Ja pse mbështesim Lali Erin në nismën e tij mbi taksimin

Nga Boldnews.al

Do hysh në Tiranë ti katunar, malok e shpellar? Taksë sa qimet e kokës. Ti nuk e meriton të shkelësh në kryeqytetin tonë pa paguar më parë. Vizë nuk po të kërkojmë, por nëse vjen me makinë, jep një herë taksën e Lali Erit tonë dhe shko e bëj fotografi po deshe tek pema e madhe plot drita në “Sheshin Skënderbej” dhe shit mend kur të kthehesh andej nga vjen. Vetëm për mitingjet e Rilindjes nuk do paguash t’i katunar, malok, i Jugut, i Veriut apo Shqipërisë se Mesme qofsh. Nuk e beson ende? Hap sytë e veshët o ithtar i Lali Erit tonë.

“Është shumë e rëndësishme që për kryeqytetin të kemi ligj të veçantë. Sikurse është Roma, të kemi dhe në Tiranë dhe duhet të themi që shërbimet që ofron Tirana si kryeseli e qeverisë, e gjykatave e të gjithë institucioneve qendrore ka një kosto, e cila nuk llogaritet dot për banorë, po për përdorues”, tha sot Erion Veliaj.

Ai parashikon që vitin tjetër të shtojë jo vetëm taksat për “banorët rezidencial”, por mbi të gjitha për ata të ardhurit nga rrethet, që i quan “përdorues të Tiranës”. Sidomos ata që përdorin Tiranën për hall, se ata që vijnë për “pordhë”, kanë taksë më të ulët, madje për fare, sidomos nëse është një Rilindas zyrtar.

E sërish ne jemi popull që gjaku “komunist” nuk na është pastruar ende. Është e pabesueshme, por edhe pas lajmit se Lali Eri do taksojë këdo që vjen nga rrethet ka edhe nga ata që shprehen: “kudo në botë taksohesh, shteti me taksa mbahet, Erion Veliaj e ka bërë Tiranën parajsë, duhet paguar”.

Njësoj si ish-ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, që kur Enveri i tha do të arrestojmë dhe dënojmë, ndërsa e priste plumbi, ai i thotë: “Nuk ka gjë shoku Enver, edhe nëse dënohem partia ime më dënon”.

Sot ti ithtar i Lalit, në rrethe apo Tiranë qofsh, vërtetë nuk të pret plumbi, por pluhuri dhe smogu i Tiranës, taksa e lartë, propaganda që të zë sytë dhe turbullimi edhe më i madh i mendjes tënde të shprishur.

Është kaq e rëndë kjo nismë sa sot rrjeti social është mbushur me disa kritikues, por edhe me shumë adhurues të Erion Veliajt. Ky Lali Eri votohet në Tiranë, por mbështetjen më të madhe e ka andej nga rrethet, në Jug, Veri, apo Shqipëri e Mesme. Edhe pse e do kaq shumë Lalin, që kur pyetesh atje në Mirditë, Tepelenë, Dibër, Gjirokastër, a Kurvelesh ti thua: “Erion Veliaj ka punuar, e ka bërë Tiranën lule more lule”.

Sot është koha që të paguash. Mund të jesh hallexhi dhe do vish në Tiranë në gjykatë, spital apo tek një i afërm, por taksë do paguash.

LEXO EDHE  Shkodër/ I riu gjendet i pajetë në kanal

Traun tek “pallati me shigjeta” do ta vendosim. Tek “kthesa e Kamzës”, apo tek “Rrethrrotullimi i Saukut”. Po je nga rrethet paguaj ose ik, nëse je nga Tirana, ta gjen mënyrën Lali Eri, sepse edhe ty të vlen ajo lëkura e rrjepur nga varfëria, e mbi të gjitha padija, që shet votën dhe i beson imazhit, jo të vërtetës, taksës së ngritur të ujit të pijshëm e sërish ujë nuk ke o “qytetar Tirane”. Kërkon një hapësirë për të nxjerrë fëmijën pranë banesës por të ngrihet një alamet kulle e pallati, që të zë diellin dhe frymën. E Ti sërish je njësh në rrjetet sociale. Ku edhe pse nuk e di të shkruash, fjalën “mrekulli” siç e ka drejtshkrimi e shkruan “mbrekulli”.

E ti je vërtetë i “mbrekullushëm”, që në rrjetin social të Lali Erit komenton se e adhuron, që i nxjerr sytë dhe e ofendon me libër shpie një të panjohur qytetar, vetëm pse kritikon Lali Erin. Por edhe ti prind që merr fëmijën e mitur dhe e dërgon për një foto me Lalin tonë, aty në shesh, taksë do paguash. Ky është luks, nuk ka më të shohesh kullat e oligarkëve në Tiranë, pa paguar më parë. Betonierët që të zënë frymën, zhurmat e gropave të pallateve që të cimbisin shpirtin dhe jo më veshët.

Edhe atyre katnarëve të Tironës që ti i ke votuesit e tu, taksoi për këpucët me baltë, për mendjen që shet me ndonjë benz të lodhur, ku atje në fshat e ke lenë pa pikën e ujit vaditës apo të pijshëm, pa rrugë e urë, por të jep votën ty e bën dengla duke shëtitur nëpër Tiranë, andej nga Pazari Ri apo sheshi Skënderbej.

Lali ynë është gjeni, është i madh, mendon për popullin e Tiranës, atë të rrjeteve sociale, të jetës së Bllokut, të pistave të biçikletave, të betonit në sheshin Skënderbej, të kullave të larta, të Rilindasit nëpunës, të oligarkut miliarder. Kjo është Tirana jonë, jo e katunarëve që zbresin nga rrethet, e Jugorit apo Veriorit, e jabanxhiut shpellar, apo e periferikut katunar, qoftë edhe prej Tirone.

O Lali ne jemi me ty! Kaq mirë ua bën eunukëve, atyre që ulin kokën, kur i shan nga nëna por bëhen trima kur shajmë nënën tënde, sa mos u kufizo vetëm te nënat e tyre por zgjeroje pak gjeografinë e familjes te nënat dhe motrat e tyre.

Ti do mbahesh mend në historinë tonë tragjike. Kur ua vendos shkelmin në fyt dhe u bën atë punën kështu virtualisht se realisht s’je në këtë dynja.

Ata dhe kur japin shpirt të thonë: “a të bëj një foto me ty, a ta mbjell një pemë me ty, e jo taksë shtesë, por jetën japim për ty”. Të duam Lali!