Orët e para të 26 nëntorit, Shqipëria përjetoi një fatkeqësitë më të mëdha natyrore të dekadave të fundit, ku një tërmet shkatërrimtar mori 51 jetë të pafajshme dhe la pas qindra të plagosur dhe mijëra ndërtesa të shkatërruara.
Mes viktimave të tërmetit ishte edhe 25-vjeçari, Kristjan Preçi, pasi pallati ku ai banonte në Thumanë u rrënua terësisht nga lëkundjet e fuqishme të tokës.
Babai i të riut, Marjan Preçi rrëfeu bisedën e fundit me djalin dhe dëshirën e tij që mbeti e paplotësuar.
Ai tregoi se i biri priste të merrte rrogën pasi kishte punuar dy muaj në një fabrikë këpucësh dhe kishte planifikuar të festonte ditëlindjes e nënës së tij më 28 nëntor.
“Biseda ime e fundit ka qenë po atë natë, para se të ndodhte kjo, darka e datës 25, rreth orës 19:00. Kishte dy muaj që kishte filluar punë dhe nuk i kishte marrë akoma lekët. Kishte filluar në një fabrikë këpucësh afër Fushë-Krujës. Ishte akoma në provë si të thuash, erdhi pronari i vetë që solli lekët e djalit që kishte punuar, se nuk i kishte marrë akoma rrogën. Kam pasur këtë kujtim me djalin atë natë: Nëna e vet më datë 28 Nëntor ka pasur ditëlindje. Më thotë babi, kur t’i marr lekët do ta marr mamin edhe gjyshen dhe do të shkoj të haj një drekë tek një restorant që është këtu, që kushton pak, se kam filluar edhe punë dhe kam qejf që ta çoj mamin dhe nënën”, tha ai për tvklan.
Më tej, ai rrëfeu se në tërmetin e mëparshëm, të dy apartamentet e tij kishin pësuar plasaritje dhe krisje të dukshme.
“Dhoma e gjumit kishte një plasje horizontale, rreth e rrotull në tavan. 20-30 centimetra poshtë tavanit. Pika ku ka fjetur djali, në dhomën e ndenjes, ka pasur një çarje të fuqishme muri deri në një farë pike, tipit sikur bie rrufeja, shumë degëzime. Edhe po e njëjta gjë tavani. Kishte edhe çarje nëpër qoshe, vertikale.”, shtoi ai
Babai i Kristjanit rrëfen dhe momentin kur mori vesh lajmin e hidhur për të birin dhe ndihmën që i dhanë për t’u kthyer nga Gjermania, aty ku punonte prej vitesh për t’u siguruar mbijetesën bashkëshortes, Kristjanit dhe nënës së tij.
Babai i Kristjanit, i cili në momentin e tërmetit ndodhej në Gjermani së bashku me djalin e vogël, tregoi se u lajmërua nga vëllai i tij i madh, Moisiu për tragjedinë që kishte ndodhur.
“Unë jetoj në Gjermani bashkë me djalin e vogël. Në orën 04:30 të mëngjesit marr një telefonatë nga vëllai i madh, Moisiu. A e di që është bërë nami, ka rënë tërmet? Edhe nuk e dimë… por 99 përqind e ka mbytur djalin. Nuk e kam marrë veten, nuk e kam ditur se ku jam. Jam nisur për në Shqipëri me një shok të punës nga Kosova. Ai më është gjendur për gjithçka. Munda të marr avionin që të jem në orën 2 e gjysmë po atë ditë në Thumanë. Kam ardhur tek shtëpia, kam gjetur çdo gjë të organizuar nga vëllezërit, shoqëria e miqësia, sepse mua shtëpitë më ishin shembur të dyja.”, tha ai
Pjesë nga intervista:
Gjallë i ka mbetur dhe vëllai i Kristjanit, që jetonte me të atin në Gjermani, ku ishte në shkollë të mesme. Në Thumanë nga tërmeti arriti të shpëtonte mamaja dhe gjyshja e Kristjanit. Po ku po strehohet sot familja Preçi?
“Urdhëro (tregon me gisht nga çadra). Pas 3-4 ditësh, kur kam futur djalin në tokë na kanë dhënë një çadër. Na ka ardhur ushtria, na kanë montuar çadrën në kohë. Kemi shkuar me turp, pa turp, sepse unë po ta kisha djalin gjallë unë nuk i kisha rënë instancave për të marrë një copë bukë, një diçka, por isha i detyruar se nuk kam ku të shkoj, nuk kam ku të përplas kokën. Një njeri që sapo i ka vdekur djali, të shkojë të trokasë për një copë punë, apo një tenxhere gjellë nuk e di, a e imagjinon se çfarë duhet të hash ti me veten tënde, do ta hash veten me dhëmbë, nuk di si ta them… Sepse ishte dëm i madh, popullsi e madhe, ndoshta këta nuk kanë pasur mundësi me i bërë të gjitha, por unë do ta shihja më të udhës që çdo njeri, kush ka që mund të strehohet në një vend tjetër mund të vinin të na pyesnin, kishte rrugë që mund të bëhej më mirë. Një person i funeralit merr në telefon vëllain tim dhe i thotë, dëgjo këtu nëse keni problem me drekën dhe të tretat, për pagesën, çojani telefonin atij personit dhe unë flas me atë personin që ta paguaj unë. Isha aq i revoltuar sa do i kisha kthyer një përgjigje shumë banale, po nuk më la vëllai. Unë me gjithë mend jam fukara, por ama ne zona këtej, kemi diçka të mirë që i gjendemi njëri-tjetrit. Ndoshta për mirë jo, po për të keq të gjithë bëhemi”.
Por a do të jetojë më në Thumanë pas tragjedisë në familje?
“Jeta vazhdon. Unë si person nuk kam dëshirë ta shoh më Thumanën me sy, jo për faj të Thumanës. Unë kam komplet kujtimin e djalit. Dal aty më del djali, dal atje kujtoj djalin, dal në kafe kujtoj djalin… dua të kem sa më pak stres, ngarkesë, në këtë drejtim.”