Nga Neritan Sejamini
Përballë krizës politike, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur “strategjinë e normalitetit”: të ruajë pushtetin duke krijuar dukjen e një qeverisjeje normale, edhe pse pa opozitë.
Prioriteti i menjëhershëm i tij është mbushja e vendeve parlamentare të braktisura nga opozita me zëvendësues po nga listat e opozitës, për të krijuar një “opozitë të re”, e cila do të përdoret për të dhënë pamjen e një parlamenti dhe qeverie që funksionojnë dhe qeverisin normalisht.
Duket se Zoti Rama do të arrijë me siguri të plotësojë vetëm 18 deri në 25 nga 59 vendet e mbetura bosh në Kuvend nga listat e partive parlamentare opozitare. Mbas shterimit të listave opozitare, ligji i jep atij mundësinë të fusë kandidatët nga listat e PS-së, por me gjasa Kryeministri nuk do të arrijë deri këtu.
Ky thuajse-Kuvendi, i përbërë nga afërsisht 100 deputetë, nga 140 që përcakton Kushtetuta, do të vazhdojë “rregullisht” jetën parlamentare, do të shqyrtojë projekt-ligjet në komisione, do të zhvillojë debate plenare dhe do të miratojë ligje.
Për të rritur besueshmërinë, Zoti Rama do të përpiqet të sigurojë mbështetjen e fuqive perëndimore për këtë “rregullim” parlamentar, duke i joshur ata me miratimin e reformave që ata i mendojnë të domosdoshme.
Në krye të listës është reforma zgjedhore, kusht për hapjen e negociatave me BE-në. Për hartimin e saj, Zoti Rama duket se do të imitojë qasjen e ndjekur me reformën në drejtësi: do ta shpallë reformën prioritet, duke e propaganduar kudo, do të bëjë aleatë përfaqësuesit perëndimorë, duke përfshirë formalisht ekspertë të tyre në hartimin e saj, ndërkohë që kontrollon vetë procesin e përmbajtjen e reformës, dhe pastaj do të denoncojë opozitën që nuk është bërë pjesë e reformës, duke nxitur edhe kritikën e të huajve ndaj saj.
Pak ditë më parë, Zoti Rama e pohoi në Kuvend këtë synim, duke u shprehur se ai do të hartojë dhe miratojë reformën zgjedhore bashkë me “opozitën e re”. Ndërsa dje, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë shprehu mbështetjen për këtë strategji të Kryeministrit, duke pohuar se miratimi i reformës zgjedhore nga Kuvendi është i ligjshëm përderisa ai ka të paktën 84 deputetët e nevojshëm për ta miratuar.
Duket se Zoti Rama do të bëjë edhe një manovër tjetër taktike, që do të largojë vëmendjen nga kriza dhe do t’i sjellë përfitime politike—do të miratojë të drejtën e votimit nga jashtë Shqipërisë, pra, votimin e emigrantëve. Më këtë veprim ai do ketë arsye për të bërë propagandë vetëlëvduese pseudopatriotike dhe do të marrë mbështetjen nga emigrantët, ndërkohë që ka kontroll mbi administrimin e votimit të emigrantëve përmes ambasadave shqiptare.
Kështu, Zoti Rama do të mund të krijojë një “normalitet” politik të paktën për disa muaj, por ai e ka të qartë se, gjithsesi, kriza politike do të çojë, herët a vonë, në zgjedhje.
Duke shfrytëzuar gabimin e opozitës, e cila vazhdon t’i harxhojë energjitë në protesta dhe denoncime, Kryeministri po përgatit me shpejtësi partinë e tij për zgjedhje, për të qenë gati që të detyrojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në kohën më të përshtatshme për të, duke befasuar opozitën e papërgatitur.
Madje, nëse opozita do të mbetet e tulatur dhe socialistët arrijnë të mirëpërgatiten, ka një gjasë që Kryeministri Rama të japë dorëheqjen, sikurse kërkon opozita, për të kontrolluar qeverinë edhe zgjedhjet pa pasur nevojë për karriken e Kryeministrit.
Zoti Rama duket se do të synojë fillimisht të mbajë zgjedhjet lokale të planifikuara për në qershor, pavarësisht se opozita me siguri nuk do të marrë pjesë në to.
Për të krijuar idenë e zgjedhjeve pluraliste, ai do të përpiqet të sponsorizojë kandidatë të pavarur, të ringjallë parti që ekzistojnë vetëm në emër, apo të nxisë krijimin e partive të reja nga grupime të shquara për veprimtarinë shoqërore.
Përveç krjimit të fasadës së zgjedhjeve pluraliste, me këtë veprim Kryeministri shpreson sinqerisht se ndoshta ndonjë nga grupet që ai do të nxisë mund të rritet aq sa të konkurrojë, dobësojë apo zëvendësojë një apo disa nga partitë e opozitës. Kjo dëshirë është artikuluar publikisht nga surrogatët mediatikë të Kryeministrit, me qëllim ngjalljen e panikut tek ndjekësit e opozitës dhe nxitjen e grupimeve që duan të aktivizohen politikisht.
E gjitha kjo “strategji normaliteti” po shoqërohet me propagandë të thekshme, e cila synon kryesisht opinionin e huaj politik dhe diplomatik, si element kritik për suksesin e strategjisë.
Megjithatë, mundësia e suksesit të strategjisë duket e vogël. Përtej propagandës, gjendja e vërtetë politike dhe ekonomike është e rëndë dhe në disfavor të Kryeministrit. Mbi të gjitha, koha është në disfavor të tij, veçanërisht fakti se Kryeministri është në mes të mandatit të dytë dhe ai nuk shihet si zgjidhje e qëndrueshme, pasi mandat i tretë duket për shumëkënd thuajse i pamundur.
Mbi të gjitha, nëse opozita bën atë që duhet të bëjë—ndërton dhe ndan me qytetarët një vizion që synon një ndryshim të vërtetë dhe të thellë për të prishur pikërisht “normalitetin” politik, ekonomik dhe shoqëror të tre dekadave të fundit—gjasat e suksesit të Kryeministrit bëhen më të vogla.
Në të vërtetë, opozita duhet ta trondisë “normalitetin” duke e polarizuar elektoratin, duke e ndarë atë me pykë në dy pjesë—në njërën anë populli dhe në anën tjetër Kryeministri Rama dhe elita e tij e korruptuar.
Kjo gjë kërkon që opozita të marrë qëndrime parimore dhe të ndershme, duke hequr dorë nga llogaritë dhe taktikat me makinacione, duke pranuar të vërtetën se e keqja nuk është vetëm Kryeministri, por edhe elita e përhershme, e cila qëndron gjithmonë në krah të pushtetit për të përfituar në bashkëpunim me të në kurriz të njerëzve.
Në politikë nuk qëllon shpesh që rruga e ndershme dhe ajo pragmatike të përputhen, por këtë herë rruga që e çon opozitën në pushtet është rruga e ndershme. /Exit/