Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili humbi si i katërti në listën e Vlorës, ka folur në “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa për humbjen katastrofike të PD në zgjedhjet e 25.
qershorit dhe nëse Basha është lideri i duhur për këtë parti.
Sipas Ristanit, listat e Bashës nuk ishin faktori kryesor që PD humbi në zgjedhje, por se mjetet në garë nuk ishin njësoj me ato të kundërshtarit politik.
Ish-deputeti i PD thotë se Rama përdori bandat e krimit dhe drogës, gjë që ia lehtësoi fitoren.
Ristani jep dhe një mendim në lidhje me lënien jashtë të emrave të rëndësishëm nga Basha në listat për deputetë, duke u shprehur se është kryetari ai që zgjedh strategjitë përderisa është vendosur në atë post.
A ndikuan listat e Bashës në humbjen e PD?
Arben Ristani: Zgjedhjet e fundit ishin tronditje për PD për shkak të rezultatit. Unë humba dhe personalisht, nuk jam më pjesë e parlamentit aktual. Ishte një periudhë meditimi, reflektimi.
A e pyetët Bashën pse ju vuri të katërtin?
Arben Ristani: Zgjedhjet janë një pjesë e taktikës që zgjedh lidershipi. Basha pati strategjinë e tij në fushatë elektorale. Kishte specifikat e veta. Ne kishim në listë edhe dy aleatë, specifika kontraditore, sic ishte ai i PBDNJ, apo z.Tahiri i çamëve. Kështu menduam se do fitonim 5 mandate në Vlorë. Por nuk luanim në të njëjtën fushë, me të njëjtat mjete me kundërshtarin. Humbja nuk erdhi për shkak të taktikës së Bashës, por përballë kishim krimin, drogën.
U mërzitët për zgjedhjen e tij?
Arben Ristani: Unë jam njeri politik dhe zbatoj vendimmarrjen e lidershipit të PD, e respektoj se ai ka marrë përgjegjësinë për ta çuar partinë në pushtet. Kam komunikuar me të, dhe arsye është pjesë e taktikës. Nuk ndjej keqardhje, por a ishte taktikë e mirë apo e gabuar, kjo mund të diskutohet, por nuk luanim të njëjtën lojë me kundërshtarin. Ata erdhën me banda e para droge.
Gabime të Bashës? Duhet të liheshin jashtë ata që u lanë?
Arben Ristani: Këtu ka opinione të ndryshme. Unë i mënjanohem këtij opinioni, se në momentin kur zgjidhet kreu i partisë, ai i ndjek taktikat dhe strategjitë. Nuk e di ç’rezultat do merrnin me këto lista.
*Vetë PD nuk ka asgjë që nuk shkon?
Arben Ristani: Sigurisht që PD nuk është perfekte, dhe s’mund të jetë e tillë. Ka vend për të punuar e përmirësuar më shumë. Ne kemi nisur një proces analize. Unë do mbikëqyr procesin e analizës në qarkun e Korçës. Ne presim të shohim rezultatin në qendrat e votimit, kush janë elektorati i palëvizshëm, ku është përdorur presioni e mashtrimi. Në çdo zonë ka problematika të ndryshme.
A ndikoi lëvizja anti-Basha në humbjen e zgjedhjeve?
Arben Ristani: Nuk di të ketë pasur një lëvizje kundër Bashës, ishin vetëm dy deputetë që kërkuan dorëheqjen e Bashës. Të tjerët ishin pas zgjedhjeve, jo para zgjedhjeve. Prandaj nuk mendoj se ka pasur impakt.
Si i ke marrëdhëniet me Astrit Patozin?
Arben Ristani: Unë personalisht kam një veçanti në këtë organizatë. Kam marrëdhnie shumë të mirë me gjithkënd. Kjo nuk na ndikon që të ndajmë opinione të ndryshme për politikën qoftë dhe brenda PD.
A mendoni ju se Basha është i duhuri në drejtimin e PD në këtë moment?
Ne prandaj jemi parti demokratike që të respektohet mendim kundër. Kryetarin e kanë zgjedhur dhe pranuar anëtarët e PD dhe kjo është vendimmarrje e padiskutueshme. Unë jam njeri politik dhe nuk mund të kem mendim kundër. Demokratët kështu vendosën. Protesta, mekanizmi i duhur për rrëzimin e qeverisë Rama? Kështu thotë Berisha.
Arben Ristani: Berisha e quan revolucion demokratik. E vendos në krye të diskursit politik. Dhe është e vërtetë, se kjo qeveri banditeske që kemi është e vështirë të rrëzohet me rrugë demokratike. Kur në pushtet ke një bandë krimi, që krahasohet me kartelet e drogës kolumbiane, vështirë se mund t’i rrëzosh nëpërmjet zgjedhjeve, se s’janë të lira e të ndershme. Ka një plan të studiuar mirë nga Rama, që nga një krah të varfërojë popullin dhe nga ana tjetër të pasurojë kriminelët. Deri tani ka ecur mirë plani i tij. Duke i tërhequr kriminelët dhe në Kuvend. Protesta, duket si e vetmja zgjidhje, nëse s’do kemi as ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë.
Kur do nisin protestat?
Arben Ristani: Ka një organizim. Tashmë jemi në kushte të vështira nga ç’ishim para zgjedhjeve. Tani po analizojmë situatën për gadishmërinë e strukturave.