Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe se ndërhyrja e Shqipërisë në këtë drejtim është e pa nevojshme.
I ftuar në televizionin “Dukagjini” në Kosovë, Meta sqaron qëndrimin e tij për këtë çështje, duke nënvizuar se këtë ia kishte bërë të ditur edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
“Çdo përfshirje e Shqipërisë dhe kjo ka qenë ndonjë dëshirë në Beograd që dialogu më shumë të kishte qenë Beograd-Tiranë, por kjo kuptohet që ka pasur si synim defaktorizimin e udhëheqësve të Kosovës dhe të vetë shtetit të Kosovës. Kështu që mendoj se qëndrimi që sapo thashë, është një qëndrim parimor. Është një qëndrim mbështetës dhe një qëndrim që synon për të ndikuar në unifikimin e faktorit këtu brenda Kosovës dhe në nxitjen e koordinimit të ngushtë me aleatët tanë kryesorë, perëndimorë, euro-atlantikë”, tha Meta
– Përse keni deklaruar dhe pse jeni kundër korrigjimit të kufijve, nëse një ide e tillë përfundon dhe e çon deri në fund problemin mes shqiptarëve dhe serbëve apo mes Kosovës dhe Serbisë?
Presidenti Meta: Në mënyrë fare të qartë e të kristaltë, qëndrimi im i vetëm si President i Republikës së Shqipërisë në raport me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi ka qenë, është dhe do të mbetet i pandryshueshëm, me çdo faktor të Kosovës apo të Shqipërisë dhe me çdo përfaqësues të faktorëve ndërkombëtarë: dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës. Shqipëria, duke e mbështetur këtë dialog do të pranojë dhe duhet të pranojë çdo zgjidhje për të cilën institucionet e Kosovës do të shprehen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.
– A e dinë të gjitha institucionet e Shqipërisë këtë që po thoni ju? A e di institucioni i kryeministrit?
Presidenti Meta: Unë këtë qëndrim ia kam bërë të qartë edhe kryeministrit tonë, zotit Rama. Ua kam bërë të qartë edhe faktorëve të tjerë. Kam bërë edhe një qëndrim publik.
Çdo përfshirje e Shqipërisë apo institucioni të Shqipërisë në temat e dialogut Kosovë-Serbi, do të ishte një ndërhyrje e panevojshme, që mund të mos rezultonte ndihmuese për sa i takon, në radhë të parë demonstrimit të autoritetit dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve të Kosovës. Dhe së dyti mund të krijonte keqkuptime të panevojshme.
Shqipëria ka për detyrë, mendoj unë, t’i kërkojë Kosovës një bashkëpunim, një koordinim, një unifikim për këto tema. Natyrisht edhe një koordinim tepër të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, por edhe të Shqipërisë dhe të gjithë procesit të integrimit euro-atlantik dhe europian të rajonit tonë.
Kam theksuar me të gjithë, se nevojitet një koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të veçantë, por edhe me Gjermaninë, sepse është një faktor kyç dhe do të jetë gjithmonë kyç përsa i takon së ardhmes europiane të rajonit tonë, me Britaninë e Madhe që ka pasur dhe ka një rol të rëndësishëm për rajonin tonë, sidomos për pavarësinë e Kosovës dhe me faktorët e tjerë relevantë e të interesuar pozitivisht për perspektivën e këtij rajoni. Pastaj vendimet i takojnë popullit të Kosovës, u takojnë institucioneve të Kosovës.
Gazetari: Në Kosovë shihet, ndonëse po tentoni t’i ruheni mospërfshirjes, edhe mospërfshirja është një pozicionim…
Presidenti Meta: Jo! Më falni! Jo! Këto qëndrime…
Gazetari: Të paktën mospërfshirje kah zotit Rama, kryeministrit…? Nëse zoti Rama është i përfshirë dhe ju nuk përfshiheni, kjo tregon tregon një qëndrim të kundërt… Të ndryshëm.
Presidenti Meta: Unë mendoj se qëndrimi im është në koherencë të plotë me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare, e cila është votuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Gazetari: Por është politika e jashtme e udhëhequr nga kryeministrit i Shqipërisë. Nuk mund të jetë në koherencë…
Presidenti Meta: Kur të bëhet një ndryshim në këtë politikë të jashtme, unë do ta reflektoj këtë ndryshim.
Gazetari: Zoti Meta, a është qëndrimi i kryeministrit Rama në përputhje me politikën e jashtme, që është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë?
Presidenti Meta: Qëndrimi im është në koherencë të plotë me politikën e jashtme të Shqipërisë.
Gazetari: Po me kryeministrin?
Presidenti Meta: Dhë të Kuvendit të Shqipërisë. Është politika e gati njëzet viteve.
Gazetari: A ka devijuar kryeministri i Shqipërisë nga kjo rrugë…? Kryeministri po thotë…
Presidenti Meta: Tani ju dëshironi të më fusni mua në një debat… Nga një debat për një çështje konkrete këtu, në një debat për çështje të brendshme në Shqipëri.
Gazetari: Që ka të bëjë me Kosovën.
Presidenti Meta: Kjo është politika e jashtme e Shqipëri për Kosovën dhe për rajonin tonë.
Gazetari: Kryeministri tha se tashmë Shqipëria i përfaqëson të gjithë shqiptarët, me kushtetutë. Por kryeministri Rama ka thënë në disa deklarime publike se askush nuk mund ta ndalë në idenë e bashkimit kombëtar. Të njëjtën gjë e tha edhe para disa ditësh Edi Rama. Kjo nënkupton se edhe kushtetuta duhet ndryshuar, të paktën kushtetuta e Kosovës. Ky qëndrim a është në vijim me politikën e jashtme të Shqipërisë, që është votuar në Parlament? Tani po ju pyes drejtpërdrejt.
Presidenti Meta: Unë besoj se ne duhet të shtojmë përpjekjet për të qenë më të bashkuar. Në radhë të parë, në Shqipëri faktorët me njëri-tjetrin.
Gazetari: Që nuk janë…
Presidenti Meta: Së dyti, në Kosovë më shumë me njëri-tjetrin.
Gazetari: Që nuk janë.
Presidenti Meta: Dhe së treti, të punojmë që të gjithë me një projekt, që me siguri na bashkon të gjithë shqiptarëve, pa cenuar paqen dhe sigurinë në rajonin tonë, por edhe të ardhmen e begatinë e të gjithë shqiptarëve, që është ai i integrimit europian. Unë as nuk jam lodhur, dhe as nuk jam dorëzuar përballë këtij projekti, sepse e shikoj si projektin më të sigurt, pavarësisht nga frustrimet që mund të jenë këtu apo diku tjetër.
Gazetari: Këtu pajtoheni me kryeministrin Rama se bashkimi i shqiptarëve do të bëhet në Bashkimin Europian, besoj?
Presidenti Meta: Kjo është një bindje e imja që kur jam angazhuar në politikë. Pra u bënë gati tri dekada. Dhe kjo gjë po ndodh, sepse unë e kam artikuluar në mënyrë tepër të qartë që nëse ka një komb në këtë rajon, i cili ka përfituar më shumë nga rënia e Murit të Berlinit dhe nga era e re e integrimeve europiane, ai është kombi shqiptar, sepse cili ka qenë kombi më i shtypur, më i izoluar dhe më i persekutuar e më i ndarë nga njëri-tjetri në vitin 1990-të? Kanë qenë shqiptarët. Shqiptarët në Shqipëri për u takon të drejtave të njeriut, jashtëzakonisht të shtypur. Dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi, që ju e dini më mirë se unë se si kanë qenë. Dhe padyshim që këto procese në dy-tri dekada, na kanë sjellë pranë njëri-tjetrit. Transformimet janë gjigande, pavarësisht se gjithmonë shumë arritje harrohen më shpejt.