Demokraci e (pa) konsoliduar

Nga Ilir Kalemaj

Ndër vendet që kanë përshkruar fazat e tranzionit nga një regjim diktatorial, të centralizuar dhe me ekonomi plani drejt demokracisë liberale me esencën e saj të kushtetueshmërisë dhe shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancës reciproke të pushteteve, garantimin e lirive themelore dhe përqafuar ekonominë e tregut si model zhvillimi, mund të nxirren disa deduksione interesante për të parë se pse vallë kemi ngecur në kurthin e status kuo-s, duke thelluar hendekun që na ndan nga vendet e BE-s, ku synojmë të integrohemi.

Megjithëse format jo-demokratike të regjimeve variojnë nga ekstremet e totalitarizmit dhe sultanizimit deri te format me te moderuara te post-totalitarizmit apo autoritarizmit, me natyrisht dallime të thella mes vedi, ka disa karakteristika të përbashkëta që kanë të bëjnë me përqëndrim të pushtetit te një pakicë, ekonomi e centralizuar, sferë e kufizuar apo totalisht e mohuar e të drejtave politike por edhe civile etj.

Parë nga ky këndvështrim, edhe tranzicionet ndonëse mund të fillojnë dhe kompletohen nëpërmjet pakteve politikë si në rastin e Spanjës apo Brazilit “Reforma Pactada-Ruptura Pactada)” (Stepan dhe Linz), nëpërmjet një “tranzicioni transaktional” (Mainëaring dhe Share), revolucioni,  tranzicioni bazuar në pakt social si rasti i Polonisë apo i filluar në mënyrë të dhunshme si në Rumani etj. Mënyra si një tranzicion fillon përcakton shpeshherë edhe mënyrën si përfundon dhe kemi të bëjmë me pranimin e “demokracisë si të vetmen lojë në qytet” nëse do perifrazonim Adam Prezovskin.

Në rastin e Shqipërisë, shumë është thënë dhe vazhdon të thuhet mbi fatin e mbramë të tranzicionit. A ka përfunduar dhe kemi të bëjmë me demokraci të konsoliduar apo jo? Pyetje kjo që varion nga indikatorët qofshin këta ekonomikë, socialë, politikë dhe kulturorë. Në rrafshin ekonomik, megjithë kalimin e menjëhershëm nga ekonomia e planit në atë të tregut, shpesh duke aplikuar aksioma të terapisë së shokut me privatizimet masive, reduktimin drastik të nëpunësve civilë dhe ushtarakë, reduktimin e ndjeshëm të burokracisë, nxitjen e sipërmarrjes private etj., formalisht mund ta quajmë tranzicionin ekonomik të kompletuar.

Por vetëm formalisht ama se kërcënimi i pjesës së palegalizuar së ekonomisë, ekonomia gri dhe ajo kriminale janë risqe jo të pakta që influencojnë dhe dëmtojnë aftësinë konkurrenciale të ekonomisë shqiptare vencarisht pas hapjes së negociatave me BE-në. Kjo reflekton dhe kriterin e dytë të Kopenhagenit të cilin Shqipëria ende nuk e ka përmbushur.

LEXO EDHE  Reforma Administrative/ Vasli: Rilindasit mashtruan dhe qerasën militantët me vende pune

Në rrafshin social dhe kulturor, më tepër lidhet me kulturën e respektimin të normave dhe institucioneve, zbatueshmërinë e ligjit dhe sjelljes si europianë për të përcaktuar finalité politique me destinacion BE-në, pra europianizimi i vendit dhe qytetarëve të tij, sesa thjesht me transpozimin e ligjeve të acqui communitaire  në mënyrë formale.

Në aspektin politik, ajo që të çudit është se gjithë klasën politike e kemi në dukje avokate të palëkundur të rrugëtimit europian, mbështetëse në verb të normave të konstitucionalizmit, demokracisë, shtetit të së drejtës, ndërsa nga ana tjetër bëjnë bash të kundërtën kur vjen puna për të ndërtuar relata me nëjri-tjetrin apo ura bashkëpunimi të qëndrueshme me qytetarët. Këta të fundit shpesh cilësohen thjesht si votues, pra si konsumatorë politikë, por jo si pjesmarrës aktivë të një demokracie bazuar mbi standarte.

Sa mbarojnë fushatat elektorale, kemi sindromën që shprehet aq bukur në shprehjen popullore, “hodha lumin, ta dhjefsha kalin”. Njerëzve të këtij vendi nuk u ngelet veçse të presin mashtrimin elektoral të radhës ku u duhet të zgjedhin sërish mes së keqes më të vogël. Nuk kemi realisht një aleancë me qytetarin, partneritet të qëndrueshëm me shoqërinë civile dhe kultivimi e partneritetit publik-privatqë duhet të ishin parakushte për zhvillimin e vendit dhe nxjerrjen nga moçalishtja ku jemi zhytur. Antagonizmi i skajshëm u shërben palëve për të kompesuar mungesën e legjitimitetit faktik, por jo perspektivës afatgjatë të vendit.

Vetëm një sinergji që bazohet në modele të aplikueshme zhvillimi, me strategji dhe objektiva të qartë që marrin parasysh kushtet aktuale dhe potencialet e vendit do të bënte të mundur kapërcimin e ngërçit ku politikanë të papërgjegjshëm na kanë futur. Në këtë proces,  kryesore dhe parësore janë burimet njerëzore të mirëkualifikuara dhe me integritet që për fat të keq i kemi me pikatore, për të maksimizuar energjinë dhe kompetencën e tyre profesionale, gjë që do të ishte rruga për të dalë nga bataku tranzicional ku jemi zhytur.