Shqipëria u përballë këtë vit me një rritje të turistëve polakë. Disa prej hoteleve vendosën të testonin shërbimin ‘all inclusive’, por të gjithë pranojnë se modeli ku duhet të shkojmë është ‘‘half-board’’.
Pse po na braktisin shtetasit nga Kosova dhe kush rriti interesin. Një parabilanc nga operatorët e tregut në Durrës, për sezonin, vizitorët, problemet dhe vëmendja që duhet të ketë shteti në një test që nëse nuk e kalojmë edhe në 2018, për të cilën janë bërë rezervimet, mund të humbasim shumë.
Nga Nertila Maho
Jemi pothuajse në fund të një maratone turistike verore dhe përshtypjet që japin ata, që na morën në konsideratë, duke shpenzuar paratë e tyre në bregdetin tonë, i ngjajnë një elektrokardiogrami të një zemre të sforcuar. Në fakt është zemra e një turizmi që po zhvillohet spontanisht, me biznese që po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme, në disa raste duke zëvendësuar dhe shtetin, për të mbijetuar apo për të qenë të suksesshëm.
Suksesi i këtij viti ishte vëmendja që Europa Qendrore tregoi për Shqipërinë dhe në veçanti për zonën e Durrësit, duke bërë që disa prej hoteleve të kësaj zone por jo vetëm, të testonin edhe konceptin ‘all inclusive’(paketë që përfshin gjithë vaktet, fjetjen dhe pijet e vendit) në mënyrë më masive, një hap pozitiv, i shpejtuar nga ana tjetër. Kjo sepse 2017 është një test që nëse “mbetemi në klasë” mund të kthehet në një bumerang në vitin 2018. Monitor kontaktoi me disa prej bizneseve që e ofruan këtë shërbim dhe që pavarësisht se shprehen të kënaqur me mënyrën sesi e kanë menaxhuar situatën dhe me vlerësimin që kanë marrë nga pushuesit në faqet e tyre, e konsiderojnë një model që nuk duhet ndjekur, pasi Shqipëria nuk është konkurruese përsa kohë nuk ka kapacitete të mëdha hoteliere, që do i mundësonin ekonominë e shkallës si dhe nuk zhvilluar gjithë zinxhirin mbështetës dhe orientimi duhet të jetë drejt ‘half-board’(paketë që përfshin fjetjen, mëngjesin dhe darkën).
Modeli ‘all inclusive’
Shqipëria nuk është konkurruese për sa kohë nuk ka kapacitete të mëdha hoteliere, që do i mundësonin ekonominë e shkallës si dhe nuk zhvilluar gjithë zinxhirin mbështetës dhe orientimi duhet të jetë drejt ‘half-board’ (paketë që përfshin fjetjen, mëngjesin dhe darkën).
Dilema e ‘all inclusive’, a duhet ndjekur
Arbër Shahu, administrator i ‘Sandy Beach Resort’ me 66 dhoma në zonën e Golemit shprehet se koncepti ‘all inclusive ’është një sfidë më vete për një biznes në kapacitete të limituara siç përkufizohet zona e Durrësit apo gjithë bregdeti në vend.
“Ne e kemi ofruar këtë shërbim për të gjithë ata që e kanë kërkuar. Deri më tani jemi të kënaqur por akoma nuk mund të bëjmë një vlerësim sesi ka rezultuar në kosto dhe në fitim sepse duhet të mbyllet i gjithë sezoni. Gjithsesi ky koncept mendoj se është për ato struktura që kanë kapacitete 500-1000 dhoma pasi ke mundësi të ulësh kostot. Për struktura më të vogla ofrimi me cilësi është një sforcim i madh. Koncepti i duhur mendoj se është ‘half-board’ dhe drejt kësaj duhet të shkojmë. Kjo për dy arsye sepse i jep mundësi të zhvillohen edhe bizneset përreth duke lënë “të lirë” turistin të zgjedhë ku do konsumojë vaktin bosh, por edhe sepse është më i thjeshtë për t’u realizuar mirë”.
