Zbardhet drafti i propozimeve të PS-së lidhur me reformën zgjedhore. Propozimet kanë të bëjnë me respektimin e barazisë gjinore, fushatat zgjedhore, financimin e partive, ndërkohë që parashikohen edhe sanksione.
Ndër propozimet e socialistëve thuhet se subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike.
Gjithashtu në propozime, i jepet përgjigje rasteve të ndërprerjes së mandatit të të zgjedhurve.
Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.
Kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67 të këtij Kodi, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse pavarësisht renditjes në listë.
Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini.
Në rast se emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar mandati i kalon kandatit të gjinisë përkatëse të partisë politike të koalicionit me herësin më të lartë. Ky proces zëvendësimi vijon duke garantuar përherë plotësimin e vakancës vetëm me kandidate të së njëjtës gjini.
Në rastin e partisë politike që ka konkuruar e vetme në zgjedhje dhe kur vakanca nuk plotësohet nga gjinia më pak e përfaqësuar atëherë partia politike ndërshkohet nga KQZ-ja me gjobë në shumën 2 milion lekë”.
Po kështu në propozimet e PS-së, thuhet se shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga personi përgjegjës i financës së një partie politike dënohet me një gjobë nga 100 000 deri 200 000 lekë.
Pengimi ose mosbashkëpunimi i subjektit zgjedhor me audituesin e KQZ-së dënohet me një gjobë nga 2 000 000 deri 3 000 000 lekë, si dhe me pezullim të financimit publik të partisë politike për deri në 5 vjet.
Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekë. Paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë prej 500 000 deri 1 000 000 lekë.
Fondet jopublike të përftuara nga një parti politike, identiteti i dhuruesit të të cilave nuk dihet ose nuk përcaktohet qartësisht, transferohen në llogarinë e KQZ-së. Moskalimi çon në konfiskimin e fondeve të marra dhe në një gjobë të barabartë me shumën e fondeve të marra.
Pranimi i fondeve private më vlerë më të madhe se 30 mijë lekë dhe kur transaksioni nuk është bërë përmes llogarive bankare dënohet me një gjobë të barabartë me shumën e dhuruar dhe në kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së.
Pranimi i fondeve nga donatorë të ndaluar siç specifikohet në nenin 89, pika 3 dënohet me kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së dhe me një gjobë të barabartë me dyfishin e shumës së fondeve të marra.
Drafti i propozimeve të PS
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
Nr. ____/_________
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10019, DATË 29.12.2008 “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 81 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore,
KUVENDI I
REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime :
Neni 1
Në nenin 2 bëhen këto ndryshime:
– Pika 21 riformulohet si vijon:
“21. Shpenzime të fushatës zgjedhore” janë shpenzime të bëra nga ose në emër të një partie politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët dhe/ose degët e saj, ose nga një kandidat i pavarur, për të promovuar një parti, kandidatët e saj ose një kandidat të pavarur në zgjedhje, ose përpjekjen për të dëmtuar perspektivën e një partie tjetër, kandidatëve të partisë tjetër ose një kandidati të pavarur.”
– Pas pikës 21 shtohet pika 21/1 dhe 21/2 me këtë përmbajtje:
“21/1. “Votim për të tretët” është votimi kur zgjedhësi voton në emër dhe për llogari të personave të tjerë, të pranishëm ose jo në qendrën e votimit. Me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 108 të këtij Kodi, votimi për të tretët është i kundërligjshëm dhe dënohet sipas Kodit Penal.
“21/2. “Votim familjar” është formë e votimit për të tretët dhe ndodh kur një pjestar i familjes, si rregull kryefamiljari, voton në emër dhe për llogari të pjestarëve të tjerë.
Neni 2
Pas nenit 3 shtohet neni 3/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 3/1
Kodi Zgjedhor dhe barazia gjinore
1. Ky Kod garanton parimin e barazisë gjinore, sipas përcaktimeve që i jep këtij parimi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Pjesëmarrja e drejtëpërdrejtë dhe aktive në jetën politike dhe publike e gjinisë më pak të përfaqësuar përbën instrument themelor në konsolidimin e sistemit demokratik. Asnjë dispozitë e këtij Kodi nuk mund të zbatohet ose interpretohet në kundërshtim ose në shkelje të këtij parimi.
