton tuaj sot me hashtagun #DiteMeTeMira”, thuhet në postimin e kreut demokrat.

Me siguri kjo ishte gjetja më e fundit e “këshilluesve” që i kanë mbushur mendjen për gjetjen e një formule, për ditët më të mira që do të vijnë.

Ndoshta mund të vazhdonin pak më tej, sikur ta këshillonin se ditët më të mira do të vinin më shpejt nëse, 1 person do të shpërndante postimin në 20 vetë e kështu me rradhë.

Por edhe kjo mund të ndodhë në ditët në vijim, ku nuk përjashtohet as mundësia që kreut të opozitës t’i këshillohet që me një fener në dorë të shfaqet i vetëm para godinës së Kryeministrisë, pasi kjo do të largonte Edi Ramën.