Të njëjtin mendim duket se ndan edhe Muhamet Kurmemi, drejtor administrativ i Harmonia HotelsGroup i cili thekson se ngritja e një koncepti të suksesshëm ‘all inclusive’ nuk ka nevojë vetëm për hotelet dhe standardet e tyre por edhe për një industri të tërë që e mbështet atë të jetë i suksesshëm. “Ne ofrojmë në hotel të gjitha konceptet nga bed and breakfast (shtrat dhe mëngjes) tek ‘all inclusive’. Këtë të fundit e ndoqëm sepse e pamë që edhe shumë të tjerë rrotull nesh po e ofronin dhe konkurrencën duhet ta ndjekësh por ama duhet të sigurohesh që mund ta bësh siç duhet. Është shumë e lodhshme ta ofrosh në Shqipëri paketën që ka gjithçka të përfshirë sepse e nisim nga kryesoja që të duhet, industria mbështetëse, nuk ka asnjë kompani që të të mundësojë pajisjet dhe produktet (kryesisht pijet). Na është dashur në angazhohemi përtej normales për ta realizuar dhe ky ishte viti i dytë që e kemi ndjekur. Harmonia Hotels Group operon në Shqipëri prej 7 vitesh dhe momentalisht menaxhon 5 hotele. Grupi i hoteleve ka një kapacitet prej 330 dhomash , apo 750 deri në 800 shtretër, në varësi të kërkesës dhe zënies së dhomave.
Rafaelo Resort në Shëngjin është një nga komplekset që është futur në listën e agjencisë polake Itaka me shërbimin ‘all inclusive’. I pyetur nga Monitor njëri prej menaxherëve të kompleksit u shpreh se ka pasur rezervime të konsiderueshme por sfida me ‘all inclusive’ ka qenë e vështirë. Kjo sepse të paktën 15 euro në ditë është kostoja e ushqimit për një person dhe çmimet që janë vendosur janë relativisht të ulëta. Pak a shumë paketat ‘all inclusive’ kanë rezultuar në kosto ose me një fitim minimal që nuk justifikon sforcimin e një biznesi që ka të paktën 400 të punësuar. Fitimi është minimal sepse rezervimet kalojnë në dy hallka agjentësh ku secili mban tarifën e vet.
Turizëm i “veçuar”
Është shumë e lodhshme ta ofrosh në Shqipëri paketën që ka gjithçka të përfshirë sepse e nisim nga kryesoja që të duhet, industria mbështetëse, nuk ka asnjë kompani që të të mundësojë pajisjet dhe produktet (kryesisht pijet). Na është dashur në angazhohemi përtej normales për ta realizuar dhe ky ishte viti i dytë që e kemi ndjekur
Rezervimet, në Durrës kryeson Polonia
INSTAT publikoi pak ditë më parë të dhënat për hyrjet në Shqipëri nga shtetasit e huaj ku për muajin korrik, kryesimin në listë e kanë italianët, më pas maqedonasit dhe të tretët polakët. Këta të fundit përqendrimin e kishin në Durrës çka detyroi bizneset që të bashkëpunonin për të ofruar kapacitete akomoduese të mjaftueshme për t’iu përgjigjur një kërkese që erdhi papritur nga agjencitë. “Këtë vit dominon tregu polak për arsye se ka më shumë ditë qëndrimi se çdo lloj tjetër tregu, por kemi gjithashtu edhe: çekë, sllovakë, boshnjakë, hungarezë, ukrainas, rusë, bullgarë, italianë, serbë pa përmendur edhe shtete të tjera me një fluks më të ulët prurjesh, me grupe te organizuara përpara dhe pas sezonit si edhe rezervime të tjera që vijnë përmes booking.com”, shprehet Kurmemi.
Rritjen e netëve të qëndrimit e konfirmon edhe administratori i Sandy Beach Resort. “ Ky vit ka qenë një vit pozitiv. Ne e shohim në një situatë të përgjithshme për zonën e Durrësit madje hartës i është shtuar dhe Kavaja për pjesën e rritjes së frekuentimit. Këtë e reflekton edhe angazhimi i biznesit për të rritur numrin e dhomave. Mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që ne si vend po arrijmë të rrisim numrin e netëve të qëndrimit dhe flasim për një të dhënë prej 120 ditësh që është një risi për tregun shqiptar” shprehet Arbri.
Pozitive, rritja e net-qëndrimeve
Mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që ne si vend po arrijmë të rrisim numrin e netëve të qëndrimit dhe flasim për një të dhënë prej 120 ditësh që është një risi për tregun shqiptar
Gati kontratat për 2018 por shifrat kërkojnë reflektim
Qeveria ende në detyrë gjatë këtij viti ka qenë e angazhuar në promovimin “virtual” të turizmit. Vetë kryeministri Edi Rama është angazhuar për të postuar disa nga perlat turistike në rrjete sociale si dhe iu ka dhënë vëmendje shkrimeve të mediave të huaja. Është e vërtetë që ka pasur një interes në rritje të të huajve, dhe që shumë prej tyre mendojnë se ne jemi një “sekret” i fundit ende i pazbuluar ku mund të shijosh jo vetëm peizazhe të jashtëzakonshëm por edhe turizëm kulturor dhe kulinar të rrallë. Por entuziazmi duket se ka zbehur nxjerrjen në pah të problemeve, që po shoqërojnë turizmin në vend që ndodhet në një pikë vërtet kritike. Është një pikë kur rrezikojmë të fitojmë shumë ose të humbasim shumë. Bizneset kanë gati kontratat dhe rezervimet për vitin tjetër dhe kjo kërkon që shifrat të mos lexohen si arritje por të interpretohen si nevojë për reflektim për procese të lëna përgjysmë apo sigurimin e nevojave minimale që nisin nga mungesa e ujit, dritave, infrastruktura e dobët.