2. Detyrimi sipas pikës së parë të këtij neni i përket subjekteve zgjedhore, administratës zgjedhore dhe gjykatës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të drejtë të ndërhyjë në çdo kohë mbi tagrat që subjektet zgjedhore kanë sipas këtij Kodi, të kërkojë nga subjektet zgjedhore pushimin e cënimit të këtij parimi dhe, në rast mosveprimi, të ndërhyjë kryesisht për rivendosjen e tij.
3. Kodi Zgjedhor nxit barazinë gjinore për organet e zgjedhura dhe administratën zgjedhore përmes:
a) vendosjes së kuotave gjinore në jo më pak se 30 përqind të përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë dhe 50 përqind të organeve të njësive bazë të qeverisjes vendore,
b) vendosjes së kuotave gjinore në jo më pak se 30 përqind të përbërjes së të gjithë niveleve të administratës zgjedhore,
c) marrjes së masave në reduktimin dhe eleminimin e votimit për të tretët, votimit familjar, ruajtjen dhe garantimin e fshehtësisë së votimit.
ç) hartimit dhe publikimit të statistikave operative për pjesëmarrjen e gjinisë më pak të përfaqësuar në ditën e zgjedhjeve, me qëllim sensibilizimin dhe marrjen e masave të duhura për të nxitur më tej këtë pjesëmarrje.”
Neni 3
Neni 4 ndryshohet si vijon:
“Neni 4
Veprimtaritë e institucioneve publike ne fushatë
1. Institucionet publike, qendrore dhe vendore, janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve. Raportimi është përgjegjësi personale e personit përgjegjës për drejtimin administrativ të institucioneve publike, agjencive dhe ndërmarrjeve shtetërore (sekretarit të përgjithshëm të institucionit, ose sipas rastit, e drejtorit të përgjithshëm apo drejtorit ekzekutiv). Raportimi duhet të kryhet jo më vonë se 48 orë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë.
2. Për qëllimin e raportimit sipas pikës 1 të këtij neni, KQZ-ja mban dhe administron ndërfaqen e raportimit të veprimtarive publike. Personat përgjegjës marrin akses të personalizuar tek kjo ndërfaqe dhe hedhin të dhënat për datën dhe orën e veprimtarisë, llojin e saj, tematikën, nivelin më të lartë të pjesëmarrjes, të ftuarit e nderit, folësit e planifikuar dhe mediatizimin. Informacioni sipas këtij paragrafi është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
3. Në rast se KQZ-ja, kryesissht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni sipas pikës 2 të ketij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Shënimi “Ndaluar nga KQZ” vendoset jo më vonë se 24 orë nga raportimi. Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
4. Veprimtaritë e ndaluara nga KQZ-ja nuk lejohet të transmetohen apo të pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione. Transmetimi ose pasqyrimi i tyre në kundërshtim me këtë paragraf ngarkon me përgjegjësi sipas këtij ligji transmetuesin radioteleviziv.
5. Mosraportimi i veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, ose zhvillimi i tyre, pavarësisht ndalimit nga KQZ-ja ngarkon me përgjegjësi personi përgjegjës, si dhe titullarin përkatës të institucionit kur ai ka penguar zbatimin e kësaj dispozite. ”
Neni 4
Në nenin 44, shkronja “c” shfuqizohet.
Neni 5
Në nenin 52 bëhen këto ndryshime:
– Në pikën 1, fjalia e fundit shfuqizohet.
– Shtohet pika 6 me këtë përmbajtje:
“6. Kryetari i bashkisë të paktën një herë në javë, si dhe sa herë i kërkohet nga KQZ-ja raporton për zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen. Mënyra e komunikimit me KQZ-në dhe masa administrative e gjobës që zbatohet ndaj kryetarit të bashkisë në rast mosraportimi dhe ekzekutimi i gjobës përcaktohet me vendim të KQZ-së. “
Neni 6
Neni 53, pika 3 shfuqizohet.
Neni 7
Në nenin 64, shtohet shkronja “e” me këtë përmbajtje:
“e) deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkuruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet me vendim të KQZ-së.”
Neni 8
Në nenin 67, pika 6 ndryshohet si vijon:
“6. Për çdo zonë zgjedhore jo më pak se një në çdo tri emra të njëpasnjëshëm në renditje të listës shumëmërore duhet t’i përkasë secilës gjini.
Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore për çdo këshill bashkiak një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje duhet t’i përkasë secilës gjini. ”
Neni 9
Në nenin 71, shtohet pika 4 dhe 5 me këtë përmbajtje:
“4. Procedura e verifikimit të nënshkrimeve bëhet publike dhe në përputhje me modalitetet e përcaktuara me akt normativ nga KQZ-ja.
