Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama ka nisur një letër të shtatë në dhjetë ditë, gjashtë të parat ia adresoi kryedemokratit Lulzim Basha, ndërsa me të shtatën, më të fundit, tentoi të prekë “zemrat” e popullit opozitar. Që në nisje shkruan “bashkëqytetarë demokratë”, e më pas vijon me tjerrjen e tij të një hartimi të dështuar, i ngjashëm me gjimnazistë të vitit të dytë, që pasi shkruajnë në blloqe shënimesh, me vetëmburrje u lind dëshira për tu bërë shkrimtarë, ose minimalisht për të studiuar për “letërsi”…
Në letrën e shtatë ai i konsideron “bashkëqytetarë” demokratët, por në gjashtë vite qeverisje vetëm të tillë nuk i ka trajtuar, ndonëse detyra ia detyron ti konsiderojë të barabartë. Vandalë, vulëhumbur, punonjës bashkiakë kamzali, ëndërrimtarë që shohin filxhanin dhe dhunues institucionesh…
Këto janë epitetët e lëshura nga kryeministri për popullin opozitar. Por këtë herë, me fort dredhi, kërkon të zbusë situatën, të fitojë kohë, e mbi të gjitha të ulë tensionet. E zë ankthi kur sheh masivitet në protestë, bën gati bunkerin e tij kur ka dhunë të ndërsjelltë protestues-polici. Por edhe letra e shtatë nuk ngjit, nuk të bën të mendosh, përveçse të jep te drejtë të konfirmosh se sot jemi përballë një njeriu që pasi ka zaptuar gjithë institucionet, kërkon që diktatin qeveritar, deri në kufijtë e diktaturës ta shtrijë edhe në radhët e qytetarëve.
“Kur kemi vendosur të jetojmë në një sistem shumëpartiak dhe të synojmë bashkimin e Shqipërisë me Europën, kemi sfiduar një histori të gjatë e aspak bujare në aspektin e traditës demokratike. Hymë në rrugën krejt të re të demokracisë, pas një gjysëm shekulli diktaturë komuniste dhe një mënyre jetese të imponuar, ku kundërshtari politik ishte thjesht një armik për t’u luftuar pa asnjë mëshirë, e për t’u asgjësuar pa asnjë ngurrim. Sot e gjithë ditën, jeta jonë politike vuan ende nga paaftësia për ta respektuar kundërshtarin pa e sakatuar publikisht, me sulme që rëndom tejkalojnë çdo kufi etik dhe kthehen shpesh në dhunë gjuhe të përdalë me egërsi, deri në farë e në fis”-shkruan ndër të tjera Rama.
“Kemi vendosur të jetojmë në një sistem shumëpartiak”… Shaka më të madhe se kaq Rama nuk mund të bënte. Edhe vetë ka qeshur me frazën e tij. Kryeministri ka bërë gjithçka për të shuar shumëpartitizmin. Me veprimet dhe qëllimet e kahershme vuri në pah vetëm Rilindjen, ajo për të të “parti dhe hyjni”. Çdo subjekt tjetër duhet shkatërruar në gjenezë. Ndërsa opozita ishte në Parlament ai e përbuzte, e dhunonte psikologjikisht, cinizmi, ironia, fyerja dhe kërcënimi ishin rutina e çdo të hëne dhe të enjte në sallën kuvendore.
“Hymë në një rrugën krejt të re të demokracisë, pas një gjysëm shekulli diktaturë”…! Kështu shprehet Rama ndërsa e quan sot vendin në pluralizëm dhe demokraci. Koncepti pluralizëm nënkupton në thelb shumëpartitizmin, alternativën dhe konceptin pozitë-opozitë. Sot opozita nuk është në institucione. Mandatet e deputetëve të saj u dogjën në grup, në një vendim që erdhi i kushtëzuar nga dhuna qeveritare dhe mbi të gjitha dyshimet e forta se pushteti i vitit 2017 ishte marrë nga kryeministri me ndihmën e grupeve kriminale të lidhura me politikën, që blenë vota për ti dërguan si pushtet për Rilindjen.
Kryeministri thotë se e kemi lënë pas diktaturën. Por diktatura në vetvete nuk është vetëm koncept politik, aq më e kaluar n kohë filozofik, por më shumë se aq është ndikim i drejtëpërdrejtë i një elite drejtuese në kontrollin e shtetit dhe mbajtjen nën diktat të çdo rryme kundër. Kapja e çdo institucioni të pavuar është forma kryesore e diktaturës. Dhe sot kryeministri i ka zaptuar të gjitha.
Pushteti legjislativ është tërësisht një teatër absurd që del në “skenë” me urdhrat e skenaristit, regjisorit dhe skengrafit Edi Rama. Pushteti ekzekutiv është edhe më qesharak. Në kabinetin e tij Rama nuk ka ministra, por disa personazhe të kamufluar si të tillë.
Drejtësia nuk ekziston më, edhe ajo pjesë që ka mbetur (prokuroria) u kthye në mashën e pushtetit, që është aty më shumë për të mbyllur dosjet sesa për ti hetuar. Asnjë zyrtar i mesëm apo i lartë i Rilindjes nuk është përballur me ligjin, edhe pse korrupsioni ulëret, aq sa në çdo raport serioz ndërkombëtar klithet me të mëdhe se korrupsioni është shtrirë në çdo qelizë të qeverisjes dhe se politikanët e nivelit të lartë gjithnjë i janë shmangur ndëshkimit ligjor.
Në situatën aktuale, kreu i qeverisë ka ende pa kapur një “institucion” të padeklaruar, ai është populli. Është ajo pjesë që nuk i bindet, ende e ka trurin të pa larë e shpëlarë nga propaganga e Rilindjes. Ata janë shumë. Këtë pjesë nuk e burgos dot të gjithin, sado personazh me ngjyra të fortë diktatori të jetë. Vdiq pluralizmi, rroftë Rilindja! Kjo është moto e kryeministrit, por në letrën e shtatë thjesht sa konformoi të “shtata” e Rilindjes së tij, e kaluar në vdekje klinike, por ende e pakallur.