Spartak Ngjela në një analizë në rrjetet sociale ka numëruar shkeljet kushtetuese të Aktit Normativ të miratuar nga qeveria lidhur me anti-KÇK-në. Ngjela shprehet se shkelja e Kushtetutës është e rëndë, sepse ministri i Brendshëm, në një aspekt të rëndësishëm të hetimit të kriminalitetit, drejton gjysmën e pushtetit gjyqësor- kjo është një shkelje e rëndë e Kushtetutës.
“Cili është institucioni që ngrihet në nenin 8, me anë të këtij akti normativ?
Institucioni e mban emrin: Komiteti Kombëtar i Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar.
Aspekti më i rënduar antikushtetues që del nga ky nen është fakti se, sipas tij, Komitetin Kombëtar të Koordinimit duhet ta drejtojë ministri Brendshëm. Por, në këtë komitet, i cili kryesohet nga ministri i Brendshëm gjendet kjo përbërje: si anëtarë të tij jane: Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Shërbimit Informativ, ministri i Drejtësisë, ministri i Finacave etj.
Si ka mundësi të pranohet si koncept juridik që, Prokurori i Përgjithshëm të drejtohet në një komitet nga ministri i Brendshëm, komitet ky i cili merret drejtëpërsëdrejti me krimin e organizuar?!”, vijon analizën e tij Ngjela.
Sipas avokatit, fakti që përpara nesh dalin shkeljet e mësipërme, të cilat cënojnë sovranitetin e popullit, pushtetin e pavarur gjyqësor dhe karakterin doktrinar të urgjencës në lidhje me aktin normativ, ky akt normativ është akt juridik absolutisht i pavlefshëm.
Nga Spartak Ngjela
Duke i qëndruar strikt mendimit që e Drejta Komunitare ka në lidhje me aktin normativ; Duke parë edhe qëndrimin e të drejtës shqiptare në lidhje me aktin normativ të formuluar nga qeveria;
Pasi iu drejtuam dhe Nenit 101 të Kushtetutës; Arritëm në konkluzionin se: ligji “Për masat parandaluese të terrorizmit, krimit të organizuar”, është një akt normativ, i cili e kapërcen objektin që përcakton e Drejta Komunitare në lidhje me aktin normativ.. Akti normativ, si koncept juridik, u strukturuara në vitin 1895 nga juristi i madh gjerman, Otto Mayer, i cili e konsideroi forcën administrative të qeverise në një momenti të caktuar si akt normativ që duhet të dalë nga qeveria, për nevojë dhe urgjencë. Këtë qëndrim mban edhe e drejta jonë.
I. E Drejta Komunitare, sikurse edhe e Drejta Shqiptare, nuk e pranon gjendjen e jashtëzakonshme si nevojë dhe urgjencë. Për të gjitha këto, në rast se do ta shohim me vëmendje ligjin që po marrim në kritikë, arrijmë në konkluzionin se, në ketë ligj, mungon nevoja dhe urgjenca të cilat përbëjnë karakterin teorik të përcaktuar.
Është pamundësi absolute që të konsiderosh një ligj me 40 nene nevojë dhe urgjencë imediate për qeverinë; sepse ky akt, me këtë strukturë juridike që paraqet, ka karakterin e një kodi, i cili kurrë nuk mund të dalë me një akt normativ. Çfarë e ngut qeverinë Rama të ndërmarrë një akt të tillë? Asnjë gjë urgjente. A bie ndesh me përmbajtjen në kuptim të objektit universal ky ligj, i cili tani ende e ka emrin akt normativ?
Ky akt normativ bie ndesh me Kushtetutën, në funksion të Reformës në Drejtësi; bie ndesh me të gjitha ligjet me të cilat është formuluar reforma në drejtësi: ai bie ndesh me Byronë Kombëtare të Hetimit; bie ndesh me Prokurorinë e Posaçme, si veprimtari juridike anti – korrupsion dhe kundër krimit të organizuar.
Situata e sotme teorike, e strukturuar juridikisht si reformë në drejtësi, nuk e ndan krimin e organizuar nga korrupsioni. Përkundrazi, në këtë luftë reformuese, primar është korrupsioni, sepse të gjitha studimet në lidhje me korrupsionin shqiptar kanë vërtetuar se, korrupsioni i lartë shtetëror dhe krimi i organizuar i niveleve të larta, kanë qenë dhe janë bashkë në drejtimin adminsitrativ të Republikës së Shqipërisë.
Atëherë: përse akti normativ që kemi përpara e ndan korrupsionin e nivelit të lartë shtetëror nga krimi i organizuar?
Analiza që do t’i bëjmë aktit normativ, i jep përgjigje kësaj pyetjeje.
II. Objekti i Ligjit
Objekti i këtij ligji shihet se janë vetëm organizatat, grupet e strukturuara kriminale dhe organizatat terroriste, bandat e armatosura etj; por, në Nenin 1 të aktit normativ, në të cilën shprehet objekti, nuk përcaktohet korrupsioni i lartë shtetëror, i cili është i provuar se ka lidhje me krimin e organizuar. Ky është defekti kryesor i këtij ligji.