5. Në përfundim të procesit të verifikimit të nënshkrimeve KQZ-ja miraton aktin përkatës administrativ, ndaj të cilit mund të bëhet ankim nga subjekti i interesuar në Kolegjin Zgjedhor brenda 3 ditëve.”
Neni 10
Në nenin 78, shtohet pika 6 me këtë përmbajtje:
“6. Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike.
Neni 11
Neni 79 ndryshohet si vijon:
“Neni 79
Afishimi i materialeve propagandistike
1. Jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, kryetari i bashkisë, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, përcakton vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin prej partive politike dhe subjekteve zgjedhore të materialeve propagandistike. Vendet e caktuara duhet të jenë në ambiente që sigurojnë vizibilitet publik dhe të kenë hapësirë të mjaftueshme ku të gjitha subjektet zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje të paraqesin programet e tyre zgjedhore dhe mesazhet zgjedhore. Vendimi i kryetarit të bashkisë mënjëherë pas miratimit bëhet publik në faqen e internetit të bashkisë.
2. Gjatë fushatës zgjedhore përdorimi dhe afishimi i çdo materiali tjetër statik për propagandë zgjedhore, përfshirë flamujt dhe posterat, lejohet vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor.
3. Ndalohet përdorimi i materialeve propaganduese statike në kundërshtim me përcaktimet e bëra në pikën 2 të këtij neni. Me “materiale propaganduese statike” kuptohen të gjitha materialet që i shërbejnë subjektit zgjedhor apo partisë politike për promovimin e fushatës zgjedhore dhe që janë vendosur ose afishuar në vende ose hapësira publike me akses publik, si shtyllat e ndriçimit të rrugëve, fasadat e ndërtesave, sheshet, pjesët ballore të dyqaneve ose ndërtesave, përgjatë rrugëve të qyteteve, rrugëve ndërqytetëse, etj.
4. Policia Bashkiake dhe/ose Policia e Shtetit garantojnë zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhorë në vendet jashtë përcaktimeve të bëra në pikën 1 dhe 2 të këtij neni.»
Neni 12
Neni 85 ndryshohet si vijon:
“Neni 85
Monitorimi i fushatës zgjedhore
1. Monitorimi i fushatës zgjedhore ne radio dhe televizion kryhet nga enti rregullator që rregullon dhe mbikëqyr fushën e shërbimeve të transmetimeve audio dhe audiovizive. Monitorimi kryhet në të gjithë territorin zgjedhor.
2. Enti rregullator që rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë e operatorëve radiotelevizivë monitoron zbatimin e rregullave të këtij Kodi dhe të akteve nënligjore me karakter normativ të KQZ-së nga operatorët radiotelevizivë dhe nga subjektet zgjedhore.
3. Jo me vonë se 3 muaj para datës së zgjedhjeve KQZ miraton dhe publikon Metodologjinë e Monitorimit të Medias.
4. Enti rregullator i pasqyron gjetjet e veta në raporte të detajuara, minimalisht të përjavshme, të cilat ia paraqet KQZ-së për kompetencë. Raportet shoqërohen, sipas rastit, me propozimet për masa administrative. Raportet e monitorimit të medias publikohen në faqen e internetit të KQZ-së menjeherë sapo depozitohen në KQZ.
5. Mbështetur në gjetjet e raporteve të monitorimit, KQZ-ja urdhëron korrogjimin e sjelljes për operatorët radiotelevizivë ose subjektet zgjedhore, ose, sipas rastit, vendos sanksione administrative ndaj tyre. Vendimet e KQZ-së ankimohen sipas procedurave të përcaktuara në këtë Kod. Ankimi nuk pezullon ekezkutimin e vendimit të KQZ-së.
6. Radiot dhe televizionet publike dhe private janë të detyruara të regjistrojnë të gjitha transmetimet e tyre përgjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore. Këto regjistrime ruhen për një periudhë tremujore pas përfundimit të zgjedhjeve dhe vihen, me kërkesë të KQZ-së, menjëherë në dispozicion të saj.
Neni 13
Neni 85/1 shfuqizohet.
Neni 14
Në nenin 87, shtohen pika 6 dhe pika 7 me këtë përmbajtje:
“6. Në rast se shuma e përllogaritur në pikën 4 të këtij neni është më e lartë se totali i shpenzimeve të fushatës zgjedhore të raportuara nga partia politike apo subjekti zgjedhor ose është vlerësuar si e tillë nga KQZ-ja sipas auditimeve të pavaruara apo verifikimeve të saj, subjekti zgjedhor/partia politike është e detyruar të kthejë diferencën në KQZ.
