Nën hetim për korrupsion/ Tartar Bazaj i KLP me hotel, apartamente e troje

Nga Boldnews.al

Në qendër të Ksamilit, shumë pranë detit, ngrihet hotel “Bazaj”, me 4 kate, që pret pushues prej shumë vitesh. Pronari i godinës, Tartar Bazaj, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) e ka ngritur godinën në periudhën 2001-2014.

Bazaj është pajisur me një leje ndërtimi nga ish-komuna Ksamil, për një objekt me destinacion banimin. Ky fakt përmendet në një vendim të Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, e cila mori në shqyrtim dhe rrëzoi një padi të ngritur nga Tartar Bazaj kundër Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Pavarësisht se lejen e ndërtimin e kishte marrë për godinë banimi, Bazaj, ai ka ndërtuar 4 kate, të cilat i ka përdorur për shërbime hotelerie, duke dalë nga projekti. Pjesa më e madhe e godinës praktikisht ishte pa leje, derisa në vitin 2016 legalizohet nga ALUIZNI.

Sipas deklaratës së pasurisë të Tartar Bazaj, e cila është siguruar në mënyrë ekskluzive nga “Boldnews.al” ai deklaron se trualli ku është ngritur godina është 400 m2. Ndërsa hoteli është 120 m2, pavarësisht se në pamjet e siguruara nga redaksia, sipërfaqja e tij duket shumë më e madhe.

Hotel “Bazaj” në Ksamil, Sarandë

Referuar deklaratës së pasurisë, Bazaj ka blerë parcelën ndërtimore nga ALUIZNI për vlerën 12 milionë lekë (të vjetra), ndërsa vlera e investimit është përllogaritur në 110 milionë lekë të vjetra.

Hotel “Bazaj” është regjistruar si biznes në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) në emër të bashkëshortes së Tartarit, Enkela Bazaj.

Anëtari i KLP-së deklaron si burim për ndërtimin e godinës të ardhurat e tij si avokat. Gjithashtu, ai deklaron edhe një investim prej 30 milionë lekë të vjetra në hotel, të kryer me një kredi të marrë rreth 10 vjet pas ndërtimit, në vitin 2015. Pra, duket qartë se ndërtimi i godinës së hotelit është realizuar i gjithi me të ardhurat nga avokatia.

Nga Avokatia në KLP

Tartar Bazaj rezulton se ka qenë një avokat i suksesshëm në Sarandë. Kjo, të paktën duke iu referuar të ardhurave të tij, të cilat i kanë krijuar mundësinë për të ndërtuar hotelin dhe blerë apartamente, zyra, troje, vlera e të cilave arrin në mbi 300 mijë euro.

E, megjithatë, ai zgjodhi që të largohet nga profesioni fitim-prurës i Avokatisë dhe t’i bashkohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë, paga e të cilit është e mirë krahasuar me punonjësit e tjerë të administratës por shumë herë më e ulët se të ardhurat e paraqitura në deklaratën e pasurisë së Tartar Bazajt.

Ndoshta, pas shumë vitesh përvojë si avokat, Tartar Bazaj ka vlerësuar që të japë kontributin e tij në reformimin e drejtësisë shqiptare. Ose, siç ekziston edhe një dyshim mes kolegëve të tij avokatë, ai zgjodhi të jetë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të mbyllur disa probleme me drejtësinë.

Tartar Bazaj është prej disa muajsh nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, si person i dyshuar për korrupsion, mashtrim dhe falsifikim dokumentash.

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion, në profilin e saj zyrtar në “Facebook”, ka publikuar një shkresë të Prokurorisë së Sarandës, dt. 30 Mars 2019, e cila ka përcjellë procedimin penal të nisur prej saj për “falsifikim dokumentash” ndaj Tartar Bazajt, drejt Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila ka regjistruar për të njëjtat fakte dhe person procedimin penal nr. 44 të vitit 2019 për veprat penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Ky hetim ka nisur pas kallëzimit të një shtetaseje nga Saranda, administratore e një kompanie ndërtimi, e cila deklaron se Tartar Bazaj ka paraqitur dokumenta të fallsifikuara në një proces civil, ku palët ishin përballur për një kontratë porosie apartamenti me sipërfaqe 100 m2, me vlerë 60 mijë euro.

Ndërkohë, këtij kallëzimi i është bashkuar edhe ai i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, e cila pretendon për përfshirje në korrupsion të Tartar Bazajt, si edhe për fallsifikimin e dokumentave të shkollës së mesme. ‘Boldnews.al” publikoi pak ditë më parë dokumenta ekskluzive për ato që dyshohet se janë akte të falsifikuar të dëftesës së shkollës së mesme të Bashkuar, Krrabë.

Ndërtime pa leje, pasuri të paregjistruara

Pjesa më e madhe e pasurisë së Tartar Bazajt është ndërtuar pa leje apo është e paregjistruar. Krahas hotel “Bazaj”, i cili është ndërtuar pa leje dhe i legalizuar më pas, në deklaratën e pasurisë së anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, janë edhe dy asete të tjera, për të cilat ai është bërë pronar jashtë procedurave normale të shit-blerjes.

Bazaj deklaron se është pronar i një trualli me sipërfaqe 322 m2 dhe një shtëpie banimi mbi të, me sipërfaqe 147 m2. Godinën dhe një pjesë të truallit e ka blerë në vitin 1995, në shumën 40 mijë lekë të reja. Ndërsa pjesën më të madhe të këtij trualli, rreth 192 m2, i ka fituar në vitin 2009 me vendim gjyqësor, deklaron në formularin e pasurisë.

LEXO EDHE  PD rikthen përgjimet e BILD: Rama të largohet me sa më pak kosto

Ai zotëron edhe një truall me sipërfaqe 111 m2, mbi të cilën gjendet një ndërtesë 52 m2. Sipas deklaratës, këtë pasuri e ka krijuar në vitet 2001-2004, me vlerë totale 400 mijë lekë të reja. Në bazë të vetëdeklarimit, Bazaj ka blerë parcelën ndërtimore nga ALUIZNI, me vlerë 168 mijë lekë dhe ndërtimi ka kushtuar 230 mijë lekë. Burimi i krijimit është sërish avokatia, si edhe për pasuritë në vijim.

Anëtari i KLP deklaron se ka nënshkruar një kontratë porosie për blerjen e një apartamenti 100 m2 në Sarandë, me vlerë totale 65 mijë euro. Ai deklaron se ka paguar 45 mijë euro në periudhën 2010-2012. Ndërkohë, pjesa e mbetur, 20 mijë euro do të paguhet kur të lidhet kontrata përfundimtare.

Ky apartament 100 m2 është pikërisht gjeneza e hetimit që nisi fillimisht Prokuroria e Sarandës për Tartar Bazaj dhe që tani po vijon tek Krimet e Rënda.

Ndër pasuri të tjera të Tartar Bazaj janë:

– një apartament me sipërfaqe 80 m2, me vlerë 52 mijë euro, sipas kontratës së premtim-shitjes. Ka paguar 47 mijë euro, nga të ardhurat prej avokatisë. I kanë mbetur pa shlyer 5 mijë euro;

– Një truall 196 m2 në Sarandë, dhuratë nga familja në vitin 2001;

– Një sipërfaqe tokë arë dhe pemtore 7500 m2, fituar nga ligji 7501, në Shkozë, Vlorë

-Një tokë e përfituar nga ligji 7501 dhe një pjesë në posedim pa titull pronësie, me sipërfaqe 3434 m2 në Shkozë, Vlorë. Brenda kësaj toke është ndërtuar një shtëpi 81 m2, në vitet 1990-1991. Po ashtu, në këtë tokë ka mbjellë ullinj dhe pemë frutore, me vlerë totale 400 mijë lekë të reja.

Në vitin 2014 ka blerë një apartament 62 m2 në Tiranë, me vlerë 8 milionë lekë të reja. Si burim për blerjen, Bazaj ka deklaruar një kredi 8 milionë lekë, aq sa është edhe vlera totale e shtëpisë. Ndoshta ka një lapsus në deklarimin e anëtarit të KLP-së, pasi bankat, në përgjithësi, financojnë kredi deri në 70-80 të vlerës së objektit. Ndërsa në rastin e Tartar Bazaj, rezulton se banka i ka dhënë kredi për 100 përqind të vlerës së apartamentit.

Dyshime për konflikt interesi

Në deklaratën e pasurisë, Tartar Bazaj deklaron se zotëron një apartament 60 m2 në Sarandë, e cila është shndërruar në studio ligjore. Këtë pronë e ka marrë me kontratë porosie në vitin 2006, me vlerë 34 mijë euro, nga të cilat ka ende pa shlyer 4 mijë euro. Si burim të blerjes së kësaj prone, ende e paregjistruar në Hipotekë, deklaron një kredi bankare në vlerën 3 milionë lekë, e likujduar plotësisht në vitin 2010, dhe pjesa tjetër të ardhura nga avokatia.

Këtë pronë ai deklaron se e ka dhënë me qera, me vlerë 23 mijë lekë/muaj. Në deklaratën e pasurisë, të vënë në dispozicion të “Boldnews.al” është retushuar qeramarrësi.

(Apartamenti, i dhënë me qera Përmbarimit) Djathtas: Pallati ku gjendet ky apartament

Një burim informoi redaksinë se Tartar Bazaj ia ka dhënë me qera këtë pronë Zyrës Përmbarimore Shtetërore të Sarandës. Burimi informoi gjithashtu se Zyra e Përmbarimit Sarandë vijon të jetë ende të ketë me qera apartamentin e Bazajt. Për këtë, ka vënë në dispozicion edhe foto të shkrepura ditët e fundit.

Ky raport i Bazajt me një institucion publik krijon dyshimet e konfliktit të interesave. Zyrtarët e lartë shtetërorë, ku përfshihen edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e kanë të ndaluar përfitimet financiare nga fondet publike. Ndoshta, këtë situatë duhet t’ia sqarojë dikush avokatit Bazaj.

Avokat i suksesshëm?

Tartar Bazaj duket se ka qenë avokat i suksesshëm. Të paktën, nëse i referohesh të ardhurave që kanë shërbyer për blerjen e pronave të shumta.

“Boldnews.al” ka bërë disa kërkime në faqet zyrtare të Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës dhe të Gjykatës së Vlorës. Nga kërkimi rezultoi që, gjatë viteve të fundit, Tartar Bazaj ka qenë në rolin e paditësit në të paktën 3 çështje gjyqësore dhe në të treja ka rezultuar humbës.

Pra, ai duket se ka qenë i suksesshëm në rastet e klientëve të tij, por ka dështuar të mbrojë interesat e veta.  Ndoshta avokatit Bazaj i shkon për shtat shprehja e vjetër: “Këpucari i rregullon punët e veta në fund”.

Në Shkurt 2018, Tartar Bazaj pezullon licensën e tij të Avokatisë dhe disa muaj më pas, në Dhjetor të të njëjtit vit, zgjidhet anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Aktualisht, bashkë me kolegët e tij në KLP, Bazaj është i angazhuar në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë dhe të prokurorëve të SPAK-ut. Ndërkohë, i duhet që të përballet edhe vetë me hetimin e nisur për korrupsion ndaj tij nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda.