Mundësitë që, 57 prokurorët dhe gjyqtarët e parë t’i shpëtojnë sitës së trefishtë të Vetingut, sa vijnë dhe bëhen më të pakta. Pas dorëzimit të dosjeve të kontrollit nga ILDKP pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (organi kryesor i Vetingut), njerëzit e Vetingut kanë nisur verifikim deri në detajet më të imëta, për ligjshmërinë e pasurisë së deklaruar si dhe për fshehjen e mundshme të shpenzimeve dhe pasurive të paluajtshme, të 57 prokurorëve dhe gjyqtarëve të parë që po i nënshtrohen procesit.
Mësohet se po kontrollohen shpenzimet për mobilimin e shtëpive, shpenzimet për shkollimin e fëmijëve, shpenzimet për bileta udhëtimi, pushimet verore dhe dimërore, shpenzimet për dreka dhe darka, shpenzimet në spitale, bizhuteritë, makinat, llogaritë bankare etj.
Gjithashtu, po verifikohen dhuratat e mundshme, vërtetësia e tyre, vlera reale e banesave të deklaruara, e bizneseve, mundësitë për gjetjen e parave cash, certifikatat e depozitave, kartat e debitit mbi automjetet etj. Verifikimi po bëhet nga anëtarët e Komisionit të Kualifikimit me qëllim përcaktimin e gjendjes së fakteve dhe rrethanave që kanë lidhje me çështjen.
Verifikimi në banesa
Në kuadër të këtij procesi, Shqiptarja.com ka mësuar se anëtarët e Vetingut do të kryejnë verifikime edhe në banesat e subjekteve që po kontrollohen, për të konfirmuar vërtetësinë e deklaratave të pasurisë dhe të përgjigjeve të tyre. Verifikimi në çdo rast do të bëhet me lejen e gjykatës kompetente.
Kontrolli do të fokusohet kryesisht tek vlera e mobilieve dhe pajisjeve elektrike, por edhe tek çdo send tjetër me vlerë. Në shënjestër do të jenë subjektet që nuk kanë deklaruar asnjë shpenzim në deklaratat e pasurive për mobilimin e banesave.
Këqyrja dhe kontrolli i sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme në terren gjen mbështetje në ligjin e Vetingut, konkretisht në pikën ‘ç’ të nenit 49, në kuadër të parashikimit të mjeteve për kërkimin e provës gjatë hetimit administrativ.
Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kanë të drejtë të hyjnë në banesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ata kanë akses të plotë në të gjitha të dhënat dhe në gjetjet e anëtarëve të organeve të Vetingut. Ekipi i vëzhguesve të ONM, i përbërë nga prokurorë dhe gjyqtarë nga SHBA dhe BE, ka gjithashtu të drejtë të kryejnë hetime të pavarura dhe të referojë prova pranë organeve të Vetingut.
Mobiliet shtëpiake
57 prokurorë dhe gjyqtarë kanë marrë në formë elektronike një grup pyetjesh nga anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rreth pasurive dhe shpenzimeve. Përpos të tjerash, gjyqtarët dhe prokurorë janë pyetur për vlerën e orendive dhe pajisjeve shtëpiake dhe kur i kanë ndërruar mobilet për herë të fundit.
Kjo pyetje u është drejtuar subjekteve pas konstatimit se në deklaratat e pasurive dhe në raportet e përcjella nga ILDKP, vetëm një numër i papërfillshëm kishin deklaruar shpenzime për arredimin e banesave mbi limitin e parashikuar në ligjin për deklarimin e pasurive.
Ligji parashikon që çdo shpenzim mbi 300 mijë lekë duhet të deklarohet. Kjo ka ngritur dyshime tek anëtarët e Vetingut dhe vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për fshehje të shpenzimeve të deklarueshme nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve të parë që po i nënshtrohen Vetingut.
Vendimmarrja
Në fillim të vitit që vjen, Komisioni i Kualifikimit do të marrë vendimet e para për disa nga 57 gjyqtarët dhe prokurorët që po verifikohen. Dosjet e regjistruara për shqyrtim u janë shpërndarë trupave gjyqësore, përmes procedurës së shortit. Bisedimet për marrjen e vendimit ndaj subjektit të rivlerësimit do të zhvillohen me dyer të mbyllura në praninë e vëzhguesit ndërkombëtar. Vendimi do të merret me votim të hapur dhe me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të trupit gjykues.