7. Në rast se partia politike apo subjekti zgjedhor nuk zbaton përcaktimin e bërë në pikën 6 të këtij neni, atëherë përjashtohet nga e drejta për të përfituar fonde publike për një periudhë jo më pak se 5 vjet.”
– Pika 8 shfuqizohet.
Neni 15
Në nenin 87/1 bëhen këto ndryshime:
– Shtohet pika 2 me këtë përmbajtje:
“2. KQZ-ja përcakton me vendim rregullat dhe modalitetet e nevojshme për llogaritjen e vlerës monetare të dhurimeve në natyre ose të shërbimeve të dhëna, sipas vlerës së tregut në momentin e dhënies së tyre.”
– Shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3. Për qëllime të zbatimit të këtij Kodi, kontributetet e dhëna kandidatëve të subjekteve zgjedhore konsiderohen si kontribute për partinë politike për të cilën ata kandidojnë.”
Neni 16
Neni 87/2 ndryshohet si vijon:
Neni 87/2
Fondet e dhëna nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore
Fondi i përcaktuar me vendim të Kuvendit, sipas pikës 1 të nenit 87 të këtij Kodi, u shpërndahet partive të regjistruara si subjekte zgjedhore si më poshtë:
a) 90 përqind e fondit i shpërndahet partive politike të rregjistruara si subjekte zgjedhore të cilat kanë marrë jo më pak se 0.5 përqind të votave të vlefshme në zgjedhjet pararendëse. Dy të tretat e këtij fondi ju jepet këtyre partive si paradhënie, ndërsa një e treta e tij iu shperndahet pas zhvillimit të zgjedhjeve dhe dorëzimit të raporteve financiare respektive në KQZ.
b) 10 përqind e fondit i shpërndahet partive politike dhe kandidatëve të pavarur të rregjistruar si subjekte zgjedhore dhe që nuk përfitojnë sipas shkronjës “a” të këtij neni.”
Neni 17
Neni 88 bëhen këto ndryshime:
– Pika 2, në fund shtohet fjalia: “Përdorimi i burimeve njerëzore përfshin edhe presionin ose ofrimin e përfitimeve nëpunësve publikë ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit.
– Shtohet pika 4 dhe pika 5 me këtë përmbajtje:
“4. Ndalohet transmetimi nga Radio Televizioni Publik i aktiviteteve të institucioneve publike qendrore dhe vendore për qëllime zgjedhore. Një aktivitet është për qëllime zgjedhore kur ai promovon arritjet institucionale, investimet ose progresin me punët publike ose kur promovon aspekte specifike të programit zgjedhor të subjektit zgjedhor.
5. KQZ nxjerr udhëzime të hollësishme për të përcaktuar përdorimin dhe shpërdorimin e burimeve publike.”
Neni 18
Në nenin 89 bëhen këto ndryshime:
– Në pikën 3, shkronja “a” fjala “2 vite” ndryshohet në “3 vite”.
– Në fund të shkronjës “a” shtohet fjalia. “Ky ndalim zbatohet edhe në rastin e nënkontraktimeve apo të kontratave te partneritetit publik privat.”
– Shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:
“4. Personat fizikë ose personat juridikë që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 3 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë mënyrë tjetër fonde me vlerën torale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik.”
Neni 19
Në nenin 90 bëhen këto ndryshime:
– Pika 2 fjalët “100 mijë lekë” ndryshohen në “30 mijë lekë”.
– Pika 3 ndryshohet si vijon: “3. Shuma e shpenzimeve të bëra nga një parti politike, përfshirë kandidatët e saj, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 2 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 87/3 të këtij Kodi. Çdo shpenzim i fushatës zgjedhore dokumentohet dhe zbatohet në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi. Për zbatim të këtij Kodi “shpenzim për fushatë” është çdo shpenzim që bën një parti ose kandidatët e saj për qëllime të fushatës zgjedhore, pavarësisht datës se kur është bërë.”
Neni 20
Pas nenit 90 shtohen nenet 90/1, neni 90/2 dhe neni 90/3 me këtë përmbajtje:
Neni 90/1
Deklarimi dhe publikimi
1. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin Raport Financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve.