“Është e vërtetë që Shqipëria dhe konkretisht qyteti i Durrësit, këtë vit ka arritur boom-in e rezervimeve të pothuajse të gjithë strukturave akomoduese, ku mund të përmendim se edhe shumë apartamente janë kthyer në hotele. Ne e kemi aplikuar edhe para dyndjes masive sjelljen me charter të turistëve nga Çekia dhe Polonia. Kjo edhe sepse përveçse ofrojmë shërbim hotelerie jemi edhe tour-operatorë për sjelljen e turistëve të huaj në vend. Kjo na jep mundësitë që përveç hoteleve tona të plotësojmë rezervimet edhe për hotele të tjera. Gjatë këtyre muajve ne kemi pritur partnerët tanë nga Europa dhe më gjerë për të prezantuar opsionet që ofron vendi ynë si dhe kemi mbyllur kontrata për shitje edhe për vitin e ardhshëm, pra 2018” shprehet drejtori administrativ i Harmonia Hotels Group.
Monitor edhe më herët ka shkruar mbi rritjen e kërkesës që ka krijuar një efekt zinxhir në ndërtimin e strukturave të reja akomoduese në zonën e Golemit si dhe zgjerimin e atyre aktualë. Agjencitë që po sjellin edhe turistët nga Europa Qendrore konfirmojnë se ka një vëmendje në rritje dhe rezervime përtej vitit 2018. Edhe tek Sandy Beach kanë nisur rezervimet për vitin tjetër. “Mund të them se për momentin kemi mbyllur kontratën me polakët për vitin e ardhshëm. Një pjesë e rezervimeve do të jenë për këta turistë ndërsa pjesa tjetër do të shihet për rezervime me çekët dhe nga rajoni”, shprehet administratori Shahu.
Sinjali i parë, Kosova na heq nga lista
Durrësi është identifikuar historikisht për një dyndje të turistëve nga Kosova. Madje shumë prej tyre nuk nguruan që të blinin apartamente apo biznese që është lehtë t’i identifikosh nga emrat që mbajnë. Ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës-Morinë i dha një shtysë të jashtëzakonshëm rritjes së frekuentimit të bregdetit shqiptar.
Por duket se viti 2017 ka qenë një pikë kthese, me një rënie në numër. Këtë vit shtetasit nga Kosova duket se po refuzojnë në heshtje abuzimet e përvitshme me çmimet, problemet me infrastrukturën, deri te diskriminimin me moslejimin e kalimit të autobusëve në rrugën e plazhit në Durrës gjatë kësaj vere. Të dhënat e INSTAT për 7-mujorin tregojnë se për herë të parë hyrjet e shtetasve nga Kosova kanë shënuar një rënie të ndjeshme.
Për 7-mujorin (janar-korrik) erdhën 182 mijë shtetas nga Kosova më pak se të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej 17%. Edhe në korrik, tkurrja ishte e lartë me 33%, apo rreth 147 mijë shtetas më pak, teksa hynë në total 297 mijë shtetas nga Kosova (nga 444 mijë korrikun e një viti më parë). Rezulton se korriku ka qenë goditja fatale e turistëve nga Kosova që kanë braktisur masivisht Shqipërinë, ndonëse muaji i Ramazanit, që përgjithësisht step turistët e vendit që flet të njëjtën gjuhë, mbaroi në 26 qershor. Rënia në korrik ishte aq e lartë, saqë nuk u arrit të kompensohej nga dhjetëra turistë të shteteve të tjera (në korrik numri i të huajve që hynë në Shqipëri ra lehtë në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, raportoi INSTAT).
Pavarësisht rënies, shtetasin nga Kosova mbeten thelbësorë për turizmin shqiptar, teksa zinin 33% të totalit të hyrjeve për 7 mujorin 2017, nga 42% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënien e numrit të turistëve nga Kosova e konfirmojnë edhe vetë hotelet në zonën e Durrësit.
Maqedonasit mbeten të dytët, rriten ndjeshëm italianët e polakët
Ndryshe nga shtetasit e Kosovës, maqedonasve u është ngjallur interesi për turizmin shqiptar. Hyrjet e tyre u rritën me 20% për korrikun dhe 10% për 7-mujorin (në total 342 mijë).
