Dvorani, prokurori që kërkoi dënimin për terrorizëm të organizatorëve që rrëzuan bustin e Stalinit

Nga Boldnews.al

Ardian Dvorani, kryetar i KED-së, është vendosur në qendër të vëmendjes ditët e fundit, pas akuzave të Presidentit Ilir Meta se bashkë me Rilindjen tentoi të kape Gjykatën Kushtetuese, duke shkelur procedurat për emërimin e gjyqtarëve.

Dvorani ka qenë edhe më parë në qendër të akuzave nga opozita, veçnërisht nga PD. Në momentin që ai u përzgjodh se do të drejtonte KED, ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, i cili kaloi vetting, u hodhën një seri akuzash që kishin të bënin jo vetëm me standardin e përdorur për të konfirmuar gjyqtarinnë detyrë, por edhe përsa i takon të shkuarës së tij.

Nëse do të kthehemi pas në kohë, Dvorani është akuzuar publikisht nga PD si prokurori që kërkoi dënimin me 15 vite burg të personave të arrestuar lidhur me rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër.

Dënimi është kërkuar më 13 dhjetor 1990, një ditë pasi zyrtarisht Partia Demokratike u themelua, pas protestave të nisura fillimisht në Qytetin Studenti më 8 dhjetor, dhe më pas u përhapën në qytetet kryesore të vendit, një ndër të cilat edhe Shkodra.

Referuar CV-së së Dvoranit ai është diplomuar në vitin 1988 për Juridik dhe është emëruar prokuror në Shkodër, detyrë që e ka mbajtur deri në 1991.

Në akuzat publike të PD-së ndaj Dvoranit, thuhet se ai ka kërkuar dënimin me 15 burg për terrorizëm të qytetarëve të arrestuar në atë kohë nga forcat e sigurimit, apo degës së Punëve të Brendshme, dhe forcat speciale, reparti 326, siç njihej në atë kohë, që zbarkuan në Shkodër të nisura nga Tirana.

Busti i Stalinit u rrëzua më 14 janar 1990 dhe pas muajsh hetuesie më 13 dhjetor 1990 prokuroria e kohës, që përfaqësohej nga Ardian Dvorani, kërkoi dënimin me burg të të arrestuarve.
Referuar dokumenteve të kohës dhe dëshmive të dhëna, idea për rrëzimin e bustit të Stalinit, kishte lindur pas një vizite të Ambasadorit gjerman në Shkodër, më 11 Janar 1990, i cili sikundër thuhet ishte takuar me Rin Monajkën.

Në dëshminë e dhënë vite më pas nga një prej protagonistëve thuhet “me sa di unë, idenë për rrëzimin e bustit të Stalinit në qytetin e Shkodrës e kanë hedhur fillimisht, Dedë Kasneci me Rin Monajkën. Ata të dy janë takuar me njëri tjetrin dhe kanë bisedur gjatë për atë gjë, që në pasditen e datës 10 janar të vitit 1990, pra vetëm tre ditë para se populli i Shkodrës të zhvillonte demostratën e heshtur para monumentit të Stalinit që ndodhej në lulishten ku sot është monumenti i Luigj Gurakuqit”.

Raporti mbi ngjarjet

Një raport i përmbledhur i 2 marsit 1990 për sekretarin e parë të KQ të PPSH-së Ramiz Alia, bën fjalë mbi ngjarjen e ndodhur në Shkodër atë mes janari të 1990-s. Sikurse flitet kjo ngjarje ishte zbuluar një ditë më parë nëpërmjet informatorëve.

Më 13 janar 1990 Sigurimi merr këtë informacion në mënyrë agjenturiale nga rrjeti sekret:

“Nesër do të bëhet demonstratë, do të dalin 200 – 300 vetë në pjacë para bustit të Stalinit e do ta rrëzojnë me litar, ganxha, shishe benzine e lëndë eksplozive. Njerëzit që do të marrin pjesë në këtë demonstratë do të nisen në tre drejtime, lagja “Serreq”, “Skënderbeg” dhe “Rus”. Organizatorë të kësaj veprimtarie janë Ded Kasneci dhe Flamur Elbasani. Aty do të flasë edhe një prift”.

Pas marrjes së kësaj të dhëne ishin arrestuar Dedë Kasneci, Flamur Elbasani dhe Gjergj Livadhi.

Në datën 14 janar 1990 në sheshin para ku ishte busti i Stalinit, pati një grumbullim njerëzisht të pazakontë, të cilët lëviznin “në grupe të vogla e të nervozuar”, ndërsa “kishte të tjerë që shëtisnin natyrshëm” dhe “nga ata që qëndronin ulur nëpër trotuare”.

Sigurimi i Shkodrës për të dhënë një efekt qetësues tek eprorët e tyre në Tiranë nuk ka përtuar të shtojë se në këtë demonstratë ishin “persona vagabondë, ish të dënuar, rrugaçë, prishës të rendit e të qetësisë, pijanecë e të sëmurë psikikë”. Kjo sigurisht ishte një praktikë normale në atë kohë dhe si një dritare ku mund të përjashtoheshin disa përgjegjësi të punës së dobët të këtyre organeve.

Në fakt lëvizjet kishin më të shumta në orën 10.00 – 12.00 dhe nga ora 15.00 – 17.00, por nuk kishte pasur asnjë lloj incidenti.