2. Raporti i përmendur në pikën 1 të këtij neni dorëzohet sipas një modeli të miratuar nga KQZ-ja. Ai duhet të përmbajë informacion në lidhje me:
i) Çdo dhurim që i është bërë partisë/subjektit zgjedhor (duke përfshirë edhe degët dhe kandidatët e saj) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo shërbimet në natyrë.
ii) Të ardhurat për qëllime të fushatës zgjedhore nga të gjitha burimet e tjera të lejuara.
iii) Të gjithë zërat e shpenzimeve për qëllime të fushatës zgjedhore siç përcaktohen në vendimin e KQZ-së dhe në nenin 90, pika 3 të këtij Kodi.
iv) Bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve.
3. Çdo parti politike që merr pjesë në zgjedhje mban dhe ruan në arkivë për një periudhë prej 7 vjetësh, dokumentacionin e plotë dhe të hollësishëm të statusit të saj financiar dhe të degëve të saj për periudhën që mbulon ky raport, duke përfshirë:
i) librat e llogarive/kontabilitetit, mbajtur në përputhje me legjislacionin në fuqi, ku pasqyrohen të gjitha të ardhurat sipas burimit dhe shumës, identifikohet si është bërë pagesa, si dhe pagesat e bëra personave të tretë, qëllimet e pagesave dhe se si është kryer çdo pagesë;
ii) dokumentacionin e të gjitha shpenzimeve të bëra;
iii) situatën dhe lëvizjet në llogarinë e saj bankare;
iv) dokumentacionin e plotë të pronave të paluajtshme që zotëron partia politike, si dhe çdo kontratë të lidhur për marrje me qira, dhënie me qira, porositje, apo shitje të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme.
Neni 90/2
Monitorimi i fushatës zgjedhore
1. Jo më vonë se gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve, KQZ-ja cakton një numër të mjaftueshëm personash për të monitoruar përmbushjen nga subjektet zgjedhore të detyrimeve në lidhje me financimin e fushatës dhe detyrimeve të tjera sipas nenit 4 të këtij Kodi. Monitoruesit duhet të përzgjidhen nga personat me përvojë në vëzhgimin e zgjedhjeve.
2. KQZ-ja përcakton me një udhëzim të posaçëm kriteret për përzgjedhjen e monitoruesve si dhe për objektin e monitorimit. Monitorimi kufizohet me vëzhgimin e respektimit të verifikueshëm lehtësisht të detyrimeve të subjekteve zgjedhore në lidhje me fushatën zgjedhore, duke përfshirë respektimin e ndalimeve dhe kufizimeve të formave të caktuara të fushatës dhe shpërdorimit të burimeve shtetërore.
3. Monitorimi nuk duhet t’i ekspozojë monitoruesit ndaj rreziqeve të panevojshme.
4. Monitorimi nuk kërkon që monitoruesit të llogarisin shpenzimet totale për fushatë zgjedhore nga subjekti zgjedhor ose variablat e ndryshme financiare që kërkojnë mbledhje të metadatave të zgjeruara.
5. Në rastet kur monitoruesit vërejnë shkelje gjatë procesit të monitorimit, ata informojnë KQZ-në përmes mënyrës së përcaktuar nga KQZ-ja, në të njëjtën ditë që bëhet vëzhgimi.
Neni 90/3
Portali për denoncime në lidhje me financimet
1. KQZ-ja krijon dhe mirëmban për periudhën 6 muaj para datës së zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas datës së zgjedhjeve portalin në internet, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme të këtij Kodi nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës.
2. Kriteret dhe procedurat e hollësishme për funksionimin dhe mirëmbajtjen e portalit, procedurat e hetimit administrativ dhe afatet e tij, si dhe konkluzionet qe duhet të arrihen në përfundim të tij përcaktohen me vendim të KQZ-së.”
Neni 21
Në nenin 91, shtohet pika 6 me këtë përmbajtje:
“6. KQZ ka të drejtën të verifikojë drejpërdrejt shpenzimet e fushatës zgjedhore për cdo parti parti politike të rregjistruar si subjekt zgjedhor, kandidatët apo kandidatë e propozuar nga zgjedhësit, ose të verifikojë raportin e auditimit sipas pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja për zbatim të këtij neni ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo informacion nga subjektet zgjedhore apo persona të tretë, të cilët duhet t’i përgjigjen kërkesës së KQZ-së brenda 15 ditëve nga marrja e saj. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga KQZ-ja raportohet në prokurori si vepër penale, sipas nenit 248 të Kodit Penal, si dhe ndërshkohen administrativisht prej saj në përputhje me nenin 173 të këtij Kodi.”
