Dokumenti/ A ka lidhje “dhimbja” për tërmetin e Behgjet Pacollit me projektin e “Divjaka Resort”?

Nga Boldnews.al

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, shoqëroi kryeministrin Edi Rama në takimin e tij me qytetarët e Durrësit, paraditen e së Mërkurës, në një paraqitje që i ngjante shoë-t mediatik, disa kilometra larg zonës së shkatërruar nga tërmeti i mëngjesit të mëngjesit të së Martës.

Pacolli shprehu dhimbjen e tij për pasojat tragjike të tërmetit, si edhe plotësonte kryeministrin Edi Rama gjatë bisedave të këtij të fundit me disa qytetarë, të cilët më shumë dukej se ishin “dekor” i parapërgatitur nga zyra e tij e marrëdhënieve me publikun.

Por, biznesmeni-politikan, Behgjet Pacolli, përtej faktit që u prezantua si përfaqësues i shtetit të Kosovës, në fakt ai duket se i është gjendur në krah Edi Ramës për interesat e tij private.

Behgjet Pacolli është pronar i kompanisë “Mabetex”, subjekt investues i projektit “Divjaka Resort Albania”.

Ky projekt, i cili parashikon ngritjen e një kompleksi turistik me godina 17-katëshe në bregun e Divjakës, u rrëzua pak kohë më parë nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Ky Komitet drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe anëtar të tij janë zv.kryeministri Erion Braçe, ministrat Anila Denaj, Blendi Klosi, Belinda Balluku, Bledi Çuçi, si edhe Avokati i Shtetit, Artur Metani.

Boldnews.al” ka siguruar, në mënyrë ekskluzive, vendimin e këtij Komiteti, i cili mban numrin 16/3 të datës 4 Mars 2019.

LEXO EDHE  Iu sekuestruan 500 mijë euro pasuri/ 72-vjeçari mohon akuzat: Nuk kam makina fare

Në bazë të këtij dokumenti, projekti i kullave 17-katëshe të Pacollit është rrëzuar, pasi “tipologjia e projektit të paraqitur nuk është në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe legjislacionin për zonat e mbrojtura”.

Por, gjithësesi, ky vendim nuk i ka prerë shpresat biznesmenit Pacolli. Në pikën 2 të këtij Vendimi, Komiteti i Investimeve Strategjike i ka dhënë mundësi subjektit investues, pra “Mabetex-it”, që të riaplikojë për përfitimin e statusit të investitorit strategjik, nëse modifikon projektin dhe e përshtat atë me kriteret e zonës.

Projekti fillestar i “Divjaka Resort Albania”, me subjekt investues “Mabetex”, parashikonte shtrirjen brenda Parkut Kombëtar Divjaka – Karavasta dhe prek Zonë Qendrore, Zonë Kreative dhe Zonë të Përdorimit Tradicional.

Projekti i rrëzuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike, synonte të realizonte një Resort Turistik me sipërfaqe 47.3 Ha, me ndërtesa me lartësi maksimale deri në shtatëmbëdhjetë kate.

Gjithësesi, Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, i ka dhënë një mundësi të dytë Behgjet Pacollit, i cili, duke hartuar një projekt të ri, në përputhje me kriteret e miratuara për zonën, i ka të gjitha mundësitë të aplikojë sërish për të qenë investitor në bregun e Divjakës, pavarësisht kundërshtive të forta të banorëve dhe organizmave që kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit.