Përgjimet ndaj grupit kriminal / Prokurori urdhëron ndalimin e publikimeve. Ja për çfarë bëhet fjalë

Prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini ka urdhëruar ndalimin e publikimi të akteve të proçedimit penal Nr.173, të vitit 2018, qofshin ato dhe pjesë nga arsyetimi i vendimit penal Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj  forme tjetër informacioni masiv.

Përmes një deklarate zyrtare, bëhet e ditur se subjektet e proçedimit penal, avokatët mbrojtës, etj, të cilët për shkak të cilësisë së tyre njihen me aktet e proçedimit penal të dërguara në gjykatë dhe me vendim penal Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ndalohen t`i bëjnë publike ato.

“Shkelja e këtij urdhëri, personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a/3 të K.Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Njoftimi i Prokurorisë

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË PËR KRIME TË RËNDA

T i R A N Ë

U R D H E R

“Për ndalimin e publikimit të akteve”

Në Tiranë, sot më datë 08.05.2019.

Unë Anton MARTINI, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pasi u njoha me publikimin e pjesshëm në disa media elektronike të përmbajtjes së vendimit penal Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë;

K O N S T A T O V A:

Më datë 24.09.2018, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është regjistruar proçedimi penal Nr.173, lidhur me veprat penale të “Trafikim i narkotikeve” kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 283/a dhe 333/a të K.Penal, në bazë të materialeve të referuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Pas një hetimi proaktiv disa mujor, më datë 02.05.2019, i jemi drejtuar me kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, për caktimin e masave të sigurimit personal për 26 shtetas, të dyshuar se kanë kryer veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/2, 333/a, etj, të K.Penal.

Me vendim Nr.81, datë 06.05.2019, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë miratoi kërkesën tonë, duke caktuar kështu, masat e sigurimit personal për shtetasit e dyshuar. Policia e Shtetit e ngarkuar me ekzekutimin e këtij vendimi, po më datë 06.05.2019, bëri të mundur ekzekutimin e 20 prej masave të sigurimit personal, ndërsa për 6 persona nuk u bë e mundur, pasi nuk u gjetën në vendin ku jetonin dhe punonin dhe për ta vijojnë kërkimet.

LEXO EDHE  Covid-19/ Udhëtimet, Gjermania merr vendimin e rëndësishëm për Shqipërinë

Më datë 07.05.2019, në një konferencë për shtyp së bashku me Policinë e Shtetit, informuam opinionin publik mbi rezultatet e hetimit në respekt të detyrimit për informim dhe transparencës së punës që zhvillojnë institucionet tona.

Sot më datë 08.05.2019, në disa media elektronike, konstatohet se referuar vendimit penal të arsyetuar me Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë (vendim i cili j`u është vënë në dispozicion disa prej mbrojtësve të shtetasve të arrestuar nga sekretaria e gjykatës), po citohen pjesë nga bisedat telefonike të përgjuara, ku shtetasit nën hetim kanë zhvilluar me njëri – tjetrin, gjatë harkut kohorë shtator 2018 – maj 2019.

Si burim informacioni citojnë; “kemi në dispozicion dosjen hetimore me përgjimet e kryera”, etj. Dosja hetimore, gjendet në zyrën e prokurorit dhe një kopje e saj në zyrën e gjyqtarit që ka caktuar masat e sigurimit personal dhe në asnjë rast në dispozicion të asnjë personi që ligji nuk e obligon.

Nisur nga fakti se publikimi i bisedave të përgjuara që gjenden në pjesën arsyetuese të këtij vendimi, cënojnë sekretin e hetimit paraprak lidhur me proçedimin penal Nr.173, të vitit 2018, i cili nuk ka përfunduar akoma, ç`moj se duhet ndaluar publikimi i tyre nëpërmjet shtypit ose çdo lloj  forme tjetër informacioni masiv.

Në këto kushte, bazuar në kërkesat e neneve 103 dhe 104 të K.Pr.Penale;

U R D H E R O J

1.Ndalimin e publikimi të akteve të proçedimit penal Nr.173, të vitit 2018, qofshin ato dhe pjesë nga arsyetimi i vendimit penal Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj  forme tjetër informacioni masiv.

2.Ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhëri Kordinatori për Midiat në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

  1. Subjektet e proçedimit penal, avokatët mbrojtës, etj, të cilët për shkak të cilësisë së tyre njihen me aktet e proçedimit penal të dërguara në gjykatë dhe me vendim penal Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ndalohen t`i bëjnë publike ato.

4.Shkelja e këtij urdhëri, personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a/3 të K.Penal.

P R O K U R O R I

__________________

Anton MARTINI