Edi Rama emëron drejtor ish-shefin e kabinetit të Haxhinastos.
Ish-drejtori i kabinetit të Edmond Haxhinastos, i shumëpërfoluri Krislen Keri nëpërmjet një konkursi thuajse fiktiv dhe të pabesueshëm pritet të marrë detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Aviacionit Civil. Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës është zhvilluar faza e dytë e proçedurës së vlerësimit të kandidatëve për vlerësimin e kandidatëve për postin e drejtorit ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Një konkurs i stisur që ka nxjerrë fitues deri tani të paktën ish-shefin e kabinetit të Edmond Haxhinastos, Krislen Keri. Për ata që nuk e njohin le tju kthejmë pak kujtesën: Në 7 maj të vitit 2016 dy fëmijë të moshës 3 dhe 5 vjeç humbën jetën nga një aksident tragjik në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë. Një mjet u përplas në mënyrë tragjike me trafikndarësen e cila ishte ndërprerë në vendhyrjen e një karburanti. Në atë kohë mediat raportuan se kjo pikë ishte me emrin e shoqërisë PIENVIS me pronarë Pilo Kërin, ish-deputet socialist dhe më pas mbështetës i LSI-së. Trafikndarësja ishte hequr, u tha në atë kohë pas ndikimit të djalit të Pilos, Krislenit i cili ishte edhe shefi i kabinetit të Haxhinastos, por edhe ky pozicion kishte debate në atë kohë pasi mediat raportonin se ai mbante dy detyra, atë të shefit të projekteve dhe të shefit të kabinetit.Detyrën e fundit Krislen Keri e mbajti për tre vite gjatë kohës kur ministria drejtohej nga Edmond Haxhinasto.Mediat thanë se ka qënë ndërhyrja e Krislenit te Autoriteti Rrugor që ka bërë të mundur heqjen e trafikndarëses në një segment për të mundësuar hyrjen e automjeteve në një karburant të babait të tij. Heqja e kësaj trafikndarëses rezultoi fatale, ku për pasojë humbën jetën dy fëmijë.
Pilo Keri vazhdoi i qetë detyrën e tij, KrisLeli do vazhdojë i qetë detyrën e tij tani në krye të Aviacionit Civil, dy fëmijë humbën jetën dhe gjithçka u mbyll me arrestimin dhe gjykimin e dy drejtuesve të nivelit të ulët në ARRSH. Mediat folën dhe raportuan fort, Krisleni në atë kohë ishte i shumë akuzuar, por në Shqipëri çudia më e madhe zgjat tre ditë edhe kur merr dy jetë fëmijësh. Përgjegjësia ngeli te drejtorët, ndërhyrja e Krislenit dhe karburanti i Pilo Kerit ngelen të pafajshëm. Sot jetët e dy fëmijëve ulërasin dhe bërtasin nga qielli. Ata kërkojnë drejtësi, por kush ta japë? Edi Rama që emëron Krislenin në krye të Aviacionit Civil?