Pse tërmeti e hodhi në tokë Shqipërinë? Eksperti shpjegon abuzimet e bëra me ndërtimet

Konstruktori Arben Dervishi, pjesë e ekspertëve që kanë ndihmuar qeverinë në ekspertizën e banesave të dëmtuara nga tërmeti, shprehet mbi disa nga problematikat që kanë sjellë rënien e godinave që morën jetët e 51 qytetarëve.

I ftuar në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo”, konstruktori u shpreh se një problem serioz mbetet fakti se në ndërtimin e pallateve në Shqipëri, mungojnë supervizorët. Sipas konstruktorit, abuzimet që kryhen bëhen pikërisht në mungesë të një syri eksperti.

“Cilësia e materialeve të ndërtimit ndikon në fortësinë e strukturës. Dy janë materialet, betoni dhe hekuri, që mbajnë gjithë peshën e strukturës. Pjesa tjetër është strukturë e nivelit të dytë të rezistencës. Një beton e çelik i ardhur i pakontrolluar me rezistenca më të ulëta se ç’tregon marka, patjetër që sjell dëme. Kur ka një supervizor serioz nuk mund të bëhet ai dëm. Abuzimi bëhet në ato vende ku mungon supervizori. Sepse në vendin tonë supervizori trajtohet si më i parëndësishmi. Zona si Durrësi, kanë rrezikshmëri sizmike, dhe kërkohen që studimet sizmike dhe gjeologjike duhej të ishin të detajuara, të sakta, sepse aty janë të dhënat bazë që merr projektuesi. Po në bazë të eksperiencës ai mund të mbulojë shumë defekte edhe në mungesë të studimeve”, tha Dervishi.

Konstruktori madje u shpreh se në Shqipëri edhe një inxhinier elektrik ka bërë projekte ndërtimi.

“Ka edhe inxhinierë elektrike që kanë bërë konstruksione e projekte ndërtimi”.

Në lidhje me ndërtimet në ish- kënetën e Durrësit, Dervishi u shpreh se zona e atjeshme ka mjaft rreziqe.

“Dhe kjo ka ndikuar tek objektet, që shumica janë projekt, pa leje, zbatuar me brigada, me njerëz që thonë hajd se e di unë. Ka edhe ndërtime informale 5 katëshe, jo vetëm 1-2 katëshe, dhe nuk është një, janë shumë. Janë bërë ndërtime pa projekte, në zona ku nuk lejohej të ndërtohej. Zona e Kënetës është ndër zonat më të rrezikshme për të ndërtuar. Por nuk mund të ndërtosh në Kënetë me themele të veçuara, por me themele në formë pllake”, shtoi ai.

Konstruktori Arben Dervishi tregon eksperiencën e tij në një shtëpi në zonën e Rrashbullit.

LEXO EDHE  Ballkani Perëndimor mes Brukselit dhe Parisit

“Unë vizitova zonën e Rrashbullit. Ishte një vilë që kishin hedhur gjithë kursimet e tyre. Pashë që kolonat ishin prerë si me gërshërë. Pyeta për projektuesin thanë na erdhi njëri që bënte kallupe dhe e morëm e bëmë. Nëse nuk ndërhyhet shpejt ajo mund të rrafshohet e gjitha”, tha ai.

“Në ato vende ku është bërë një projekt serioz, objektet nuk kanë asnjë lloj dëmtimi, ose dëmtime minore që nuk ndikojnë në ruajtjen e jetës. Kur projektohet një objekt me tërmetin maksimal, parashikojmë që në objekt do të ketë dëme materiale, por qëllimi është të ruhet jeta e njerëzve. Fakti që humbën jetë njerëzish nuk e arritën qëllimin për të cilin ishin projektuar. Që do të thotë se projektet kanë pasur mangësi.  Nga verifikimet që kam bërë, kishte objekte që ishin me skelet të padëmtuar por struktura që kishte zgjedhur projektuese ishte e tipit ramë, kolona dhe trarë, ndërkohë në zona të tilla do të ishte e mira të shoqërohej edhe me mure. Objekti nuk kishte dëmtime në strukturë, por në muret jo strukturore.  Kishte objekte me plasaritje të vogla që nuk përbëjnë problem dhe me kosto minimale ndërtohen. Kishte objekte që linte për të dëshiruar cilësia. Në të vjetrat me tulla para viteve ’90, njerëzit kanë ndërhyrë. Jo vetëm në Durrës por edhe në Tiranë, në katet e para, garazhet, që i kanë ulur rezistencën objektit”, shprehet konstruktori.