Nëse gjatë vendimmarrjes ka qëndrime të ndryshme nga ai i shumicës, komisionieri i mbetur në pakicë arsyeton me shkrim mendimin e tij. Vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të shkruajë një mendim ndryshe/paralel që i bashkohet vendimit. Shkarkimi nga detyra i gjyqtarit apo prokurorit do të vendoset kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të.
Kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur vazhdimin e detyrës. Kur rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale.
Gjyqtari ose prokurori do të shkarkohet edhe në rast se nga vlerësimi tërësor, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit./Shqiptarja.com/
Lista me emrat e 57 gjyqtarëve dhe prokurorëve që po kontrollohen:
-
- Altina Xhoxhaj Gjykata Kushtetuese
- Bashkim Dedja Gjykata Kushtetuese
- Besnik Imeraj Gjykata Kushtetuese
- Fatmir Hoxha Gjykata Kushtetuese
- Fatos Lulo Gjykata Kushtetuese
- Gani Dizdari Gjykata Kushtetuese
- Vitore Tusha Gjykata Kushtetuese
- Xhezair Zaganjori Gjykata e Lartë
- Adriatik Lalla ish-Prokuror i Përgjithshëm
- Alma Brati Gj. Shk. I, Tiranë
- Artan Laze Gj. Shk. I, Tiranë
- Artan Zeneli Gjykata e Lartë
- Astrit Faqolli Gj. Shk. I
- Besim Trezhnjeva Gj. Apelit Durrës
- Bledar Abdullai Gj. Shk. I, Tiranë
- Brunilda Kadi Gj. Shk. I, Tiranë
- Brunilda Kasmi Gj. Shk. I, Tiranë
- Dritan Hallunaj Shk. I për Krimet e Rënda
- Ilir Toska Gj. Apelit Tiranë
- Manjola Xhaxho Gj. Shk. I, Tiranë
- Marcela Shehu Gj. Shk. I, Kurbin
- Medi Bici Gjykata e Lartë
- Nertina Kosova Apeli Krimet e Rënda
- Adriatik Cama Prokuroria Tiranë
- Anila Leka Prokurori e Përgjithshme
- Antoneta Sevdari Prokuroria Tiranë
- Arben Dopallaj Prok. Apelit Shkodër
- Arben Nelaj Prokuroria Tiranë
- Arta Marku Prokuroria Shkodër
- Besa Nikehasani Prok. Apelit Shkodër
- Besnik Cani Prokuroria Elbasan
- Besnik Muci Prok. Krimet e Rënda
- Bujar Hoti Prokuroria Durrës
- Dritan Prenci Prokuroria Kukës
- Dritan Rreshka Prokuroria Tiranë
- Elison Sadiku Prokuroria Korçë
- Gentjan Osmani Prok. Krimet e Rënda
- Kostaq Beluri Prokurori e Përgjithshme
- Luan Kaloçi Prok. Apelit Tiranë
- Ramadan Troci Prokurori e Përgjithshme
- Shpëtim Kurti Prokuroria Tiranë
- Vat Staka Prokuroria Shkodër
- Brikena Ukperaj Lubonja Gj. Apelit Vlorë
- Ervin Metalla Gj. Apelit Tiranë
- Fatjona Memçaj Prok. Apelit Tiranë
- Gentjan Medja Gj. Adm. Sh.I Tiranë
- Gentjan Trenova Prok. Apelit Tiranë
- Kastriot Selita Gj. Adm. e Apelit
- Rovena Gashi Prokurori e Përgjithshme
- Admir Thanza Gjykata e Lartë
- Ardian Dvorani Gjykata e Lartë
- Artan Broci Gjykata e Lartë
- Edmond Islamaj Gjykata e Lartë
- Shkëlzen Selimi Gjykata e Lartë
- Tom Ndreca Gjykata e Lartë
- Artur Malaj Gj. Adm. e Apelit
- Marsida Xhaferllari Insp. e Lartë e Drejtësisë.