Sot Vlora është përmbytur tërësisht si pasojë e reshjeve, ndërsa situata ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet.
Pamjet që ka ofruar Vlora sot ishin të ngjashme me ato të një qyteti nën ujë, ndërsa niveli ka kaluar mbi 15 cm në disa akse, kryesisht ato që lidhin bulevardin Vlorë -Skelë me rrugën Transballkanike niveli ujit është rreth 15 centimetra. Kryesisht lagjet “Pavarësia” dhe “28 Nëntori”.
E ndërsa vite më parë problematike paraqitej situate në Shkodër e Lezhë, në 4 apo 5 vitet e fundit hartës së përmbytjeve i është shtuar edhe Vlora.
Dhe nëse sjellim në vëmendjen deklarimet e kryeministrit aktual, dikur lider i opozitës, në vitin 2010, përgjegjësia mbi atë që ka ndodhur sot në Vlorë, është pikërisht e qeverisë.
Në 2010, 2011, 2012 apo 2013, kohë kur ishte në opozitë, sa herë ndodhte përmbytje, Rama akuzonte qeverinë e atëhershme, ndërsa bënte krahasime mes Shkodrës dhe Lezhës, që qeverisin nga kryebashkiakët e djathtë, dhe Vlorës që qeverisej nga të majtët. Dhe në kuadrin e premtimeve dhe krahasimeve, Rama në atë kohë deklaronte se kur të vinte në pushtet, Shkodra dhe Lezha do të bëheshin si Vlora.
Në fakt ai e mbajti premtimin, por me një dallim: Vlorën e bëri si Shkodra e 2010, që përmbytej.
Por çfarë deklaronte Edi Rama kur ishte në opozitë dhe në situata përmbytjesh? Më poshtë mund të lexoni pjesë nga deklarimet e tij:
Deklarimet e Ramës
Nuk ka asnjë dyshim se ajo që ndodh sot është rezultat i keqqeverisjes. Nuk ka asnjë dyshim se ajo që ndodh sot do të vazhdojë të ndodhë keq e më keq për sa kohë keqqeverisja do të degradojë ditë e për ditë. Nuk ka asnjë dyshim se ajo që ndodh sot është rezultat i degradimit të çdo marrëdhënie mes qeverisjes, procesit qeverisës dhe procesit të bashkëjetesës së njerëzve në këtë vend ku gjithçka është lënë në mëshirë të fatit, përsa i përket vendit, përsa i përket natyrës së vendit, përsa i përket gjithë elementëve të gjeografisë së vendit, përsa i përket të gjitha sistemeve që duhet ta menaxhojnë këtë tërësi elementesh natyrorë në funksion të mirëqenies së njerëzve. E në vend se ne, vendi në mos gabohem i dytë në Europë për pasuri ujore, ta kthejmë këtë pasuri ujore në mirëqenie, kjo pasuri ujore na kthehet në fatkeqësi, vetëm për një arsye, se është kaq e paaftë qeveria e këtij vendi prej vitesh e vitesh dhe është kaq e mbrapshtë qeverisja në këtë vend. Është realisht e rëndësishme që të reflektojmë mbi gjithë këtë.
Në rast se ka momente kur shiu mund të jetë i papërmbajtur dhe sigurisht ka bllokime të përkohshme për shkak se sasi e shiut është më e madhe sesa aftësia thithëse e një sistemi të tërë kanalizimesh apo kullimi, këto janë momente që ndodhin kudo, në çdo qytet të botës dhe të Europës. Por kur shiu, uji mbetet aty dhe shkon duke u shtuar dhe sistemet nuk arrijnë dot ta absorbojnë këtu nuk kemi të bëjmë më me shiun dhe me ujin, këtu kemi të bëjmë me sisteme të paafta për ta absorbuar. Si mendoni ju që ka mundësi që arsyeja jonë të pranojë se nuk ka pasur shira të tillë në të shkuarën? Ka mundësi që arsyeja jonë të pranojë se i njëjti shi e zhyt deri në gjunjë Bathoren, Paskuqanin e rrethinat e Tiranës, ndërkohë që nuk ndodh e njëjta gjë me Tiranën? Ka mundësi që arsyeja jonë të pranojë se përsëri këto gjëra do të ndodhin dhe do të ndodhin edhe kur Saliu ta bëjë Bunën të lundrueshme me varka, që të shkojnë e të vijnë bashkë me Jozefinën për peshk? Ka mundësi? Është e pamundur.
Nuk ndodh në asnjë vend normal ku votohet sigurisht, ndodh me popujt ku nuk votohet. Ndodh me popujt që nuk e kanë të drejtën që ta ndryshojnë qeverinë me votë. Aty ku qeveria ndryshon me votë nuk guxon dot kryeministri të bëhet kloun dhe të shpërthejë në absurditete dhe vulgaritete të atyre përmasave, sepse populli e konsideron plotësisht të përmbytur mendjen e kryeministrit dhe e largon me votë. Ndërkohë që jo, mendja e kryeministrit është përmbytur, rrjedh përditë, rrjedh e rrjedh, me prurje nga më banalet dhe më vulgaret dhe kryeministri qëndron aty sepse kontrollon votën. Ky është thelbi. Këtu lidhet beteja jonë, këtu lidhen kutitë e mbyllura me gjithëçka ndodh. Nëqoftëse kutitë nuk do të ishin të mbyllura, por do të ishin transparente dhe nëqoftëse procesi elektoral do të ishte një proces transparent nuk do të kishte kryeministër që të fliste broçkulla dhe të gajasej. /Bondnews.al/