Ligji rrëzohet, sidomos formalisht dhe doktrinalisht, pikërisht tek qëllimi, që përcakton Neni 2 i tij.
Neni 2 shprehet se:
“Qëllimi i këtij akti normativ është ndërhyrja emergjente dhe me karakter të përkohshëm, në kushtet e nevojës së forcimit dhe ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar…”
Doktrina e së Drejtës Komunitare dhe e së Drejtës Shqiptare nuk e pranon këtë qëllim si nevojë dhe urgjencë. Që të dalë një akt i tillë administrativ normativ duhet që, domosdoshmërisht, të kemi nevojë dhe urgjencë. Doktrina e së drejtës sonë dhe ajo e të Drejtës Komunitare, nuk e pranon emergjencën, madje as vetë gjendjen e jashtëzakonshme si urgjencë, sepse ndërpritet procedura parlamentare në daljen e një ligji, dhe humbet koncepti i sovranitetit.
Dalja e një ligji, brenda strukturës të së drejtës të një shteti të caktuar, në substancë, është pjesë e pandarë e sovranitetit. Arsyeja kryesore pse akti normativ duhet të jetë shumë i kufizuar qëndron te fakti se, edhe për 45 ditë që ai ka forcë, nuk duhet të cenojë sovranitetin e popullit. Mbajtësi i sovranitetit të popullit nuk është qeveria, por Kuvendi i Shqipërisë.
Kjo është arsyeja që doktrina juridike e të Drejtës Shqiptare dhe ajo Komunitare ka vënë si ngarkesë absolute të aktit normativ nevojën dhe urgjencën. Këto të dyja nuk mund të ndahen nga njëra – tjetra, sepse kanë koneksion juridik, prandaj, edhe nëse qeveria ka nevojë ajo duhet të jetë urgjente. Nëse kjo nevojë nuk është urgjente, akti normativ nuk mund të dalë.
Pyetja që ngrihet këtu në këtë rast është kjo:
Cila është urgjenca aktuale për luftën kundër krimit të organizuar në Shqipërinë e sotme? Nuk ka asnjë urgjencë, kjo, në fakt, është një çështje që ka të bëjë me vullnetin politik dhe arsyen juridike, e cila domosdoshmërisht duhet të vijojë në kohë.
III. Neni 5 i ligjit përcakton subjektet e këtij akti normativ.
Të gjithë subjektet e paraqitur në nenin 5, që janë persona të dënuar me vendim penal të formës së prerë, brenda dhe jashtë Shqipërisë; me pjesëmarrje në krime të kryera nga organizata kriminale; që janë organizata terroriste – por, që të gjitha këto, janë të parashikuara në rreth 28-30 dispozita ligjore të Kodit Penal. Kjo është arsyeja që Neni 5 i ligjit rrëzon përfundimisht doktrinën e të Drejtës Komunitare dhe të Drejtës Shqiptare, në funksion të urgjencës. Si mund të jetë në urgjencë, hetimi i veprave penale të parashikuara në 30 nene?!
Ky është pa dyshim një absurditet juridik, sepse, siç e kemi theksuar, në funksion të karakterit strik – juridik akti normativ kërkon nevojë dhe urgjencë.
VI. Shkelje e rëndë kushtetuese e këtij ligji është edhe neni 8, i cili parashikon ngritjen e një institucioni të ri juridik.
Si ka mundësi të konceptohet si urgjencë ngritja e një institucioni të lartë shtetëror me akt normativ? Kjo është një kontradiktë në objekt, që automatikisht rrëzon dhe e bën aktin normativ të pazbatueshëm. Pikërisht për këtë, në rast se ky akt normativ zbatohet, kryeministri shqiptar duhet të akuzohet në një proces penal për shpërdorim të theksuar të detyrës, edhe pse vendimi është marrë kolegjialisht me ministrat e tjerë.
Cili është institucioni që ngrihet në nenin 8, me anë të këtij akti normativ?
Institucioni e mban emrin: Komiteti Kombëtar i Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar.
Aspekti më i rënduar antikushtetues që del nga ky nen është fakti se, sipas tij, Komitetin Kombëtar të Koordinimit duhet ta drejtojë ministri Brendshëm. Por, në këtë komitet, i cili kryesohet nga ministri i Brendshëm gjendet kjo përbërje: si anëtarë të tij jane: Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Shërbimit Informativ, ministri i Drejtësisë, ministri i Finacave etj.
Si ka mundësi të pranohet si koncept juridik që, Prokurori i Përgjithshëm të drejtohet në një komitet nga ministri i Brendshëm, komitet ky i cili merret drejtëpërsëdrejti me krimin e organizuar?!
Shkelja e Kushtetutës është e rëndë, sepse ministri i Brendshëm, në një aspekt të rëndësishëm të hetimit të kriminalitetit, drejton gjysmën e pushtetit gjyqësor- kjo është një shkelje e rëndë e Kushtetutës.
Analiza Përfundimtare:
Fakti që përpara nesh dalin shkeljet e mësipërme, të cilat cënojnë sovranitetin e popullit, pushtetin e pavarur gjyqësor dhe karakterin doktrinar të urgjencës në lidhje me aktin normativ, ky akt normativ është akt juridik absolutisht i pavlefshëm.