Flet Arben Malaj, president i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje.
Biznesi ka ndjesi identifikuese më të shpejtë drejt mundësive të reja të rritjes, qeverisë i takon të krijojë ambientin e përshtatshëm duke përshpejtuar me reformat strukturore, thotë Arben Malaj, president i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje.
Malaj thotë se fokusi i politikave duhet të shkojë te bazamentet juridike të shtetit të së drejtës, tek garantimi i së drejtës së pronës, gjyqësori i paanshëm dhe i pakorruptuar, ambienti i biznesit konkurrues, investime publike bazuar në strategjitë kombëtare dhe jo në projekte spontane apo preferenciale. Ajo që mund të bëhet për sektorët në tërësi është të ulet barra për të bërë biznes, të reduktohen procedurat administrative në nivel vendor dhe qendror, të reduktohen kostot e korrupsionit dhe kapjes së shtetit, të nxitet konkurrenca, shtoi ai
Cilat janë, sipas jush, shkaqet kryesore që kanë sjellë përgjysmimin e rritjes ekonomike këtë vit?
Paaftësia shumëvjeçare e ekonomisë shqiptare për të qenë më konkurruese dhe për të ulur varësinë e saj nga shiu, apo nga investime të huaja specifike. Një ekonomi rritet e shëndetshme, kur minimizon efektet negative të goditjeve të jashtme. Kjo arrihet kur ajo diversifikon dhe fokusohet në sektorët e saj konkurrues për të ulur ndodhi dhe faktorë që janë të vështirë për t’u parashikuar. Shkaku kryesor nuk është mungesa e reshjeve, nuk është përfundimi i TAP, por mospërfundimi i reformave të thella strukturore.
A mendoni se duhet rishikuar modeli ekonomik në drejtim të burimeve më produktivë të rritjes?
Kjo është një emergjencë kombëtare, ka vonesa, ka paqartësi, ka spontanitet, ka nisje dhe ndërprerje të reformave strukturore pas çdo rotacioni politik. Çdo mazhorancë negativizon në maksimum qeverisjen e mëparshme dhe justifikon fillimin nga e para. Asnjë shtet nuk rindërtohet dhe nuk bëhet konkurrues, nuk i lufton dot plagët sociale në rritje n.q.s. në çdo 8 vite, fillon nga e para.
Strategjitë kombëtare të zhvillimit të integruar dhe strategjitë sektoriale janë vizione dhe projeksione afatgjatë që brenda themeleve të tyre institucionalë dhe përparësive kombëtare të çdo qeverie rishikohen, plotësohen, përmirësohen, por kurrë nuk duhet të copëzohen dhe të ndryshojnë sipas këndvështrimeve personale të kryeministrave apo ministrave të qeverive pasardhëse. Ato janë dokumente që duhen përgatitur nga stafe thellësisht profesionale, ndërsa kryeministrat dhe ministrat do të dallohen nga njëri-tjetri nga përshpejtimi dhe cilësia e rezultateve konkrete. Ato nuk janë dokumente statike, por janë udhërrëfyese të qëndrueshme dhe të dobishme për projeksione afatgjata.
Kështu duhet të jetë strategjia afatgjatë e zhvillimit të integruar, e cila duhet të ketë në themel forcimin e shtetit ligjor, të forcojë institucionet kushtetuese në parimin e tyre të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve, të garantojë të drejtën e pronës, të fuqizojë decentralizmin, të thjeshtëzojë ambientin e biznesit, reduktimin e kostove direkt dhe indirekte të çdo shërbimi publiku dhe, në veçanti, të mbledhjes së taksave. Të synojë dhe arrijë eficencë maksimale të mbledhjes dhe përdorimit të taksave në nivel vendor e qendror.
Çfarë duhet për ta bërë ekonominë tonë më vibrante ndaj goditjeve natyrore apo të jashtme, çfarë duhet që të kemi një rritje ekonomike të shëndetshme, administratë thellësisht profesionale dhe të qëndrueshme, çfarë duhet për të pasur stabilitet të financave publike, dihet dhe nuk kërkohet ndonjë model specifik shqiptar, por specifikat shtetformuese dhe kultura institucionale duhet të mbahen parasysh në shpejtësinë që duan t’i realizojnë disa reforma. Kjo pasi këshillohet që, përpara se të vraposh, duhet të dish të ecësh.