Neni 22
Në nenin 92, pika 4 ndryshohet si vijon:
“4. Buxheti për zgjedhjet duhet të parashikojë fondin e nevojshëm për auditimin e subjekteve zgjedhore dhe monitoruesit e shpenzimeve të fushatës zgjedhore. KQZ-ja përcakton me vendim kushtet kontraktuale për këtë gjë.”
Neni 23
Në nenin 164, pika 2 ndryshohet si vijon:
“2. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67 të këtij Kodi, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Në rast se emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar mandati i kalon kandatit të gjinisë përkatëse të partisë politike të koalicionit me herësin më të lartë. Ky proces zëvendësimi vijon duke garantuar përherë plotësimin e vakancës vetëm me kandidate të së njëjtës gjini. Në rastin e partisë politike që ka konkuruar e vetme në zgjedhje dhe kur vakanca nuk plotësohet nga gjinia më pak e përfaqësuar atëherë partia politike ndërshkohet nga KQZ-ja me gjobë në shumën 2 milion lekë”.
Neni 24
Pas nenit 166 shtohet neni 166/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 166/1
Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës në këshillat e bashkisë
Mandati i ndërprerë në këshillat e bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Kur vakanca i përket një mandati të fituar nga gjinia më pak e përfaqësuar, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Në rast se emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar mandati i kalon kandatit të gjinisë përkatëse të partisë politke të koalicionit me herësin më të lartë. Ky proces zëvendësimi vijon duke garantuar përherë plotësimin e vakancës vetëm me kandidatë të së njëjtës gjini.”
Neni 25
Neni 173 ndryshohet si vijon:
“Neni 173
Sanksione në lidhje me financimin e fushatës
1. Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga personi përgjegjës i financës së një partie politike dënohet me një gjobë nga 100 000 deri 200 000 lekë.
2. Pengimi ose mosbashkëpunimi i subjektit zgjedhor me audituesin e KQZ-së dënohet me një gjobë nga 2 000 000 deri 3 000 000 lekë, si dhe me pezullim të financimit publik të partisë politike për deri në 5 vjet.
3. Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekë. Paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë prej 500 000 deri 1 000 000 lekë.
4. Fondet jopublike të përftuara nga një parti politike, identiteti i dhuruesit të të cilave nuk dihet ose nuk përcaktohet qartësisht, transferohen në llogarinë e KQZ-së. Moskalimi çon në konfiskimin e fondeve të marra dhe në një gjobë të barabartë me shumën e fondeve të marra.
5. Pranimi i fondeve private më vlerë më të madhe se 30 mijë lekë dhe kur transaksioni nuk është bërë përmes llogarive bankare dënohet me një gjobë të barabartë me shumën e dhuruar dhe në kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së.
6. Pranimi i fondeve nga donatorë të ndaluar siç specifikohet në nenin 89, pika 3 dënohet me kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së dhe me një gjobë të barabartë me dyfishin e shumës së fondeve të marra.
7. Shkelja e përcaktimeve të bëra në nenin 90 të këtij Kodi nga dhuruesit ndërshkohet me gjobë deri në 30 përqind të shumës së dhuruar.
8. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme e gjatë procesit të verifikimit nga KQZ-ja sipas nenint 91, paragrafi 6 ndërshkohet me gjobë nga KQZ-ja prej 100 000 lekë deri në 3 000 000 lekë.
9. Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor dënohet me një gjobë prej 5 000 000 lekë ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin, cilado që është më e lartë.
10. Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjobës së dhënë në bazë të këtij neni. Gjoba e vënë nga KQZ është titull ekzekutiv dhe ekzekutohet brenda 30 ditesh nga marrja dijeni për të. KQZ përjashtohet nga detyrimi të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor.”
Neni 26
Neni 175 rifomulohet si vijon:
“Neni 175
Sanksionet për mosrespektim të barazisë gjinore
Mospërmbushja nga subjekti zgjedhor i detyrimit të parashikuar në pikën 6 të nenit 67 të këtij Kodi pasjell refuzimin e listës shumëemërore për t’u rregjistruar në KQZ ose sipas rastit për zgjedhjet vendore në KZAZ.”
Neni 27
Dispozitë Kalimtare
Dispozitat e këtij Kodi në lidhje me finacimin e zgjedhjeve dhe fushatës zgjedhore humbasin fuqinë juridike ditën e miratimit të ligjit të ri për financimin e partive politike.
Neni 28
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Kryetar
Gramoz RUÇI