Ditmir Bushati, deputet i PS-së në qarkun e Shkodrës, duket se ndan një mendim tjetër nga kolegët e tij socialist lidhur me krizën politike në vend, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve nga opozita.
Bushati shprehet se mes maxhorancës dhe opozitës është i nevojshëm dialogu si e vetmja mundësi për të mos e dëmtuar vendin, sidomos gjatë tre muajve të ardhshëm.
Gjatë punimeve të Asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste në Shkodër, ish-kryediplomati shqiptar theksoi se dialogu është instrumenti i vetëm për të tejkaluar vështirësitë politike dhe për të riparuar mangësitë e jetës institucionale.
“Tre muajt në vijim janë përcaktues për procesin e shumëpritur të fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. Një prioritet ky kombëtar e mundësi për demokratizim të mëtejshëm dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë që nuk mund të shpërdorohet nga veprimet që synojnë deligjitimimin e institucioneve të zgjedhura me votë e të certifikuara nga institucionet ndërkombëtare”, u shpreh Bushati.
Sipas tij, funksioni dhe përgjegjësia politike përbëjnë një sfidë të përhershme për të gjithë ata që marrin mandatin e popullit për të punuar për një të ardhme të denjë dhe të drejtë”.