Çfarë sektorësh duhen mbështetur dhe si duhet të veprojë qeveria?
Këndvështrimi im është që ekonomia jonë mund të bëhet më vibrante dhe më konkurruese, kur fokusi i politikave publike nuk shkon kryesisht në sektorë të veçantë, por te bazamentet juridike të shtetit të së drejtës, tek garantimi i së drejtës së pronës, gjyqësori i paanshëm dhe i pakorruptuar, ambienti i biznesit konkurrues, investime publike bazuar në strategjitë kombëtare dhe jo në projekte spontane apo preferenciale. Sa u përket sektorëve realë të ekonomisë apo sektorit financiar të saj, ata janë në një dinamizëm të paparashikueshëm.
Biznesi ka ndjesi identifikuese më të shpejtë, më të madhe dhe më efektive se çdo burokrat, për çdo sektor fitimprurës të ekonomisë sonë, edhe atje ku fitimet potenciale duken të pamundura. Ajo që mund të bëhet për sektorët në tërësi është të ulet barra për të bërë biznes, të reduktohen procedurat administrative në nivel vendor dhe qendror, të reduktohen kostot e korrupsionit dhe kapjes së shtetit, të nxitet konkurrenca, të minimizohet ndikimi i korrupsionit dhe kapjes së shtetit në akseset në tregjet preferenciale për paratë gri dhe të zeza dhe të ulet efekti negativ i tyre në ekonomi dhe politikë.
Si do të ndikojë rënia e ritmeve të rritjes në treguesit e tjerë të ekonomisë?
Patjetër, sepse parakushti i parë për stabilitet të financave publike është të ketë rritje ekonomike më të larte. N.q.s. rritja ekonomike për dy tremujorë të njëpasnjëshëm është në trend ulje, edhe pse mund të jetë në nivele pozitive, kalohet në recesion, i cili është paradhoma e një krize të ardhshme. Kur bie rritja ekonomike, bien shitjet e mallrave dhe shërbimeve, kjo ul aktivitetin e tyre që natyrshëm duhet të konkretizohet në rritjen e papunësisë, rritja e së cilës prodhon varfëri.
Kur bie rritja ekonomike, bien të ardhurat dhe rritet risku për rritje deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Në këtë rast, këshillohet të lehtësohet veprimi i stabilizuesve automatikë të politikave fiskale. Shqetësimi im profesional është se rënia e rritjes ekonomike, mund ta përballë qeverinë me rënien e të ardhurave dhe rritjen e deficitit dhe borxhit publik. Kufiri/tavani se deri ku qeveria në një vit buxhetor mund të ketë financim të deficitit buxhetor dhe borxhi publik miratohet me ligjin e buxhetit të vitit përkatës në Kuvend.
Qeveritë, në përgjithësi, nuk e pranojnë dështimin e tyre dhe tentojnë ta fshehin atë. Fshehja ndodh kur nuk rimbursohen detyrimet e Tatimeve ndaj biznesit, nuk paguhen vendimet gjyqësore ndaj individëve dhe kompanive, kur nuk paguhen shërbime dhe investime të kompanive private për llogari të buxhetit, por edhe kur taksat dhe tatimet ju luten bizneseve të bëjnë derdhje të sforcuar të detyrimeve të periudhave të ardhshme, për të fshehur gropën aktuale të mosrealizimeve.
Në të gjitha rastet e mospagesave apo marrjen paradhënie të detyrimeve të periudhave pasardhëse, qeveria përdor padrejtësisht para të individëve dhe bizneseve për të fshehur nivelin real të deficitit dhe borxhit. Në varësi nga shuma e detyrimeve të fshehura dhe të papaguara që qeveria iu ka marrë apo nuk iu ka dhënë në kohë bizneseve, përcaktohet ndikimi i tyre në rënien e mëtejshme të rritjes ekonomike. Rruga më e mirë është transparenca, rruga e detyrueshme ligjore për një qeverisje të mirë është llogaridhënie në këtë rast e kryeministrit dhe ministrave respektivë në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo tejlodhje mediatike për ta zbukuruar apo për të fshehur sfidat sociale dhe të stabilitetit të financave publike e bën atë më të dëmshëm, jo vetëm për të papunët, të varfrit dhe taksapaguesit aktualë. /Monitor/