Shtetasit grekë kishin një rritje të lehtë me 5.6% për 7 mujorin, por ata vijojnë të mbeten të lartë në numër, me 246 mijë hyrje për janar-korrik (këtu përfshihen dhe shtetas shqiptare me nënshtetësi greke). Edhe nga shtetasit e Malit të Zi ka pasur një rritje të lehtë me 4.4% të hyrjeve, duke u renditur të katërtit.
Në vlerë absolute, rritjen më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në 7 muajt e parë të vitit e kanë shënuar italianët, me një zgjerim prej 56%, ose 66 mijë hyrje më shumë, me 182 mijë hyrje në total. Shqipëria ka qenë së fundmi në faqet e mediave italiane, që i kanë bërë jehonë bukurisë së bregdetit, që është kaq pranë Italisë, duke e krahasuar me Karaibet, ushqimeve të mira e të lira dhe njerëzve mikpritës.
Të dytët për rritjen më të lartë janë maqedonasit. Të tretët janë polakët, që ishin dhe surpriza e kësaj vere, edhe për faktin që hotelet shqiptare u grupuan për të ofruar shërbime të gjitha të përfshira (‘all inclusive’), një risi kjo për modelin shqiptar të turizmit. Por, pavarësisht rritjes së lartë, pesha e turistëve polakë mbetet shumë e ulët.
Në shtatë muajt e parë kanë hynë në vend rreth 60 mijë polakë (gjysma e të cilëve erdhën në korrik), duke përbërë vetëm 2.2% të totalit të hyrjeve të shtetasve të huaj për periudhën në fjalë.
Rritje të lartë në vlerë absolute, por që mbeten të ulët në peshë, kanë shënuar këtë vit edhe zviceranët, anglezët, amerikanët.
Refreni i dritave, ujit dhe infrastrukturës që përsëritet por nuk zgjidhet
“Të gjeje hotelin ishte një sfidë më vete. Na u desh që të komunikonim në tre gjuhë të huaja, me shumë njerëz gjatë rrugës për të kuptuar ku duhet të shkonim. Nuk ka asnjë adresë dhe rruga është në kushte të këqija. Gjithsesi me të mbërritur në hotel situata ndryshon, aty gjen një staf mikpritës dhe një ambient të këndshëm me ushqim të mirë” është kjo përshtypja që ka lënë Mario.D, një turist italian për një prej hoteleve në zonën e Golemit.
Çështja e adresave është një problematikë që ngrihet çdo vit dhe që ende nuk ka marrë zgjidhje të plotë në vend. Por infrastruktura është ajo që mbizotëron në ankesa. Nuk janë vetëm turistët ata që e bëjnë evidente por edhe bizneset. Shumica mundohen që të sistemojnë me fondet e tyre ambientin përreth por që të krijohen kushtet e duhura duhet një dorë më e fuqishme, ajo e shtetit. Por deri më tani duket sikur edhe pse turizmi shihet si prioritet në fjalime dhe dokumenti në terren mbetet tjetër panoramë.
“Mendoj se shteti akoma nuk e ka marrë seriozisht turizmin dhe nuk ka arritur as të llogarisë të ardhurat që vjel çdo vit nga ky sektor. Normale që deri më tani kishte shumë informalitet dhe nuk kishte asnjë numër të saktë turistesh, apo sa të punësuar dhe sa fitime ka. Ka mangësi të cilat mendoj se është e pa imagjinueshme që të flitet sot, si për shembull: dritat, uji, pastrimi si në plazh ashtu edhe nëpër të gjithë zonën, zëri i lartë i muzikës në objekte të veçanta, informacioni i munguar nëpër rrugë për emërtimin e tyre apo për të drejtuar klientët deri tek hoteli që besoj se është minimalja dhe është e detyrueshme për të zhvilluar turizmin e pastaj të kalohet tek të tjerat që janë shumë më shumë se këto që folëm” pohon Muhamed Kurmemi drejtor administrativ i Harmonia Hotels Group.
Pothuajse çdo vit kemi takime demonstrative Task-Forcash që përfshijnë ministri dhe institucioneve varësie, para dhe pas sezoneve, ku ngrihen problematika pa fund, në një cikël përsëritjeje që duket se nuk ka fund por as zgjidhje. Një sektor i konsideruar si shtyllë për ekonominë duhet të paktën të ishte vënë në shina për të ecur drejt një modeli të mirëpërcaktuar. Në fakt duket se për momentin Shqipëria po mundohet të sajohet me ato që ka sesa të udhëheqë sektorin aty ku do dhe ashtu si do./Monitor.al