Prej më shumë se tri javësh, pjesëmarrësit në mbledhjet që zhvillohen në Ministrinë e Brendshme janë të detyruar të mos i mbajnë me vete celularët.
Vendimi është marrë pas skandalit që u zbulua në fund të shtatorit, kur drejtori i Emergjencave Civile regjistroi me telefonin e tij diskutimet në një mbledhje që po zhvillohej aty.
Zyrtari i lartë i Ministrisë, Xhuvanaq Gjylameti, u kallëzua penalisht për zbulim të sekretit shtetëror, pasi kishte regjistruar zhvillimet e mbledhjes. Ky veprim i kushtoi atij procedimin penal në gjendje të lirë dhe pezullimin nga detyra. Por, nga ana tjetër, tashmë i privon edhe zyrtarët e tjerë që marrin pjesë në takime të tilla, duke mos i lejuar që të mbajnë me vete celularët.
Rasti më i fundit ishte ai i së dielës, kur gjatë një takimi ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, pjesëmarrësit kishin dorë- zuar më parë celularët, në mënyrë që të parandalohej çdo mundësi e mundshme përgjimi. Nuk dihet nëse ky vendim është i përkohshëm, apo takimet e mbledhjet në Ministrinë e Brendshme do të vazhdojnë të zhvillohen pa celular, apo objekte të tjera që mund të kryejnë regjistrim të paligjshëm.
PERGJIMI
Sipas materialit të referuar në Prokurori për zbulim të sekretit shtetëror, Xhuvanaq Gjylameri ka përgjuar me celularin e tij mbledhjen e zhvilluar më datë 29 shtator. Në këtë mbledhje ai ishte pjesë- marrës, pasi kishte zëvendë- suar drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, i cili ndodhej në një takim pune jashtë Shqipërisë.
Në këtë mbledhje ka qenë i pranishëm edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Genci Gjoncaj, drejtori juridik dhe disa drejtues të tjerë. Gjylameti mbante celularin në xhepin e xhaketës, ku kishte lënë aktiv opsionin e regjistrimit. Ndërsa mësohet se në mbledhje po diskutohej rreth hartimit të një materiali që do t’i dorëzohej Këshillit të Ministrave.
ISH-ZYRTARI
Zyrtari i Ministrisë së Brendshme është marrë nën hetim, pasi akuzohet se në kundërshtim me ligjin ka regjistruar mbledhje në këtë dikaster nëpërmjet aparatit të tij celular.
Burimet thanë se, rasti në fjalë është regjistruar në fund të muajit shtator. Menjëherë pasi është konstatuar një gjë e tillë, është njoftuar për rastin Policia e Tiranës, e cila ka nisur procedimin në gjendje të lirë të zyrtarit, ndaj të cilit u mor edhe masa administrative e pezullimit nga detyra. Nuk dihet objekti i mbledhjes kur është bërë regjistrimi, por burimet thonë se në të merrnin pjesë drejtues institucionesh në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Gjithashtu, burimet thonë se Gjylametit iu sekuestrua edhe aparati celular me të cilin dyshohet se ishte regjistruar fshehurazi mbledhja dhe diskutimet që u bënë aty. Dyshohet se Gjylameti mund të ketë regjistruar edhe mbledhje të tjera të më- parshme në të njëjtin dikaster.
Përveç telefonit celular, objekt i hetimit të Prokurorisë janë edhe kompjuteri i zyrës dhe ai personal i Gjylametit, si edhe posta elektronike e tij. Në Prokurori janë dorëzuar materialet përkatëse ndaj Gjylametit dhe pritet që hetimet të përfundojnë së shpejti, në mënyrë që çështja të shkojë në Gjykatë. Deri më tani, ai akuzohet për veprën penale të zbulimit të akteve ose të të dhënave sekrete që parashikohen në nenin 295/a./panorama