Pasi mazhoranca rrëzoi kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se kjo ishte hera e parë në pluralizmin politik që Kuvendi refuzon kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të një deputeti.
Kryedemokrati tha se ky ishte rasti i vetëm në historinë e botës që parlamenti është marrë më shumë me rastet e kriminelëve, se sa me ekonominë, mirëqenien.
“Sot ky Kuvend ka vendosur një tjetër rekord të zi. Kjo është hera e parë që Parlamenti refuzon kërkesën e Prokurorisë për t’i hequr imunitetin një deputeti. 24 deputetëve deri më tani u është hequr imuniteti nga mazhoranca të majta dhe të djathta. Sot ky Kuvend është kthyer në vulën e narkoshtetit Rama-Tahiri, i cili ka dy standarde për drejtësinë, një për Tahirin dhe një për qytetarët e thjeshtë”, tha Basha nga foltorja e Kuvendit.
Sipas Bashëse ky është shtet mafioz, që dhunon dhe burgos të varfërit dhe mbron kriminelët.
“Dhjetëra persona kjo qeveri i ka çuar drejt vetëvrasjes i keni vënë gozhdën e fundit një familjeje politike dhe ideologjike, që e keni kthyer në kriminale. Kjo qeveri ka rënë, është de fakto e vdekur”