Ndjekja në rrugë operative

Në raport në lidhje me ngjarjen thuhej:

“Nga ndjekja e problemit në rrugë operative, nga pohimet e të arrestuarve dhe të ndaluarve, vërtetohet plotësisht se më datën 14 janar 1990, disa elementë armiq qysh më parë, kishin biseduar dhe ishin organizuar të grumbulloheshin para bustit të Stalinit dhe që këtej të shkonin tek sekretari i parë i Komitetit të Partisë e të kërkonin më shumë liri për shtypin e fjalën, ndërsa grupi jashtë të vepronte vetë, duke ngritur dorën me dy gishta tregues.

LEXO EDHE  Tërmetet zhvendosen drejt Turiqisë dhe Greqisë/ Ja magnituta e lëkundjeve të fundit

Të frymëzuar edhe nga propaganda e jashtme, këta elementë armiq kanë biseduar vesh më vesh me njëri tjetrin, duke marrë përsipër që të punojnë edhe me persona të tjerë të dënuar e vagabondë, që t’i bindnin për të dalë në qendër të qytetit.

Në datën 11 janar 1990 kanë shkuar persona të veçantë të tre lagje të qytetit, për të lajmëruar e prirë në qendër sa më shumë njerëz, qoftë edhe për loto – sport. Këto ditë, meqenëse nuk janë grumbulluar shumë persona, janë shpërndarë duke caktuar datën 14 janar 1990 për t’u mbledhur përsëri.

Në këtë periudhë, nga data 11 – 14 janar, është intensifikuar veprimtaria armiqësore e fshehtë, duke hedhur fletushka e parulla armiqësore në qytet e në fshat, duke hedhur e grisur veprat e shokut Enver Hoxha, si dhe hodhën dinamit para Komitetit të Partisë, i cili nuk shpërtheu pasi u kap në momentin e plasjes nga polici i shërbimit.

Grupe të veçanta kanë shkuar në restorante, kanë pirë dhe kanë kënduar këngën “O moj Shqipëri, e mjera Shqipëri, mjaft në robëri”, këngë të cilën do ta këndonin në datën 14 janar 1990.
Për vetë situatën e krijuar dhe për ta sqaruar më tej atë, më datë 15 janar 1990 u ndaluar edhe disa persona të tjerë, të cilët u sollën në Tiranë. Me ta u punua me kujdes e urtësi dhe disa prej tyre pranuan veprimtarinë konkrete armiqësore. Personat që u liruan u pajisën me teknikë operative dhe u dëgjuan bisedat me lidhjet e tyre, ku u mor informacion me vlerë dhe shërbyen për të thelluar më tej problemin”.

Nga përgjimet ishte arritur të ushtrohej një tjetër presion mbi të arrestuarit, sidomos mbi ata që nuk kishin pranuar e nuk kishin treguar gjë. Nëpër biruca regjimi kishte çuar njerëzit e tij për të mësuar më shumë. Disa kishin sukses, disa ishin thyer, disa ishin dërguar spitaleve psikiatrikë.

Të burgosurit

Në përfundim, është arritur të dënohet një grup personash në lidhje me këtë demonstratë. Listimi i tyre ishte si më poshtë:

1-Dedë Kasneci, 46 vjeç i papunë. Thuhej se kishte qenë person kryesor dhe ai që do u printe demonstruesve duke rrëzuar vetë bustin e Stalinit.

2-Kolec Hublina, 34 vjeç, punëtor në Qendrën e Rritjes së Peshkut në Ndërmarrjen e Peshkimit dhe kryetar i Bashkimeve Profesionale të asaj ndërmarrje. Koteci vlerësohej si intelektual dhe si njeri që zhvillonte agjitacion të ashpër në popull kundër regjimit komunist.

3-Rin Monajka, 27 vjeç, punëtor në Qendrën e Rritjes së Peshkut në Ndërmarrjen e Peshkimit, me arsim të mesëm, shok shumë i ngushtë i Kolec Hublinës. Gjyshi i tij ishte austriak dhe kishte vdekur më 1918-n. Dajallarët e tij Ludovik, e Kin Shestani kishin ngelur në Itali që prej vitit 1943, ndërsa kishin vdekur më 1989. Me ta Rini kishte mbajtur lidhje. Në hetuesi rini shprehej se këtij ngjarje kishin frymëzimin nga ngjarjet në lindjen komuniste si në Poloni, Hungari, RDGj, e sidomos në Rumani.

4-Nikolin Thana, 27 vjeç, me arsim të lartë, mësues i edukimit fizik në shkollën 8-vjeçare “Jordan Misja”, futbollist i ekipit “Vllaznia. Cilësohej si njëri prej personave që kishin kënduar në klub këngën “O moj shqipëri, e mjera Shqipëri”, këngë e cila ishte kënduar edhe në demonstratë.

5-Tonin Dema, 35 vjeç, me arsim të mesëm, trajner i mundjes së të rinjve të “Vllaznisë”, mjeshtër sporti. Akuzohej si nxitës i nipit të tij (Klaudio Daka, i arrestuar edhe ky) dhe një shoku të këtij të fundit. Thuhej se ia kishte marrë përsipër dinamitin për hedhjen në erë të bustit të Stalinit.

6-Gjergj Livadhi, 38 vjeç, punëtor në komunale. Thuhej se kishte kënduar këngë për demonstratën dhe së bashku me Toninin kishin dashur të siguronin eksplozivin kundër bustit të Stalinit.
7-Flamur Elbasani, 36 vjeç, shofer me origjinë nga Fushë-Bulqiza e Peshkopisë, do ishte ndër rrezuesit e bustit.

8-Nikolin Përgjini, 30 vjeç, punëtor në Uzinën e Telave, cilësohej si një nga njerëzit që do gjenin personin që do fliste në demonstratë. Kishte kënduar edhe këngë.

9-Klaudio Daka, 22 vjeç, kishte shkruar e shpërndarë “parulla armiqësore”.