Gjatë përmbytjeve të ditëve të fundit, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka marrë një rol protagonisti të theksuar.
Fillimisht, me një populizëm të theksuar, ai u shfaq pranë të dëmtuarve nga shiu në zonën e autostradës. Madje, ai nuk nguroi të përqafonte në mënyrë teatrale një djalë të ri, i cili ka humbur shtëpinë e tij nga reshjet e ditës së Premte.
Pak orë më vonë, ai u shfaq pranë efektivëve të Policisë që po ndihmojnë banorët më të goditur nga përmbytjet, në zonën e Vlorës.
Xhafaj po mundohet të marrë pikët maksimale në favor të tij nga situata e krijuar. Dhe kjo duket se është e gjitha në kuadër të strategjisë së tij për t’u bërë faktor primar në jetën politike, por sidomos në luftën për pushtetin brenda Partisë Socialiste. Për shumëkënd brenda maxhorancës, Fatmir Xhafaj po arrin në pikën që të rivalizojë edhe vetë Edi Ramën në garën për pushtet.
Një jurist që ka nisur karrierën e tij si hetues në kohën e komunizmit, tashmë Fatmir Xhafaj njihet publikisht si “njeriu i amerikanëve”. Kjo, për shkak të raporteve të ngushta që krijoi me ambasadorin amerikan, Donald Lu, gjatë kohës që po hartohej Reforma në Drejtësi.
Xhafaj, në rolin e kryereformatorit, ishte gjithnjë në krah të ambasadorit Lu dhe partneres së tij diplomatike të BE-së, Romana Vlahutin.
Ky rol, si i “përkëdheluri” i ambasadorëve, e ka ndihmuar Fatmir Xhafën të forcojë pushtetin e tij dhe të rrisë influencën në gjithçka që ka lidhje me drejtësinë në Shqipëri.
Sot ai është Ministër i Brendshëm, por ndikimet e tij janë shtrirë në shumë institucione të tjera, në bashkëpunim edhe me ish-vartësit e tij në Komisionin e Ligjeve, Vasilika Hysin, Ulsi Manjën, e të tjerë.
Në rolin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve dhe të Komisionit në Reformës në Drejtësi, gjatë periudhën 2013-2017, ai arriti të ushtronte ndikimin e tij në përzgjedhjen e personave që do të zhvillojnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Anëtarët e Komisionit të Vetingut, të cilët janë juristë me biografi jo-cilësore, janë zgjedhur nën ndikimin e Xhafës. Në këtë mënyrë, ai, nëpërmjet “të emëruarve” të tij, ka në dorë të ndikojë për rezultatet e Vetingut. Një pushtet shumë i rëndësishëm, por që nuk është i vetmi.
Ai është “kumbari” i emërimit të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjoni. Kjo e fundit, një vajzë këmbëngulëse në punë, arriti në majën e drejtësisë falë njohjes së hershme me Vasilika Hysin, e cila njihet si krahu mbështetës i Fatmir Xhafaj në Partinë Socialiste. Gjoni ka qenë vartëse e Vasilika Hysit në kohën që kjo e fundit drejtonte Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Nëpërmjet ministres së Drejtësisë, Xhafa arrin të kontrollojë edhe këtë institucion. Por lista vijon.
Si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Xhafaj arriti të ndryshonte me një procedurë aspak normale kreun e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive. Në vitin 2014, Xhafaj u investua personalisht që ish-kryeinspektorja Zana Xhuka të largohej nga drejtimi i atij institucioni. Në vend të Xhukës u emërua Shkëlqim Ganaj. Brenda radhëve të Partisë Socialiste është fakt i njohur se Ganaj i Inspektoratit të Pasurive është person që i bindet Fatmir Xhafës.
Ky investim i Xhafës nuk është thjeshtë një tekë për të kontrolluar një institucion. Inspektorati i Pasurive ka rol primar në Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi kontrollon pasuritë e tyre. Pra, Xhafa kontrollon edhe këtë aspekt të rëndësishëm që lidhet me drejtësinë.
Në vijim, ministri tashmë i Brendshëm, po synon të shtrijë pushtetin e tij në institucionet më të rëndësishme të drejtësisë.
Duke filluar nga Prokurori i Përgjithshëm. Xhafaj, nëpërmjet lidhjeve të tij tek OPDAT dhe EURALIUS, ka nxitur këta të fundit që të impenjohen për largimin e Adriatik Llallës.
Nëpërmjet kryetarit aktual të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, Xhafaj po tenton që të sigurojnë një prokuror të përgjithshëm të përkohshëm. Detyrën për të gjetur emrin e prokurorit të përkohshëm duket se ia ka caktuar vetë Manjës. Ky i fundit po mendon që të propozojë një prokurore, të njohurën e tij të hershme, në një qytet jashtë Tiranës. Madje, “kandidatja” e Manjës, e cila tashmë po garon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në një moment, nëpërmjet një mekanizmi, vendosi të tërhiqej nga gara për KLP. Por, duke qenë se situata nuk është e qartë nëse duhet apo jo një prokuror i përkohshëm, kjo “kandidate” u përfshi sërish në garën për KLP.
Gjithësesi, Fatmir Xhafaj nuk tërhiqet nga qëllimi i tij për të marrë nën kontroll Prokurorinë. Çdo emër që flitet në radhët e prokurorëve për të zëvendësuar Llallën, lidhet detyrimisht me njohjet që kanë me Fatmir Xhafën.
Nga ana tjetër, ministri aktual i Brendshëm po synon që të kontrollojë edhe procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Shefi i prokurorisë së Anti-korrupsionit do të zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. KLP-ja do të ketë në përbërje të tij prokurorë dhe persona jashtë prokurorisë. Kandidatët jo-prokurorë, të shpallur në kohën kur Xhafaj drejtonte Komisionin e Reformës në Drejtësi, tashmë kanë marrë bekimin e tij dhe pritet të marrin zyrtarisht mandatin si anëtarë të KLP-së. Dhe, në këmbim, ata do të ndihmojnë që kreu i SPAK-ut të jetë nën kontrollin e Fatmir Xhafës.
Me SPAK-un nën ndikimin e tij, Fatmir Xhafaj do të kontrollojë të gjithë pushtetin e drejtësisë. Por jo vetëm kaq. Duke mbajtur në vëmendje se mbështetësi i Xhafës, ambasadori Lu pret kapjen e peshqve të mëdhenj në fillim të vitit 2018, ministri i Brendshëm mund të marrë rolin e “peshkatarit”.
Eksponentët e lartë të maxhorancës, të cilët nuk shquhen për imunitet ndaj korrupsionit, do të shohin veten të varur në vullnetin dhe humorin e Fatmir Xhafës.
Xhafaj si Ministër i Brendshëm, si Prokuror i Përgjithshëm, si drejtues i SPAK do të jetë shumë i fuqishëm, aq sa do të krijojë të gjithë mundësitë reale për të rivalizuar dhe, pse jo, për të tronditur vetë shefin e tij politik, Edi Ramën.
Pas largimit të Saimir Tahirit nga Partia Socialiste, i cili dihet botërisht se ka pasur raporte armiqësore me Xhafën, tashmë Ministri i Brendshëm duket se do ta ketë autostradë rrugën e tij drejt pushtetit brenda Partisë Socialiste.