30 sekonda që shembën 30 vite batërdi ndërtimesh dhe korrupsion

Nga Boldnews.al

Tërmeti i orës 03.54 i 26 Nëntorit me “përafërsi” mbi 6.4 i shkallës Rihter, me epiqendër në Durrës, la pas 51 viktima, familje të shuara, mbi 1000 të lënduar dhe mijëra banesa të shkatërruara. Turp për ta thënë dhe shkruar, por ky tërmet quhet me përafërsi 6.4, pasi qendra sizmologjike në Durrës nuk funksionoi. Iku energjia elektrike dhe kompjuteri që maste magnitudën u fik, për mungesë të një UPS, që edhe pse disi specifik, nuk kushtonte më shumë se 50 mijë lekë të reja….

Jemi në vitin 2019, jetojmë në botën virtuale të qeverisë, por realitetin na e dha në duar ai tërmet shkatërrues. Zyrtarë të lartë lokal dhe qëndror, biznesmenë të lidhur me politikën, investitorë me para të sterrosura nga krimi, e kthyen bregdetin ranor në hekur, beton e mure që nuk mbajnë lëkundje tërmeti, pjesë të natyrës.

Shtesë mbi shtesë, ndërtim mu bash e në bregun e rërës, pa studim, me një shuk para në duar dhe merrje vule e firmë për të ndërtuar një përbindësh objekt. Miliona euro nga shitjet e apartamenteve, qoftë edhe me kusimet deri në fundin e pikës së djersës së qytetarëve, por edhe me miliona euro që vinin nga “prodhimet bio” të kanabisit.

Kur ka kaluar më shumë se një javë nga tërmeti tragjik, kanë dalë në sipërfaqe problemet e pafundshme të një shteti e pushteti, ku në botën virtuale na shitet si “mrekulli” e botës dhe në të vërtetë jemi aty nga fundi i saj. Ende janë të qetë ata zyrtarë që me firmën e tyre dhanë leje ndërtimi dhe kolauduan objekte të cilat nuk plotësonin kriteret dhe nga shkundjet e tërmetit u kthyen në rrënoja.

Edhe në një hotel që mori jetën e një njeriu ishte në emër të ish-drejtueses së Urbanistikës në Golem dhe si kolaudator kishte bashkëshortin e saj… Ngritën katër kate më shumë se projekti, ku lokalin dy katesh e bënë një mostër me shtesë mbi shtesë. E sot ata japin mend sërish, qajnë e lotojnë sa shfaqet një kamera, rrudhin buzët e veniten në fytyrë për të treguar se u dhimbsen jetët e humbura.

Sa shumë deputetë të PS-së janë parë në Durrës. Ikin e shohin pallatet me mure të rëna që ndërtuan vete, por hakërrehen duke thënë: “strukturat mbajtën”…. Zhdukin gjurmët e krimit në mes të ditës nga fadromat dhe kamionët e IKMT-së, të cilët ende pa u kryer ekspertizat e plota, pastrojnë inertet dhe i degdisin andej nga nuk u dihet as nam e as nishan.

LEXO EDHE  Kishin paketuar drogën gati për shitje, arrestohen dy shqiptarët në Itali

Disa humbën mall, por të tjerë kokë dhe sot ulërima është për rindërtimet, por pak e drejtojnë gishtin në përgjegjësinë e kësaj katrahure. Ligjin penal, administrativ e civil e kanë sfiduar sa herë kanë dashur, por ligjet e natyrës nuk mund ti bëjnë siç duan vetë, edhe pse prej gjashtë vitesh u është mbushur mendja se të jesh Rilindas ke atribute të “mbinatyrshme”.

Morën jetë njerëzish. Pirgjet me inerte ranë jo vetëm nga tërmeti, por nga makutëria e atyre që sot jetojnë, vijnë vërdall ende me kostum zyrtari dhe japin mend si mund të dilet nga kjo situatë. Ka edhe ata njerëz të pështirë, që toka ende i mban, si numri dy i Komisariatit të Rinasit dhe bashkëshortja e tij, kryetare e gruas së PS-së në Njësisë tre në Tiranë, që në ditën kur njerëzit ende gjendeshin nën rrënoja, ata vidhnin ndihmat që kishin ardhur për të prekurit.

Ka edhe nga ata drejtues të lartë, madje ministra që vrasin mendjen para pasqyrës se çfarë xhupi të veshin, në mënyrë që të ngjajnë sa më thjesht dhe si “punëtorë”, për të treguar në sytë e publikut se edhe ata janë si qytetarët… Ka edhe aktorë qeveritarë që derdhin lot, duke ia hedhur edhe krokodilit. Ka edhe nga ata ministra të plotfuqishëm në gjendjen aktuale që vetëm për një eveniment spektakël “Shqipëria punon tokën”, shpenzojnë 180 mijë euro, por as duan tia dijnë se zjarrfikësit, policët dhe ushtarakët që shkuan për ndihmën e shpejtë, nuk kishin asnjë mjet special me vete, por vetëm dy duart dhe veshjet galloshe të falura nga vendet e tjera.

Kemi edhe syresh ministra që edhe pse në njohuri vetëm ushtarake të bën rolin e inxhinierit, ekspertit dhe madje të kërcënon se po the: “Ky pallat ka dëmtime” të tregon “ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme” i cili të dënon për përhapje paniku.

Ka shumë qen antidrogë dhe antieksploziv, por asnjë qen shpëtimi që nuhat trupat njerëzor nën rrënoja. Tashmë nevojitet qen shpëtimi, por edhe “qen” special që nuhasin korrupsionin që sjell vdekjen. Ajo ditë duket se nuk do të vijë as pas shkundjes së madhe nga tërmeti që vrau qytetarët e mirë, la pa banesë hallexhiun dhe i shkuli një qime të vogël floku ndërtuesit të babëzitur, zyrtarisht të korruptuar të pështirë dhe politikejve që gjezdisin si çakej propagandistik.