Gafat e Rrugores/ I bllokon 7 muaj patentën me një akt të kundër-ligjshëm. Gjykata ia rikthen

Nga Boldnews.al

Në 27 Tetor të vitit 2018, shtetasit Sh.T., duke udhëtuar me automjet në rrugën drejt Dajtit, përfshihet në një incident, në të cilin gërvishet makina e tij dhe e një qytetareje tjetër.

Ngjarja nuk kishte asnjë pasojë dhe Sh.T. vijon rrugën e tij. Por, disa kohë më pas, ai ndalohet në rrugë nga Policia Rrugore, e cila i bllokon patentën. Shkak ishte një proces-verbal konstatimi, në të cilin një efektiv i Policisë Rrugore, rreth 3 javë pas incidentit, ka shënuar se ai “është larguar nga vendi i ngjarjes”.

Në bazë të këtij proces-verbali, të hartuar në 14 Nëntor 2018, pra saktësisht 17 ditë pas incidentit, Organi Adminstrativ Shtetëror-OASH (i njohur si Komisioni), vendos që t’i pezullojë shtetasit Sh.T patentën për 7 muaj, si edhe ta gjobisë me 6 mijë lekë të reja.

I gjobituri, sapo vihet në dijeni të masës penalizuese, e ankimon vendimin në gjykatë. Sipas tij, ai nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, siç pretendon Policia Rrugore, pasi, në fakt, nuk kishte ngjarje.

Gjithashtu, paditësi ka kërkuar para gjykatës pavlefshmërinë e proces-verbalit të konstatimit, pasi ai është hartuar rreth 3 javë pas incidentit.

Gjykata Administrative e shkallës së parë, pasi analizoi të gjithë provat, konstatoi se akti i nxjerrë nga Policia Rrugore është në kundërshtim të hapur me ligjin. Për këtë arsye, gjykata vendosi shfuqizimin, si të proces-verbalit, ashtu edhe të vendimit të OASH, duke i kërkuar Policisë Rrugore që t’i kthejë patentën qytetarit, si edhe t’i anulojë gjobën.

LEXO EDHE  Instituti i Vjenës: Investimet e huaja, Shqipëria dhe Kosova në vendet e fundit

Gjykata e Tiranës, në vendimin e saj, i cili disponohet i plotë nga “Boldnews.al”, i konsideron aktet e Policisë Rrugore ndaj shtetasit Sh.T., si të lëshuara në kundërshtim me ligjin.

Në argumentat e saj, gjykata konstaton se “Nga hetimi gjyqësor rezultoi se ngjarja është e datës 27.10.2018 jo në datë 14.11.2018. Në këto kushte jo vetëm procesverbali me nr serie serie 8117030, date 14.11.2018 por edhe vendimi nr 27484,date 16.11.2018 do të konsiderohen si të lëshuara në kundërshtim me ligjin”.

Për gjykatën, “në rastin konkret, punonjësit e policisë i kanë patur të gjitha mundësitë për përpilimin e tij në kohën kur ka ndodhur fakti, pavarësisht pamundësisë së identifikimit të personit përgjegjës për shkeljen”.

Gjykata vlerëson se, në procesverbalin që duhet të ishte mbajtur ne datë 27.10.2018 (në mënyrë që të kishte vlerë ligjore) duhet të ishin pasqyruar rrethanat dhe automjeti i përfshirë në aksident. Ky procesverbal duhet të ishte konfirmuar nga punonjësi i policisë.

“Në vijim të veprimeve punonjësit e policisë do të identifikonin shkelësin sikurse ka ndodhur në rastin konkret. Këto të meta në procesverbalin e datës 14.11.2018, bëjnë që ai të konsiderohet i pavlefshëm dhe i pamjaftueshëm për të vërtetuar ekzistencën e shkeljes së paditësit”, konkludon gjykata.