Nga Boldnews.al
Pak orë para se në stadiumin e ri “Air Albania”, ose “Arena Kombëtare” të zhvillohej ndeshja e futbollit Shqipëri-Francë, kryeministri Edi Rama i zbritur në fushë u mahnit mbi të gjitha nga akustika (dëgjim zërash). “Ka akustikë fantastike nga të gjithë anët”-përsëriste shpesh ai, duke bërë rolin e arkitektit, piktorit, “shoumenit”, gjithologut dhe padyshim edhe demagogut. Prova gjenerale, që nuk lë asnjë dilemë i erdhi pikërisht pak minuta para takimit, ku me mijëra tifozë nisën thirrjet: “Rama ik…”. Akustika ishte vërtetë fantastike, dëgjohej pastër thirrja jo vetëm brenda stadiumit, por edhe në çerekun e Tiranës.
Padyshim kryeministri i strukur në kolltukun komod në tribunën “VIP”, qëndronte i heshtur, ndoshta edhe i dridhur ndërsa veshët i buçinin nga thirrjet e shumta në kor kundër tij. Por vetëm kaq ishte, sikleti i kreut të qeverisë kaloi shpejt. Ky reagim reagim masiv me thirrjet që shqetësojnë jo pak Ramën, erdhi pikërisht në momentin që i fikën dritat e stadiumit dhe u ndezën dritëzat e vogla të telefonëve të shikuesve dhe aty secili në errësirë briste sa të mundte. Askush nuk i shihte, asnjë nuk i identifikonte, policia nuk të ndalonte. Pra frika nuk ekzistonte dhe aty në mungesë drite shumëkush u trimërua.
Këtu nuk ka vend për mburrje! Kur nuk na shohin të gjithë trimërohemi, por Rama nuk mposhtet vetëm me thirrje në stadium, ndonëse kjo e vret shumë këtë individ bosh, i mbështjellë vetëm në propagandë dhe pompoziteti i paraqitjes së një Shqipërie surreale.
Raportin tonë të reagimit si shoqëri e kemi me shumë vonesë. Ishim të fundit që përmbysëm sistemin komunist, ose menduam sikur e përmbysëm, pasi pjella e së keqes kishte lindur dhe tashmë rritur pinjollët e saj që sot po i zënë frymën qytetarëve, edhe pas 30 viteve nga mirazhi se sistemi komunist ra. E të mëndosh që në mënyrë histerike në prill 1985 çirrnim faqe e shkulnim flokë nga vdekja e diktatorit, e pësë vite më vonë merrnim zvarrë bustin e tij dhe e pështynim shtatorën e bronxtë.
Bëhemi bisha kur jemi grup, por ikim si “lepuj” kur një hijerëndë polic të vihet nga pas për të prishur protestën. Nxjerrim celularin dhe filmojmë nga larg ku një palaço polic bashkiak përplas në rrugë një plakë që shet prodhime fshati. Nuk i mblidhemi tia heqim nga duart, ti shtyjmë e pështyjmë, por bresim nga larg nëpër dhëmbë: “lërë se është gjynah”…
Ja nxjerrim sy e zorrë kushëririt se na ka sjellë gardhin shtrembër. I marrin edhe jetën për një bërxhik pronë, por jemi paqësorë me qeverinë kur na rrit taksën, kur na rjep çdo ditë me karburantin, kur paguajmë për oligarkun, kur na zë frymën jo një bërxhik por me mijëra metra katrorë një kullë Lali Eri.
E sërish ne jemi trima në errësirë! Bisha të vërteta me veten kur shajmë sapo dalim nga zyra e një plehre drejtori, e një monstër institucioni, që nuk na jep pronën që na takon, apo një të drejtë të mohuar. Rrahim edhe murin me grushta në shtëpi, ulërarasim si të marrë për padrejtësinë, por para të madhit jemi pulë. Jo se na mungon guximi, gjaknzëhteësia, apo trimëria, por kultura demokratike, kur duhet reaguar e si duhet sjellë ndaj të keqes.
E keqja është pushteti, i Ramës sot, apo i tjetrit nesër nëse do sillet po njësoj, por ne e durojmë. Na bëhet padrejtësi e madhe që vjen nga një kriminel monstër i lidhur me politikën por “reagojmë” duke thënë: “ky vend nuk bëhet” dhe si shpëtim shohim arratinë, nga sytë këmbët në një kamp azilantësh lufte në vendet e Bashkimit Europian, në radhë për një pjatë supë në duar dhe poshtë çadrave të të huajit.
Shoqëria jonë është trime me gruan, me fëmijën, me të pamundurin, me pijanecin që të bezdis nëpër shkallët e pallatit, me atë fakurain që e përbuzim, me të ardhurin që nuk e qasim, me komunitetin rom që as një kanaçe si falim.
E në fund çfarë bëjmë? Shesim votën, ja ashtu 40 apo 50 mijë lekë të vjetra. Faktet nuk mungojnë, madje shumë qeshnin e qanin bashkë nga ato audiopërgjime të publikura nga gazeta gjermane “Bild”, për shitblerjen e votave në Dibër në vitin 2016. Ndër ta dallohet një i ri i cili kishte edhe hall si të martohej dhe që në nisje të familjes së re donte nja 200 mijë lekë të vjetra, të shiste votë e të kishte grua…! Rilindja të bën me grua… Për më tepër vota vlejti sa katër palë brekë nga ato që mbante veshur Shukriu i Rilindjes. Trima jemi, por në errësirë…!