“Vetingu” i dobët parlamentar vendos pikëpyetje mbi kontrollorët e Drejtësisë

Kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, Dhjetor 2017

Nga Boldnews.al

Arta Marku dorëzoi të hënën aplikimin për Prokuror të Përgjithshëm me mandat të plotë, rreth 1 vit e gjysëm pasi ajo u zgjodh si “e përkohshme” në krye të institucionit të Akuzës, në një procedurë të diskutueshme të zhvilluar nga Parlamenti, në Dhjetor 2017.

Në atë kohë, Marku ishte një prej 7 kandidaturave që synonin të merrnin postin e mbetur vakant pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës. Kandidatët e tjerë ishin prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme Arqile Koça e Artur Selmani; prokurori i Apelit të Durrësit, Ferdinand Elezi, si edhe prokurorët e shkallës së parë Besnik Muçi, Ermira Tafani dhe Granit Shahu.

Për të gjithë kandidatët, administrata e Parlamentit, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, zhvilloi procedurën e “vetingut”, një lloj verifikimi mbi pasurinë, integritetin profesional e personal, sipas parimeve mbi të cilat funksionon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).

Nga 7 kandidaturat, Vetingu i Parlamentit nxori “të papërshtatshëm” vetëm prokurorin Artur Selmani, për të cilin kishte dyshime mbi kriterin e pasurisë. Ndërkohë, për 6 të tjerët, verifikimi i trefishtë rezultoi pa probleme.

Gjithësesi, 3 prej tyre u skualifikuan nga gara për Kryeprokuror të Përkohshëm, për shkak të mos-plotësimit të kushteve ligjore. Konkretisht, Arqile Koça u skualifikua për shkak se nuk kishte gradë shkencore, ndërsa Besnik Muçi dhe Granit Shahu për shkak të mos-plotësimit të kriterit të vjetërsisë në punë.

Tre kandidaturat e mbetura, Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani kaluan në votim, në të cilin u shpall fituese prokurorja nga Shkodra.

Në periudhë më të vonë, një pjesë e këtyre kandidaturave, të verifikuara “pa probleme” nga Parlamenti, kaluan në procesin e rivlerësimit kalimtar para organeve të Vetingut.

Arqile Koça nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ferdinand Elezi nga Apeli i Durrësit, të cilët ishin kualifikuar nga “vetingu” parlamentar, u shkarkuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ndërkohë, Arta Marku, e cila u konsiderua nga Parlamenti si kandidatja me nivel të lartë profesional, në fakt u kritikua shumë para Komisionit të Vetingut pikërisht për kriterin e aftësisë në punë.

Verifikimi i kandidaturave për Kryeprokuror të Përkohshëm zbuloi skarcitetin e procedurave të Vetingut të zhvilluara nga Kuvendi i Shqipërisë, duke ngritur pikëpyetje të mëdha edhe për mënyrën se si është kryer kontrolli parlamentar për një seri të gjatë zyrtarësh të institucioneve të rëndësishme të drejtësisë.

LEXO EDHE  Fluturuan nga kati i 3-të dhe i 5-të natën e tërmetit, dy vogëlushët takojnë Ronaldon dhe Buffon (Video)

Në bazë të “vetingut” parlamentar, tashmë janë në detyrë; 12 anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), 2 Komisionerët Publikë, 7 gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).

Gjithashtu, me me “vetingun” parlamentar, janë zgjedhur dhe ushtrojnë funksionet e tyre 5 anëtarët jo-gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe 5 anëtarët jo-prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

“Vetingu” parlamentar për këta zyrtarë është kryer në mungesë të plotë transparence dhe opinioni publik nuk është vënë në dijeni nëse ata përmbushin kriteret ligjore, profesionale e personale për të reformuar sistemin e drejtësisë.

Disa të dhëna, në bazë të investigimeve të “Boldneës.al” kanë dëshmuar se, të paktën disa prej këtyre zyrtarëve, nuk duhet të ishin në ato funksione.

Komisionerja e KPK-së, Valbona Sanxhaktari, rezulton që ka bërë biznes me një pronë të ndërtuar pa leje. Në një kohë që qytetarë të ndryshëm janë penalizuar, madje shumë prej tyre edhe arrestuar për ndërtime pa leje, në rastin e Sanxhaktarit, ajo jo vetëm që është lejuar të ndërtojë në kundërshtim me ligjin, por edhe ka siguruar të ardhura të konsiderueshme prej paligjshmërisë.

Gjithashtu, “BN” ka raportuar se, të paktën 3 nga 5 anëtarët jo-prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nuk plotësojnë kushtet ligjore për të mbajtur pozicionet e tyre. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka konstatuar se kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi dhe zëvendësi i tij, Alfred Balla, nuk përmbushnin kriteret ligjore për t’u zgjedhur në strukturën që trajton karrierën e prokurorëve, si edhe përgjegjëse për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm dhe përzgjedhës të prokurorëve të SPAK-ut.

Për një tjetër anëtare jo-prokurore e KLP-së, Nurihan Seiti, Autoriteti i Dosjeve ka konstatuar lidhje të hershme të saj me ish-Sigurimin e Shtetit, kusht që ndalon pjesëmarrjen në institucionet e reja të drejtësisë.

Këto të dhëna janë siguruar nga kërkimet mediatike, pasi “vetingu” parlamentar nuk ka ekspozuar asnjë detaj mbi verifikimet që ka kryer për zyrtarët që sot kontrollojnë sistemin e drejtësisë.